Në tarracën e asaj që ka ngelur nga hotel “Vollga” në Durrës, Vlashent Sata, muzikantët e tjerë, ekipi që xhiron, të ngjajnë me lojtarët më të fortë të të gjitha kohërave: ata që luajnë mes pluhurit e gurëve në lagjet e vjetra, me këpucët njëri ndryshe, tjetri ndryshe, të gatshëm të thyejnë kockat në lojë, thjesht për pasion.
Vetëm që këta këtu, luajnë të gjithë bashkë, kundër askujt. “Vollga Live Session” është produkt i xhirimeve të realizuara pa dubla, pa montazh, pa grim, jashtë studiove, gjatë të cilave Vlashenti dhe muzikantët e tjerë luajnë live pesë nga këngët e tij. Janë 27 minuta për së gjalli! Ai tregon, ndjen, jeton e vuan! Dhe prandaj pasi e dëgjon për herë të parë, pasi ndjen bashkë me të, duhet të ndalosh pak për t’iu rikthyer atij paketimi të ngjeshur ndjenjash. Është e fortë dhe çliruese në të njëjtën kohë. Është e sigurt, gjithsesi, që nuk është një produkt për konsum të shpejtë.
Videoja është xhiruar prillin e kaluar, fill pasi koncerteve të Elina Dunit në Prishtinë e Tiranë, ku Vlashenti këndoi 4 krijime të tij me kitarë. Kur tha që donte të realizonte një projekt më të madh, nuk kishte pirë. Nuk ish as pranvera që në Tiranë vjen më shpejt sesa në Paris. Ishte muzika. Ishin njerëzit. E pa që ëndrra për të kënduar para një publiku të madh kishte jetë dhe në realitet. Dhe pse të priste më?! Si të priste?!
Me dëshirën për të realizuar një video për një këngë, takon Erfort Kuken e Kube Studios, një Romë, ku po e çonin në një farë mënyre të gjitha rrugët. Eri ishte shumë i gatshëm, por kishte një problem… “E kisha të vështirë të zgjidhja se cilën prej këngëve që kisha shkruar, do të realizoja me video. Nuk kam ditur kurrë të zgjedh”. Po këtë herë nuk ishte prej kësaj, nuk ishte as prej efektit anësor paralizues të lirisë për të zgjedhur “Ne nuk kemi qenë kurrë më të lirë sesa gjatë pushtimit gjerman”, ka thënë Sartri. Eri i propozoi të organizonte një mbrëmje muzikore, ku ai të këndonte, ndërsa stafi që do merrej më pas me realizimin e videos, të zgjidhte. Dhe zgjodhën: do të xhiroheshin të gjitha.
Vlashenti, që prej 13 vitesh jeton dhe punon në Paris. Dashuria e madhe për vendlindjen e tij nuk e ndan në asnjë moment nga ajo. Në këtë bisedë këngëtari tregon se do ta sjellë edhe albumin e tij të parë të titulluar “Hana”, me të cilin do t’i shfaqet publikut tiranas në prill të këtij viti, ku e veçanta e kësaj është se të gjitha përfitimet nga shitja e biletave të këtij koncerti do të shkojnë për bamirësi tek fëmijët jetim.
Vlashent, na trego pak më shumë rreth promovimit të videos “Live session@Vollga” ?
Këtë herë kam ardhur në Tiranë për promovimin e kësaj videoje, e para për mua. Vlashent Sata “Live session @ Vollga” që nga data 21 shkurt të 2015, shfaqet në kanalin tim në YouTube. Përveç kësaj do të fillojë transmetimi i kësaj videoje në variantin e saj të plotë, pra rreth 27 minuta dhe në variantin e disa prej këngëve që ajo përmban të shkëputura. Kjo, në disa televizione muzikore në Shqipëri, por edhe në Kosovë. Shpresoj edhe në Maqedoni, Mal të Zi, kudo ku jetojnë Shqiptarët.
Si lindi kjo ide dhe çka do të sjellë më konkretisht kjo video?
