Nga Bashkim Koçi
-Sipas bisedës me fermerin Bashkim Pengu-
Udhëtimi në stinën e vjeshtës, sidomos në shtator, muaji më i privilegjuar nga të tjerët për shumëllojshmërinë e frutave, është i magjishëm dhe çuditërisht të sjell një ndjesi shpirtërore disi ndryshe, paksa çlodhëse e frymëzuese. Rasti e solli që këto ditë të kaloja Qafën e Plloçës në Pogradec e mandej të merrja djathtas, drejt luginës së fshatit Leshnicë. Fshat i cili qysh në prezantimin e parë të shfaqet me një pamje të rrallë. Nga aty Guri i Kamjes duket bukur, por forca e tij, si të ishte një shenjt, të dikton ta shohësh e ta shohësh gjatë me dëshirën për shuar etjen nga ajo pamje si një pikturë e gatitur në shkëmb. Lugina e Leshnicës përfaqëson një fushë nga më të begatat në Pogradec, vendin ku rrushi, molla, qershia, shega, arra, fiku, të gjitha llojet e zarzavateve etj. e ndjejnë veten si në gji të perëndisë. Aty bimësia e kultivuar është e privilegjuar nga zoti. Toka, dielli, uji dhe mikroklima janë në parametra tejet normalë, nga ku zor se gjen një vend tjetër që raportet midis tyre të jenë “kopsitur” aq bukur.
Mollët e Leshnicës
Fundi i shtatorit dhe fillimi i muajit tetor është piku i prodhimit të mollëve. Në Leshnicë këto ditë i konsiderojnë “ditë të mollëve”, ku atyre u bëhen shërbimet e fundit nga ku janë të varura mbi degë, krijohen mjediset për të grumbulluar e sistemuar prodhimin dhe paralelisht punohet për t’i nisur në destinacionin e fundmë, tek konsumatori.
Fermeri që më shoqëron, Bashkim Pengu, është agronom me emër të mirë në të gjithë atë zonë. Dikur ai ka qenë specialist dhe ka drejtuar një ekonomi të madhe, një nga kooperativat që dallohej për prodhimin e rrushit dhe të frutave. Sigurisht mbreti ishte dhe mbetet molla. Sot toka është ndarë copa-copa dhe secili punon për vete. Veçse gati të gjithë fermerët e zonës merren me mbarështimin e pemëtarisë. Blloku me mollë, në pronësi të Bashkim Pengut,është mahnitës. Edhe ngastrat e tjera përreth, në pronësi të fermerëve leshnicarë, janë po kaq mbresëlënëse. Pemët janë të ngarkuara tej mase me fruta e që të gjitha së bashku të sjellin përpara syve pamje të rralla të stinës së vjeshtës. Edhe pse dikur jam marrë me kultivimin e mollëve në Skrapar, si mollët e Leshnicës nuk më kishte zënë syri. Blloku i madh me mijëra pemë, të mbushura dëng me kokrra të kuqe e të verdha, të krijonte përshtypjen se aty puna e njeriut kishte arritur majën e mrekullisë, atë që nuk e fantazon dot as imagjinata. Çdo rrënjë molle kish si ngarkesë më shumë se një kv fruta. I gjithë prodhimi është i cilësisë së parë. Aty, nëse do ta vendosnim veten në pozicionin e tregtarit apo konsumatorit të zakonshëm, nuk e gjen dot “kleçkën” të thuash “ky prodhim nuk i përgjigjet cilësisë e standardeve të larta që kërkon tregu”. Përkundrazi, mollët e prodhuara nga fermerët mjeshtra në mbarështimin të mollëve në Leshnicë e detyrojnë blerësin të përulet përpara asaj pune të bërë me aq kujdes e korrektësi.
Fermeri Bashkim Pengu përpiqet të na e shuajë kureshtjen sesi e ç’punë është bërë në kultivimin e mollëve, për rritjen e rendimentit për rrënjë dhe ruajtjen e standardeve në kërkesat ndaj cilësisë. Ai e përsërit fjalën punë, punë, punë deri në “bezdi”. E trajtojnë drurin e mollës me shumë kujdes, duke ia plotësuar të gjitha kërkesat, në të gjitha stinët. Trajtimi shumë më i kualifikuar fillon menjëherë pasi vilen frutat. Tani në muajin tetor. Me të hequr prodhimin fillon trajtimi stinor në mënyrë që pema të futet e përgatitur për dimër. Këtu qëndron edhe ajo “magjia” që u bëjnë mollëve që ato të prodhojnë çdo vit, absolutisht çdo vit. Në Leshnicë nuk njihet periodiciteti në prodhim, një vit plot e një vit bosh. Lavdia, e cila sa pa dalë në pension punonte si infermiere në fshat, thotë se molla, druri dhe frutat e saj, janë gjallesa, duhen mbajtur e trajtuar si të tilla. Drurin e pemës, të gjitha rrënjët një më një, i shikojnë në “dritë të syrit” edhe pse nuk kanë sy. Eshtë paksa e pabesueshme por në atë bllok të pafund mollët në ndonjë rast trajtoheshin edhe veçmas nëse shëndeti i ndonjërës paraqiste problem. Pra njohja dhe trajtimi bëhet në bllok, por edhe individualisht, pra rrënjë për rrënjë. Falë kësaj përkujdesje, këtij pasioni për të qenë shumë preciz në zbatimin e kodit agroteknik, pemët e ngarkuara me fruta e të maturuara plotësisht, të krijojnë përshtypjen sikur janë njëlloj, kopje të njëra tjetrës. Agronomi na thotë se ka qenë ëndërrimtar i madh në punën me mollën, qoftë në shtimin dhe ngritjen e blloqeve me trajtim intensiv, por dhe të shtimit të varieteteve më të mira të botës së prodhimit të frutave. Sipas tij varieteti Starkingu, Supergolden dhe Reneta vazhdojnë të mbretërojnë në shumëllojshmërinë që kultivohen sot për sot nga pemëtarët shqiptarë.
Mirë sëmundjet, po qeveria pse i ka frikë mollët?
Kur i vjen radha pyetjes sesi përballohet kjo punë voluminoze, me kërkesa të larta në trajtimin shkencor të pemëtarisë, fermeri Bashkim Pengu, me shumë marifet, mundohet t’i jap drejtim tjetër bisedës. Mollët tona more vëlla, bashkë me doktorët na kanë larguar edhe qeveritarët. Mirë doktorin nuk e njohim sepse konsumojmë mollë në 12 muaj të vitit, po qeveria pse na qëndron larg. Edhe pse shikoj tek ai burrë pamjen e njeriut që brenda vetes fsheh forcë, durim, por edhe pasionin për të arritur aty ku mendon, aty ku fshihet një ëndërr tjetër më e madhe, mundohem të zbuloj hallin që, mesa duket, atë e mundon shumë.
-Njerëzit ndryshojnë për dy arsye, fillon të filozofojë pak fermeri Bashkim Pengu: ose kur mësojnë shumë gjëra, ose kur lëndohen shumë. Për fat të keq timin, vijon bisedën ai, unë edhe kam mësuar shumë, një jetë të tërë, për mbarështimin e pemëve, por edhe jam lënduar shumë për sebep të prodhimit të pemëve.
Ai na tregon me hollësi për sikletin dhe vuajtjet që u shkakton tregtimi i frutave, por në veçanti mollët. I gjithë ai prodhim i mbarë, në sasi e cilësi, ashtu si çdo vit, rrezikohet t’u verë dëm, të mos gjejnë treg për ta shitur. Vetëm fshati Leshnicë, prodhimi i të gjithë fermerëve të marrë së bashku, shkon në mijëra e mijëra tonë mollë. Nga ana e organeve shtetërore, Ministria e Bujqësisë apo instancat më të ulëta në qark, rreth e njësitë administrative, nuk dëgjojnë fare nga ai vesh, gjë që ka shkaktuar depresion dhe dëme serioze, ndonjëherë të paparashikuara. Realisht aty nuk duhet të shkojë dëm asnjë kokërr mollë, qoftë edhe ai prodhim i grumbulluar për t’u hedhur si i pavlerë sepse mundësitë e përdorimit, sidomos në fushën e farmaceutikës, janë të shumta.
Por ky problem, i cili mbetet i pazgjidhur për vite e vite me radhë, mund t’i jepet fund vetëm me një investim në fushën e përpunimit të frutave. Nuk besojmë se përbën ndonjë kosto të madhe për qeverinë nëse kujtojmë milionat e eurove të grabitura, të vjedhura nga zyrtarët e lartë, fjala vjen në ndërtimin e rrugëve. Vetëm në fshatin Leshnicë janë hedhur në kanal qindra kv qershi, mollë dhe produkte të tjera bujqësore. Po se mos vetëm shteti! Sidomos me prodhimin e mollëve kanë abuzuar dhe vazhdojnë të luajnë për qejfin e tyre edhe tregtarët batakçinj të cilët përfitojnë nga mos funksionimi i shtetit.
-Çdo të bësh, si do ta heqësh gjithë këtë prodhim?-pyes fermerin.
Dhe gjuha atij i shkon aty ku dhemb dhëmbi. Ai tregon se për vitin e kaluar humbi disa miljonë lek ngaqë halli e zuri të mos ishte i vëmendshëm se me stilin tregtar kishte të bënte. Një nga këta faqezinj nga Kosova i kish marrë 50 kv mollë dhe lekët nuk ia dha kurrë. Më gënjeu qerratai, thotë i zhgënjyer fermeri. Ai i kish dhënë nr. e celularit, por edhe pse e kërkoi ditë e muaj me radhë, ai zë nuk u dëgjua ndonjëherë.
Arrë nga Izraeli
Meqë mollët nuk po dalin me fitim, madje në ndonjë rast edhe me humbje, fermerët e Leshnicës, ashtu si ata të kultivimit të patates në Kukës, po gjejnë rrugë e mundësi të tjera për ta zëvendësuar mollën me ndonjë drufrutor tjetër, më të leverdisshëm. Disi e pabesueshme, por Bashkim Pengu ka guxuar të kultivojë arrën me fidanë të importuar nga Izraeli. Ka dy vjet që i ka mbjellë dhe, sipas tij, shenjat janë shpresëdhënëse. Arrët e mbjella lëshuan fruta qysh vitin e parë, por specialist ua hoqi porsa u lidhën kokrrat, në muajt maj e fillimi qershorit. Ky veprim është shkencor, sepse ka si qëllim që druri i arrës të rritet më i shëndetshëm. Këtë marifet teknik e paska vënë në zbatim edhe vitin e dytë. Vitin e tretë, thotë ai me bindje të plotë, do të mar prodhimin e parë për të shkuar tek viti i shtatë në 100 kg për rrënjë. Për aq dru arre që ai ka mbjellë i binte që të ardhurat të shkonin jo më pak se 50 milionë lek në vit.
Leshnica e Pogradecit këto ditë vjeshtë është më e begatë, më e bukur, më shpresëdhënëse për banorët e saj. Begatinë, bukurinë ia shtojnë frutat: të rrushit, të mollëve, të ftonjve, të kopshtijeve të mbjella me lloj-lloj zarzavatesh të stinës. Por më shumë e bëjnë të jetë e tillë njerëzit e saj punëtorë e të mençëm, ata që përpara se të veprojnë, mendohen mire. Një hap i gabuar është me shumë zarar dhe shpesh i pariparueshëm.
