Vjedhja përmes kartave bankare, rreziku vjen nga interneti

anazapta

Rritja e përdoruesve të kartave dhe transfertave bankare ka sjellë edhe një pasojë negative: rritjen e mashtrimit. Në vitin 2011, analistët e sigurisë së kartave bankare u përballën me furinë e mashtrimeve të kartave, klonimi i tyre duke vjedhur të dhënat e klientëve, thyer informacionet, që më pas shfrytëzohen për përvetësimin e shumave në vlerë disa dhjetëra mijë euro. Por në vitin 2012, risia ishte “krimi kompjuterik”, mashtrimi përmes faqeve të internetit, që shërbejnë për blerje online të mallrave apo shërbimeve.

Sipas të dhënave nga Shoqata e Bankave, që citohen sot në të përditshmen “Shqip”, numri i kartave bankare ka arritur në 2012-n në 777 407, ku rreth 7 për qind e tyre e zënë kartat e kreditit. Pika automate, të cilat shërbejnë për të tërhequr para janë gjithsej rreth 820 kurse POS-se (pikat e blerjes me kartë) janë gjithsej 5 266.

Rastet e mashtrimeve në 2012-n në Shqipëri kanë pësuar ulje të fortë në raport me vitin 2011. Ulja shënon 203 për qind të totalit në vlerë, ndërsa një vit më parë shënoi një rritje prej 54 për qind. Aktualisht, përdorimi i internetit dhe shërbimet që ofrohen me kartat për pagesat e ndryshme është i përhapur dhe evident. Bankat kanë rritur masat e sigurisë, që për çdo pagesë për blerje apo transaksion, kërkojnë vazhdimisht konfirmim. Megjithatë, rreziku ekziston.

Shoqata e Bankave zhvilloi një forum në Tiranë për sigurinë e kartave dhe luftës ndaj mashtrimeve. Enkelejda Balliu, nga Komiteti i Luftës Kundër Mashtrimeve me Kartat, shpjegon mënyrat nëpërmjet të cilave kryhet mashtrimi bankar.

“Pra kemi tri herë më pak mashtrime në Shqipëri. Për sa i përket strukturës së llojit të mashtrimeve në 2012-s kemi 48 për qind mashtrime me karta jo prezente (përdorim në internet), 36 për qind raste të kopjimit të të dhënave të kartave dhe 16 për qind mashtrime me karta të vjedhura apo të humbura. Kartat e kopjuara janë përdorur kryesisht në ATM”, tregon Balliu.

Për vitet 2010-2012, 92 për qind e rasteve të mashtrimeve kanë ndodhur jashtë territorit shqiptar kryesisht: SHBA, Australi, Britani, Bullgari, Greqi, Itali, Kinë, Spanjë, Francë, Meksikë dhe 8 për qind në Shqipëri.

Analistët vlerësojnë se përdorimi i kartave bankare ndihmon në zhvillimin ekonomik të një vendi, madje nxit më tej PBB-në. Sondazhet tregojnë se ndikimi i pagesave elektronike shkon nga 0.6 për qind deri në 1.6 për qind në rritjen e Prodhimit Kombëtar.

Viti 2012-a shënoi rritje 12.6 për qind të pagesave me karta në totalin e pagesave krahasuar me vitet e mëparshme. Raporti i tërheqjeve cash në automate me përdorimin e kartës në POS është 91 për qind tërheqje në ATM dhe 1 për qind blerje në POS.

Në vendet e Europës, ky raport është në të kundërt: 75 për qind blerje në POS dhe 25 për qind tërheqje nga ATM. / SHQIP

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *