195 kg marijuanë janë sekuestruar në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme në aksin rrugor nacional Tepelenë – Memaliaj. Lënda narkotike e blerë në Lazarat kishte si destinacion përfundimtar Greqinë. Në kuadër të operacionit “Vjosa”, policia e Gjirokastrës vuri në pranga Genci Zumbulin, 31 vjeç, lindur dhe banues në Gjirokastër, i cili drejtonte automjetin tip Ford Focus me targa gjermane false MZ 616 BS, në brendësi të të cilit u gjetën 130 paku të mbushura me marijuanë. Lënda ishte ndarë në pjesë nga 1.5 kg, të cilat ishin mbështjellë me natriban transparent.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore ka rezultuar se ky shtetas e kishte blerë lëndën narkotike në fshatin Lazarat para disa ditësh dhe për të shmangur postbllokun e policisë në Ujin e Ftohtë Tepelenë e ka transportuar me krahë nga pylli i Ujit të Ftohtë duke e fshehur në pyll dhe mëngjesin e sotëm e ka ngarkuar në automjet për ta transportuar për në drejtim të Korçës me destinacion përfundimtar Greqinë.