Dy ditë më parë DITA botoi (Kliko KETU) një letër nga qytetari Vebi Hana, i cili adresonte një letër kryeministrit, por dhe të gjitha institucioneve të tjera përgjegjëse për të penguar atë që ai quante grabitje të pronave në zonën e Rrajcës. Ditën e djeshme, kompania ‘Agro-MAP Consulting shpk’, e cila prekej në atë letër ka dërguar në redaksinë e DITA-s versionin e saj në lidhje me çështjen e pronave në Rrajcë./Shën. i Red.
Më poshtë letra e kompanisë “Agro-MAP Consulting shpk”:
Të nderuar qytetarë të zonës së Rrajcë-Skënderbej dhe gjithkënd të interesuar në lidhje me këtë zonë!
Të detyruar për të dhënë një shpjegim, kjo për shkak të shpifjeve të panumërta, pa asnjë fakt nga i ashtuquajturi “vëllai i ish-prokurorit”, ju bëjmë me dije sa më poshtë vijon:
Kompania “Agro-MAP Consulting shpk”, aksionet e së cilës janë në pronësi të shoqërisë gjermane DET GmbH Sttutgart, Germany, ka firmosur në maj të vitit 2017 një kontratë të rregullt, ligjore me Administratën e Zonave të Mbrojtura. Kjo kontratë erdhi pas kërkesës që iu bë AZDM-së nga kompania gjermane, e cila kërkonte të zhvillonte një projekt 5-vjeçar në mbrojtje të ekosistemit dhe të bimëve medicinale në zonën e Rryenit. Gjithkush ka pyetur, pse pikërisht në atë vend?
Pikë së pari, për faktin se zona është e mbrojtur (ose më mirë e konsideruar si e tillë), tashmë edhe në UNESCO.
Së dyti, se projekti, i cili financohet nga Universiteti i Hohenhajmit në Gjermani dhe nga Komuniteti Europian, synonte një bashkëpunim ndërkufitar, me involvimin jo vetëm të qytetarëve shqiptarë në zonën kufitare po edhe të atyre të Maqedonisë.
Së treti, sepse, referuar disa studimeve të bëra gjatë 2015-2016 në atë zonë, nga ekspertë gjermanë të fushës, ekzistonte mundësia që një seri bimësh medicinale autoktone të asaj të zone të zhdukeshin një herë e përgjithmonë, kjo për shkak të masakrës mjedisore që kishte bërë ndër vite dora e njeriut (pikërisht e atyre njerëzve që banojnë në atë zonë).
Në këtë kontekst, kompania gjermane, paraqiti një projekt në mbrojtje të këtyre bimëve, duke krijuar mundësinë e ngritjes të një oazi botanik. Gjithë kjo do të zhvillohej në harkun e 5 viteve, teksa do të investohej rreth 2 (dy) milionë €uro.
Pas paraqitjes së këtij projekti pranë AZDM-së, ky institucion, i cili administron të gjithë territorin në fjalë, pra fushën e Rryenit, e konfirmoi në mënyrë të menjëhershme, kjo duke parë se e gjitha kjo ishte në funksion të mbrojtjes së natyrës dhe ekosistemit në zonë. Pra, nuk kemi të bëjmë me shkatërrim tokash, sikundër proklamon “hafija” në fjalë, vëllai i ish-prokurorit. Por përkundrazi, luftë kundër shkatërrimit, prerjes pa kriter të lëndës drusore, etj….
Pasi projekti u konsultua edhe nga specialistët e Ministrisë së Mjedisit dhe më saktë nga Drejtoria e Administrimit të Zonave të Mbrojtura, nisën të gjitha procedurat për nënshkrimin e kontratës.
Së pari u mor statusi juridik i pronës nga Zyra Vendore e Pasurive të Paluajtshme, për të parë nëse në atë zonë kishte apo jo prona private.
Sipas ZVRPP-së, nuk ka asnjë pëllëmbë tokë private.
Më pas u mor një dokument edhe nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në Tiranë, kjo për të vërtetuar, nëse këto toka shtetërore të zonës së Rryenit ishin vënë ose jo në dispozicion nga qeveria shqiptare për ish-pronarët. Edhe ky institucion vërtetoi se pronat në fjalë ishin të lira, nën administrimin e AZDM-së.
Vetëm pasi u plotësua dosja e plotë me dokumentacionin përkatës, ajo iu dorëzua fillimisht AZDM-së dhe më pas edhe Ministrisë së Mjedisit për miratimin ose jo të kontratës.
Të dyja këto institucione miratuan dosjen dhe më 17 maj 2017 është firmosur kontrata ligjore. Kjo kontratë është miratuar nga Ministria e Mjedisit dhe është firmosur nga AZDM-ja, nga drejtori Fatmir Brazhda.
Kontrata është 5-vjeçare (dhe jo sikundër thuhet se gjoja toka është blerë apo është marrë me afat shumë të gjatë). Dhe afati është 5-vjeçar, kjo pasi më së pari AZDM-ja dhe shteti shqiptar nuk mund të firmosin një kontratë me një afat më të gjatë sesa 5-vjet, kur kemi të bëjmë me një Zonë të Mbrojtur (shiko ligjin o palaço i quajtur vëllai i ish-prokurorit).
Së dyti, kontrata ka këtë afat pasi kemi të bëjmë me një projekt-donacion, dhe nuk kemi të bëjmë me marrje në përdorim për arsye të qarta biznesi. Projekti i nënshkruar me AZDM-në është qartësisht i shkruar se kemi të bëjmë me ngritjen e një kopshti botanik në funksion të zonës dhe jo për arsye biznesi.
Kjo është e vërteta z.vëlla i ish-prokurorit, por që vetëm me ligjin nuk paske lidhje.
Tani të vijmë me radhë te shqetësimet e ngritura në lidhje me këtë projekt:
Së pari është thënë se kompania gjermane, nuk ka kaluar projektin në Këshillin e Bashkisë Përrenjas dhe nuk ka parrë pëlqimin e banorëve.
Kompania gjermane nuk kishte asnjë arsye që të merrte pëlqimin apo miratimin e Këshillit të Bashkisë Prrenjas, kur një gjë e tillë NUK KËRKOHET NGA LIGJI. Duke qenë se toka në fjalë është vetëm nën administrimin e Zonave të Mbrojtura, bashkia Prrenjas NUK KA ASNJË TAGËR APO DETYRIM në lidhje më këtë pronë, ndaj edhe nuk kishte asnjë arsye që të merrej një dokument miratimi në këshill (nuk i merret leje komshiut për një gjë që nuk është e tija), pasi nuk do të kishte asnjë vlerë ligjore…. Si mundet që një këshill të miratojë ose jo një vendim në lidhje me një pronë që nuk është e tija, nuk administrohet nga ajo bashki????!!!
E njëjta gjë vlen edhe për banorët. Kompania ka kërkuar me dhjetëra herë takime me banorët që ata të sqaroheshin në lidhje me këto fakte, por çuditërisht në asnjë rast këta të fundit (NË ASNJË RAST) nuk kanë pranuar që të mësonin të vërtetën. Përfaqësues, nëpunës të kompanisë kanë qenë edhe në Rrajcë-Skënderbej. Janë takuar me banorë. Me kryetarin e fshatit dhe me ca “agallarë” të tjerë që nga njëra anë mjelin fort mirë këtë shtet dhe nga ana tjetër, ndalojnë si hafijet e dikurshme, që ata banorë ta shikojnë këtë projekt si një mundësi të artë punësimi. Por do ketë kohë edhe për këta të fundit….
Po, po, po. Është bërë gjithçka që ishte e mundur që banorët e zonës të ishin të involvuar në këtë projekt. Madje kjo ka qenë një nga pikat kryesore të kompanisë gjermane, duke qenë se kemi të bëjmë, sikundër e citova edhe më lart, me një projekt-donacion. Por çuditërisht dhe në mënyrë totalisht të pakuptueshme, banorët e kësaj zone preferojnë më mirë të marrin 5000 lekë asistencë në muaj sesa të bëjnë një punë të ndershme, duke u paguar minimalisht 220 €uro në muaj (22 ditë pune, nga 10 €uro dita).
Çuditërisht, i nderuar z.Kryeministër!
Çuditërisht, i nderuar z.deputet i zonës! Këta banorë (këta parazitë), preferojnë të mos punojnë në këtë projekt pasi, nëse deklarohen tek sigurimet shoqërore dhe shëndetësore do duhet të heqin dorë nga asistenca. Pra për këta parazitë, është më mirë 5000 lekëshi i shtetit sesa puna e ndershme….???!!!
Në letrën e hapur vëllai i ish-prokurorit (por që vetëm nga ligji nuk ai paska haberin), përmend fjalën grabitje. I bëj me dije zotërisë në fjalë, se jo vetëm që nuk kemi të bëjmë me asnjëlloj grabitjeje sikundër thuhet, por kompania paguan në bazë të kontratës rreth 3 milionë lekë AZDM-së si qira (pa harruar 2 milionë €uro investim, i cili pas 2022-it, kur të përfundojë kontrata, do ti mbetet tërësisht zonës së Rrajcës).
