Nga Bashkim Koçi
“Cilët janë veprimet më të shkëlqyera? Të gëzojmë zemrën e qenieve njerëzore, për të ushqyer të uriturit, për të ndihmuar nevojtarët, të ndriçohet pikëllimi i trishtuar, dhe për të hequr vuajtjet e të plagosurve.” E nxora këtë thënie të Profetit Muhamed për të ilustruar e vërtetuar sikur ajo të jetë një përfundim i “shtrydhur” mirë, sikur të jetë një ekstrat i nxjerr me shumë përgjegjësi nga vëzhgimi dhe vlerësimi për jetën, punën dhe veprimtarinë njerëzorë të personazhit të librit-album që kini në dorë, të Muhamet Malos. Është ndoshta një rastësi e çuditshme që emri i Muhamedit tonë të jetë si ai i Profetit, pra Muhamed. Por çudia tjetër qëndron tek tjetra, tek ajo që Muhamet Malo gjatë gjithë jetës së tij, nga kur hodhi çapin e parë e deri sa u nda nga jeta, kreu me përpikmëri të habitshme të gjitha porositë, të gjitha këshillat dhe të gjitha mësimet sikur të paskësh qenë vetë Profeti. Ai jetoi e punoi në kohëra të trazuara; në ditë, muaj e vite ku vendimet e merrte e keqja, kur ligjin e vendoste i forti e zuzari, kur ndershmëria e mirësia e mbante kokën ulur si të zëna në turp. Muhamet Malo e pa me sytë e tij këtë realitet, e urreu me fuqinë e zemrës, por edhe guxoi të punonte për ta ndryshuar. Po, po, ky njeri guxoi. Guxoi për të ndryshuar jetën e tij, guxoi për të lehtësuar edhe jetën e të tjerëve. Ka qenë tjetër njeri Muhamet Malo, i përkiste asaj rrace njerëzore që po lutemi të na vijë.
Është e vështirë për një njeri të ngarkuar me pasuri të shkojë në atë rrugë që e çon në lumturi. Madje është disi e pamundur, diçka imagjinare. Sepse të jesh i pasur nuk do të thotë se je i lumtur. Shpesh ndodh tjetër gjë, e kundërta. Por Meti ynë, siç e njihnim dhe e thërrisnim, e gjente luksin tek lumturia e tjetrit, i qeshte fytyra teksa kish arritur të ndihmonte një të mjeruar. Janë me dhjetra e qindra rastet, ngjarjet, rrethanat që ky “njeri i zotit” të jetë përballur me zemëratën e individëve të dëshpëruar nga varfëria, të jetë gjendur i rrethuar nga mjedise “ku thërret qameti”, të dëgjonte një fëmijë të mërmëriste “dua të vdes e të shkoj te Zoti, se tek Ai ha bukë deri sa të ngopem” e, ndërkohë, të ketë dalë përpara ndërgjegjes së tij dhe atyre që e shikonin në dritë të syrit, si njeri që di të falë dashuri e mirësi.
Për Met Malon pasuria më e madhe ishte dhe mbeti pasuria e shpirtit. Lexuesi tek ky libër, I gjithë me fotografi dhe konsiderata të të gjithë kategorive; politikanë, personalitete të shkencës e letërsisë, autoritete të të gjitha llojeve të sportit, njerëz që e kanë njohur e që ai u është gjendur në situate të rënda të jetës etj. etj., do të mund të zbulojë e vlerësojë se sa e madhe ka qënë zemra e këtij punëshumi, të këtij bamirësi për “njerëzit në hall”, e që herë-herë i gjen në përmasa të pabesueshme. Ashtu siç Benjamin Franklin shkroi dikur, “Nëse nuk do të harrohesh, sapo ke vdekur, ose ke shkruar gjëra me vlerë për t’u lexuar, ose ke bërë gjëra me vlerë për t’u shkruar”. Meti u përket këtyre të dytëve, pra njerëzve që kanë bërë gjëra me vlerë për t’u shkruar . Dhe ato janë shumë. Janë punë të mbara e të bardha, të gdhendura në zemra njerëzish, tek ata njerëz që Muhamet Malos nuk i vinte turp t’i shoqëronte e tu gjendej. Nuk di ku e kishte lexuar ky njeri i mirë, por një ditë më tha (kur ishte në jetë) se gjatë gjithë jetës së tij ish udhëhequr nga praktika: pyet të diturit, folur me të urtët dhe shoqërohu me të varfërit. Nga ai moment më bëri ta shikoja e vlerësoja jo si “Meti i Teleferikut”, por si një filozof të kohrave moderne. Të gjitha këto, të përjetuara e cituara nga njerëz që për dikë “nuk i duhen as dreqit”, do t’i gjeni të qëndisura bukur faqe pas faqeje në këtë libër në trajtën e një albumi të mirëpërgatitur nga Prof. Dr. Përparim Kabo, Roland Tasho dhe familja e Muhamet Malos.

Teksa ç’fleton një libër mendja të shkon tek vlerat që ai përcjell, tek ajo çka mendon për personazhin për të cilin tregohet e shkruhet, por edhe për mesazhet që vijnë tek mua, tek ty, tek ai që mer mundimin ta kundrojë e lexojë me vëmendje faqe pas faqeje. Unë, për veten time, duke e njohur karakterin, urtësinë dhe mençurinë e Met Malos, nxora këtë çka po them: Jeta nuk është të marrësh dhe të kesh, është të japësh dhe të jesh. Sepse nuk është ndonjë gjë e madhe, nuk duhet menduar gjatë të thuash që në këtë vend, në këtë Shqipëri me popull në shumicë të varfër, të thuash që jeta për shtresat e larta është “të marrësh, të marrësh, të marrësh dhe të kesh, të kesh, të kesh”. Meti ynë e nisi dhe e mbylli jetën “të japësh dhe të jesh”. Bukur, apo jo?
Dashuria për Metin ishte si një lule dhe që kujdesej që ajo të rritej. Në të gjitha mjediset ku gjendej e hidhte shtat kjo lule; në familje, në shoqëri, tek shokët e miqtë, kudo. Ai në tërë këtë përkujdesje udhëhiqej nga fjala e urtë: Mençuria dhe forca vijnë prej përulësisë. Ai përulej përpara gjithçkaje, që për të ishte e shenjtë, dhe që përbetohej të qëndronte besnik për aq sa do të ishte gjallë. Shumë gjëra i kapte syri këtij njeriu që nuk u shtir kurrë, por ai ndiqte ato që i kapte zemra. Në libër do të gjeni dikë që ka shkruar një dedikim, pse kur ishte në jetë i ka kërkuar ndihmë financiare për të realizuar një projekt, dikush tjetër pse i ka dhënë një autograf si kampion i mundjes, dikush i ka kërkuar një shtrëngim duarsh si i përzgjedhuri i Presidentit Barak Obama ku, për punë bamirësie, iu dha çmimi “Për Merita të Veçanta Civile”. Secili, në këtë libër, ka dhuruar diçka nga zemra e tij si të kenë qenë pjesë e qenies të Muhamet Malos.
Për çka është ekspozuar e shkruar, e gjithë veprimtaria e tij shumëplanëshe është mbresëlënëse, si të përjetosh botën që i përket një njeriu të fortë, të mençëm e të duruar. Aty gjen personazhin që do të ndjeheshe i lumtur nëse do të kishe patur fatin për të shkëmbyer dy fjalë, nëse do të të duhej për t’i kërkuar pak ndihmë për të hedhur poshtë një defter të mbushur me borxhe. Met Malo ishte shqiponjë e vërtetë dhe, siç e dimë të gjithë, shqiponjat nuk gjuajnë miza.
Fëmijët, në çdo pikë të Globit, nuk i mbajnë mend prindërit për gjërat materiale; paratë, lodrat, makinat e shtrenjta, pushimet e kushtueshme a kudi çfarë. Jo. Prindërit mbahen mend për ndjenjat që u kanë dhuruar atyre. Në këtë gjë nuk kanë patur qoftë edhe një fije ndryshimi fëmijët e Met Malos, të katër, pa përjashtim: Klajdi, Migena, Huardi dhe Perla. Në këtë libër, edhe pse ai i kushtohet babait të tyre, Muhamet Malos, do të gjeni fare natyrshëm portretet e të gjithë pjesëtarëve të familjes, aq sa janë, bashkëshortes Mirandë dhe katër fëmijëve. Nga tërësia e trajtimit dhe vlerësimit të personazheve familjarë, të cilët na shfaqen si në një gjerdan të xhevahirtë, më duhet të nxjerr përfundimin se për Metin familja nuk ka qenë një gjë e rëndësishme. Familja për këtë burrë të devotshëm ka qenë gjithçka. Ca më shumë duhet thënë më zë të lartë ky konkluzion i drejtë, kur merr informacionin se fjalën e urtë “dardha bie nën dardhë” e gjen, e shikon dhe e prek me dorë në veprimtarinë, në moralin, në tërësinë e normave të sjelljes të familjes Malo. Ndjehesh mirë kur vazhdimësia e emrit të mirë, siç është ky i Metit, vijon të përcillet e ngrihet më lart nga pasardhës të denjë, nga pasardhës që nuk rrojnë e përparojnë nën hijen e babait, por që po i bëjnë vend vetes nën shembullin e atit të tyre.
Nga shumë portrete, nga natyra të ndryshme të punëve të ndryshme, janë hedhur me një dashuri të sinqertë. Kudruesi dhe lexuesi gjen veten e tij, gjen ca lidhje që do të dëshironte të ishin pronë edhe e familjes së tij, do të lumturohej shumë që t’i ngjasonte sadopak familjes Malo. Kjo çka them del nga ajo që përcjellin në marrëdhëniet shumë shpirtërore nënë-bir, vëlla-motër apo vëllai me vëllanë. Aty gjen fillin e artë ku çfaqen lidhjet me njëri-tjetrin, përkrahja dhe ndihma e pakursyer. Dhe janë lidhje nga e cila është e vështirë, ndoshta e pamundur që t’i ndash nga njëri-tjetri.
Jeta është ajo çka të ndodh, ndërkohë që ti je i zënë duke bërë plane të tjera. Muhamet Malo hynte tek ata personalitete njerëzorë që bëntë plane të tjera, që projektonte e fantazonte ashtu si kërkonin të bëheshin punët e mëdha. Ajo që ishte fare e dukshme, që nuk kish aftësinë ta fshihte Met Malo, qëndronte e shkruar në ballë. Ai kurrë nuk dëshironte apo të përpiqej të mblidhte pasuri pafund. Sa që gjallë Meti u përpoq të shpaloste vlera, të krijonte atë portret që i ngjasonte shpirtit të tij të madh, të atij shpirti që ai ishte i sigurt që e kish pasurinë më të çmuar. Nëse ky njeri i jashtëzakonshëm nuk u prek fare nga flama që ka zënë shoqërinë shqiptare i dedikohet karakterit të tij, forcës për të qënë produkt i vendimeve që merrte. Muhamet Malo kishte për zot konceptin me të cilin maste dhimbjen që e bluante nga brenda. Për atë dashuria dhe mirësia ishin të përjetshme dhe jo si slogan që i përkiste të kaluarës, një bote të imunizuar nga idealizmi. Ashtu si hëna, yjet, dhe dielli edhe ne bëjmë dritë, pata dëgjuar të thoshte Meti. Një vëzhgues i vëmendshëm nuk e ka të vështirë ta shikojë, ta ndjejë e përjetojë këtë sentencë të Muhamet Malos në albumin disi të veçantë në llojin e vet.
Muhamet Malo nuk ëndërronte, ai përpiqej të bënte diçka. Në këtë kuptim nuk kishte nevojë të pyesje cili ishte ky njeri, ku ishte dhe çfarë ishte. Muhameti ishte ai që ishte dhe besonte në Zot. Besonte në Zot, por sa qe gjallë, sa e patëm midis nesh, ai diti të ndjehej rob i Tij. Nëse atje lart, në qiell, është takuar me Të, nuk ka harruar t’i thotë: Zot, atje në Tokë, gjatë gjithë jetës time, zbatova të gjitha porositë e këshillat që më kishe dhënë.


Shkrim i mrekullueshem per te pa harruarin Met Malaj.
Me thjeshtesine edhe shpirtin dashamires hapte nje dritare te re njerezore per c do kend qe takonte.
Une e takoja rralle edhe gjithnje te linte nje mbrese njerezore edhe miresie.
Mungon e qeshura e mikut tim Met qe takoheshim rralle por gjithnje te bente sikur sa ishim ndare para pak oresh.
Te kujtojme gjithnje miku jone Met Malaj.