Etrit Berisha bëhet gati për debutimin e tij në portën e Lazios për vitin 2015. Portierit 25-vjeçar shqiptar do t’i jepet një shans i artë këtë javë për të fituar besimin e trajnerit Pioli, i cili ka preferuar Federiko Marchetin për postin e titullarit.
Kartoni i verdhë i marrë nga portieri italian në derbin me Romën, i katërti në total në këtë sezon, e detyron Marchetin të mungojë në sfidën e radhës të Serisë A me Napolin në “Olimnpiko”, ku do të luajë nga minuta e parë Berisha. Por aktivizimi i futbollistit të kombëtares shqiptare pritet të ndodhë që në ndeshjen e Kupës me Torinon, që do të zhvillohet mbrëmjen e kësaj të mërkure, edhe pse Pioli do t’i ketë në dispozicion të gjithë gardianët e tij.
Berisha duhet të jetë në formë optimale për përballjen me napolitanët, ndaj aktivizimi titullar me Torinon në Kupën e Italisë do ta ndihmonte për të fituar më shumë besim, pasi nuk luan prej shumë javësh. Gjatë merkatos së janarit është folur për një transferim të mundshëm të tij te Verona, por drejtori sportiv i Lazios, Igli Tare siguroi se Berisha nuk do të largohet nga kryeqyteti italian. Portieri kuqezi tashmë e ka shansin për t’i treguar Piolit se është në nivelin e Marchetit, edhe pse italiani mbetet zgjedhja e parë për trajnerin 49-vjeçar.
