Vjeshta rikthen virozat e rrugëve të frymëmarrjes

anazapta

Vjeshta  rikthen në masë virozat e stinës që prekin kryesisht rrugët e frymëmarrjes. Urgjencat e spitaleve dhe mjekët e familjes, gjatë javës së fundit janë tejmbushur nga pacientë të vegjël dhe të rritur, të cilët kanë shfaqur probleme të shumta në rrugët respiratore, të shkaktuara nga qarkullimi i viruseve të ndryshme në ajër. Specialistët e Institutit të Shëndetit publik kanë bërë me dije se tashmë kemi hyrë në sezonin ku shtohet numri i viruseve që qarkullojnë në ajër, çka shton edhe dozën e komplikacioneve në shëndet, për të cilat duhet të tregohemi të kujdesshëm dhe të marrim masat e duhura sa më herët. Duke konfirmuar shtimin e fluksit të pacientëve specialistët këshillojnë se tashmë kemi hyrë në sezonin ku duhet t’i drejtohemi vaksinës antigrip, e cila siguron një mbrojtje të mirë ndaj këtyre viruseve tek rreth 90 për qind e përdoruesve. Megjithatë bërja e vaksinës nuk do të thotë se në çdo rast jemi të mbrojtur nga gripi apo virozat e stinës, por ndihmon në përgatitjen e imunitetit për të përballuar pasojat e gjendjeve gripale. Përballë kësaj situate specialistja e ISHP-së Eugena Tomini tregon se referuar rasteve të paraqitura pacientët më të prekur, rezultojnë të jenë fëmijët, të sëmurët kronikë, si dhe moshat e treta. Ndërkohë që më tej shton se tashmë kemi hyrë në sezonin ku këto probleme vetëm sa vijnë në rritje,teksa rreziku kalon vetëm pas muajit maj të 2014-ës. “Ka një tendencë që ditët  e para të tetorit të fillojnë rastet e para të raportuara të infeksionet kryesisht të rrufës stinore apo infeksioneve respiratore. Gripi mund të jetë më i pranishëm në fëmijët e vegjël, të moshës 5 vjet, apo tek gratë shtatzëna, mosha e tretë. Vaksina antigrip është një hapi më i rëndësishëm që  duhet të ndjekë çdo pacient në këtë periudhë në të cilën ndodhemi. Rekomandohet që dy javët e fundit të shtatorit dhe nga fund i shkurtit të sensibilizohet popullata për vaksinimin nga gripi. Por duhet pasur parasysh për etikën e pastërtisë dhe kollitja apo teshtitjes janë elementë bazë për transmetimin e viruseve”, deklaron Eugena Tomini. Vaksina Antigrip, e cila tashmë gjendet në treg ka në përbërje të saj antigene të shumta të cilat ndihmojnë organizmin që tu rezistojë efekteve të shkaktuara nga viruse. Por, kjo mbrojtje sigurohet vetëm nëse respektohet kalendari i marrjes së dozave të vaksinës sipas afateve të përcaktuara. Krahas saj kujdes maksimal duhet treguar edhe me kushtet e higjienës, pasi viroza të tilla janë lehtësisht të ngjitshme.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *