Skema masive e vjedhjes së tokave në bregdet është vënë në zbatim kryesisht duke falsifikuar zërat kadastralë të sipërfaqeve pranë bregut.
Më pas, këto sipërfaqe ranorë jepeshin në pronësi si toka bujqësore.
Eksperti i pasurive të paluajtshme, Gjergji Begaj, thotë se rol kyç në këtë skemë kanë zyrtarët e qarqeve dhe të prefekturave, të cilët falsifikojnë fillimisht zërin kadastral të sipërfaqeve.
Por që kjo skemë të funksionojë duhet të përfshihen të gjitha institucionet e pronës në vend – thekson Begaj në një prononcim për Scan TV.
Ai thotë se, fenomeni i vjedhjes përmes falsifikimit të të dhënave të tokave nuk është vërejtur vetëm në bregdet, por edhe në Tiranë e qytetet e tjerë të mëdhenj të vendit.
Qeveria ka nisur një hetim të thelluar për rreth 30 mijë parcela në tërë bregdetin shqiptar, ndërkohë që ka bllokuar përkohësisht dhënien e çertifikatave të pronësisë për tokat e ish-ndërmarrjeve bujqësore, në pritje të rezultateve të verifikimeve.
b.m. / dita