Por edhe pse proklamohet me të madhe thithja e investimeve nga jashtë; edhe kur investitori vjen dhe harxhon jo vetëm kohë por edhe shuma të konsiderueshme parash; sërish dalin ca dallkaukë, që Zoti i ka harruar ende mes nesh, që jo vetëm të denigrojnë këtë investim, por duke shkuar edhe deri në shkatërrim të disa bimëve, kohë pas kohe.
Duke mos dashur që të krijohet një frymë negativiste kompania është mundur gjithsesi që gjithçka të zgjidhë me qetësi, duke vënë në dispozicion të gjitha burimet njerëzore për sqarimin e këtyre banorëve, ndaj edhe në disa raste nuk është bërë as edhe denoncim në Policinë e Shtetit për rastet vandale të bëra nga dallkaukët vendës.
Në fund po sqarojmë edhe pyetjet e ngritura nga vëllai i ish-prokurorit:
1 – Zona e Rryenit jo vetëm që nuk po shkatërrohet, por po kthehet çdo ditë në një atraksion për turizmin malor dhe për këtë mund të merrni informacion edhe nga vetë AZDM-ja.
2 – Në asnjë rast, në asnjë rast, në asnjë rast nuk është ndaluar kullotja e blegtorisë. Përkundrazi. U është thënë dhe stërthënë barinjëve të zonës që të vijojnë me stanimin e tyre sikundër kanë bërë në të gjitha vitet, kjo pasi mbetjet shtazore shihen si një ndihmë për plehërimin e asaj toke dhe për rritjen sa më parë të bimëve që janë kultivuar. Sakaq, kompania ka rregulluar (sipas projektit) edhe ta ashtuquajtura “lera ujore”, që përdoren nga bagëtitë. Madje në projekt (nëse do mund të realizohet) është edhe krijimi i një liqeni të vogël artificial, duke nxjerrë ujë me sondë.
3 – Z.vëllai i ish-prokurorit kërkon (sipas tij) ndalimin e shkatërrimit të bimëve mjekësore…. kjo është sa për të qeshur dhe për të qarë njëkohësisht… ju lutem, verifikojeni në terren ose merrni info nga administrata e Zonave të Mbrojtura. Në një vit të këtij projekti, jo vetëm që është frenuar shkatërrimi i bimëve medicinale, por janë mbrojtur dhe vendosur bimë të tjera autoktone, të cilat do të mund të krijojnë oazin e kopshtit botanik, i cili do të jetë në funksion të banorëve të zonës, të turistëve, etj, dhe JO për biznes sikundër proklamohet.
Ndërkohë e theksoj se kompania i ka kërkuar thuajse çdo familjeje të zonës që të vijë të punojë në këtë projekt, dhe asesi kjo mund të mund të konsiderohet sikundër thotë z.vëlla i ish-prokurorit, se po u ndalohet që të mbledhin bimë medicinale.
4 – Sakaq, në një vend si ky i yni, ku çdo ditë akuzohet gjithkush, ju bëjmë me dije me bindje të plotë (gjithkush ëhstë i lirë të gjejë një grimcë pasaktësie), se në këtë projekt nuk ka asnjë pushtetar nga pas, pasi në të kundërt, të siguroj z.vëlla i ish-prokurorit, se ky projekt nuk do kishte pasur kaq shumë probleme në vetëm 1 vit të ekzistencës së vet, aq sa kompania ka menduar disa herë tërheqjen duke e dërguar kontratën në arbitrazh, fjalë që ti zotëri me shumë gjasa nuk e kupton.
(Dhe për saktësim, unë si ish-jurist i komunës, as kam blerë dhe as kam marrë në përdorim asnjë pëllëmbë tokë në atë zonë, por thjesht jam një i punësuar në atë kompani. Sakaq, nuk kam as edhe lidhje me kryetaren aktuale të bashkisë, madje jam larguar nga puna, pikërisht kur kjo e fundit ka ardhur në krye të asaj bashkie.
Por sigurisht, të vërtetën do ta mësosh edhe më mirë në seancën më të parë të gjyqit që ka hapur ndaj teje në Gjykatën e Tiranës, kompania gjermane për shpifje dhe prishje të imazhit).
Të nderuar banorë të zonës dhe të gjithë ata që janë të interesuar!
Bashkë me këtë letër të hapur shpjeguese, kompania po boton edhe kontratën ku del në pah e vërteta lakuriqe, dhe ajo sikundër duan ta reklamojnë atyre që u janë tharë tashmë trutë dhe që nuk arrijnë të shohin dot më larg sesa hunda e tyre.
Me respekt!
Agro-MAP Consulting
