Kur 23 qytetarë të fushave të ndryshme të jetës, iu drejtuan me një letër të hapur udhëheqësit të opozitës, zotit Rama, në të cilën i kërkonin që, të urdhëronte deputetët e tij që të miratonin në Kuvend tri ligjet e mbetura që mbakan peng integrimin evropian të Shqipërisë, e mora thjesht si dëshirë spontane të një grupi të caktuar shoqëror që brengosen për fatet e kombit. Por, kur brenda 24 orëve, në një mënyrë të beftë, kjo letër-thirrje u “firmos” edhe nga 77 të tjerë sipas parimit “shënomëni edhe mua”, u binda se diçka nuk shkon në këtë letër. Shumësia e firmëtarëve mu duk një budallallëk, sepse mjaftonin ato 23 të parët për të krijuar një ndërgjegjësim publik se disa përfaqësues të shoqërisë kanë diçka për t’i adresuar dikujt.
Kjo mënyrë solidarizimi masiv vjen erë e keqe, era përdorim, era shitje dinjiteti, vënie e emrit që secili prej tyre ka krijuar në shoqëri, në funksion të qeverisë. Ata e dinë shumë mirë që bllokimi nuk vjen prej opozitës. Mosvotimi e ka një shkak, për të cilin opozita ka marrë në unison një vendim politik. Një ngërç i cili zgjidhet shumë lehtë nëse kryeministri ka vullnetin ta bëjë, vetëm duke zbatuar vendimet e gjykatave për të njohur kryetarin socialist të qarkut Fier. Për këtë opozita ka qenë e qartë tash sa muaj dhe nuk pret asnjë lloj thirrje të përdorurish për një çështje të cilën ajo ka folur njëherë. Duke parë listën me nëpunës që marrin rrogat e vonuar në shtet, drejtorë institucionesh dhe vartës të tyre, brenga bëhet edhe më e madhe. Atëherë edhe slogani i opozitës: “Për një Rilindje Shqiptare”, duket se merr kuptim për të gjithë këta. Për t’u çliruar edhe ata e për të mos qenë peng të një qeverie që çdo ditë e më shumë ngjason me Partinë e Punës që në grahmat e fundit të saj gjente andej këndej ndonjë soj intelektuali për të përmirësuar sadopak imazhin e saj të zvetënuar në sy të të gjithë shqiptarëve.
Opinion i nënshkruar: Altin Ketro