Ishte një koincidencë… Pas natës së parë të koncertit të Elina Dunit “Muza e Zezë” ku si i ftuari i Elinës unë luaja e këndoja këngët e krijimet e mija në pjesën e parë të tij, shumë persona u afruan duke më kërkuar albumin apo të tjera materiale që ato mund të merrnin me vete pas koncertit. U prit vërtetë shumë mirë. Ndër të tjera ndodh që një mik të vjetër që nuk e kisha takuar prej vitesh, të më thotë që “ti duhet patjetër të bësh një video dhe kam menduar për dikë që mund ta bëjë këtë punë shumë mirë…” Unë i them : “dakord por kam dëshirë ta realizoj këtë video vetëm me një djalë që nuk e njoh personalisht, por që më ka pëlqyer puna e tij…” Po flisnim të dy për të njëjtin person, Erfort Kuke “Kube Studios”. Ai e kontakton në telefon dhe merr vesh që Erfort Kuke, pasi kishte qenë në koncertin ku unë luaja një natë më parë, kërkonte numrin tim të kontaktit sepse kishte shumë dëshirë të më realizonte një video falas, vetëm me dëshirën e mirë, si një formë falënderimi për çka kishte marrë si ndjesi e emocion nga ai koncert. Sigurisht që të gjitha këto koincidenca nuk kishin si të mos shpreheshin me buzëqeshje kur ndodhi takimi jonë i përbashkët. Me pas Eri Kuke më pyeti cilën këngë ta bëjmë klip dhe unë i thashë zgjidh ti. Ai u mendua dhe tha : “atëherë të gjitha”, duke buzëqeshur. Kështu u regjistrua nga ora 13 deri në 4 të mëngjesit një ditë prilli të 2014-ës. Ideja ishte e “Kube Studios” për këtë live session, i pari në Shqipëri mesa me thanë, ku audio dhe video janë regjistruar bashkë live.
Përmban pesë këngë kjo video, cilat janë ato?
Këngët që janë në video janë “Ëmbël”, “Këmbëzbathur”, “Ëndërruar”, “Hana” dhe “Tregimi i Fluturës”.
Çfarë tematike kanë dhe çka ke dashur të paraqesësh?
Përgjithësisht në këngët e mija flas për jetën nga këndvështrimi im. Gjuha e përdorur përveç është gegnisht, mendoj se është gjuha që flenë më mirë në mua. Përveç kësaj, unë nuk flas në mënyrë direkt , pra ne gradin e parë të të shprehurit të gjuhës, por lë lirshmërinë që secili me përftimin e tekstit dhe legjendës së këngës të jetë i lirë të udhëtoj në ishujt e saj/tij. Historitë janë të ndryshme, njëra flet për një dashuri të pakushtëzuar që ëmbël e pa bërë zhurmë është gjithmonë pranë. Tjetra flet për dikë që duke qenë pa asnjë dysh në xhep mundet me e pa jetën e botën të bukur në çdo detaj. Më pas marria e një ëndërrimi që bënë të mundur çdo gjë, çdo kapërcim estetik apo pseudo pozicioni social për me realizuar dëshirën e madhe për me dashtë dikë, pa çka se nuk i përket të njëjtës “klase sociale” si pozicion. Apo pastaj dialogu me hënën që ka shumë simbolika brenda. Për të përfunduar me historinë e dashurisë së një fluture me një njeri ku secili do të ndërrojë pozicionin për të qenë sa më afër asaj/atij që donë.
Nga kush janë të punuara këngët?
Fabula , tekstet, muzika , interpretimi janë të punuara prej meje, por kam qenë i hapur të marr mendime edhe nga miqtë e bashkëpunuesit e mi më të afërt.
Në fund të kësaj bisede na trego për planet në të ardhmen?
Ky është vetëm një hap i parë i këtij viti. Tashmë kam përfunduar albumin tim të parë i gjithë në shqip në dialektin gegë. Albumin do të vij ta prezantoj në një koncert në Tiranë në fund të prillit. Shumë arte do të gërshetohen në të sepse këngëve i është menduar ti shoqërojnë video projeksione të ideuar e realizuara po nga “Kubes Studios”. Të gjitha fitimet nga shitja e biletave do të shkojnë për bamirësi për fëmijët jetimë. Është menduar që ti ofrohen instrumente e mësime muzike këtyre fëmijëve të cilët ndoshta me shumë se ndihmat materiale kanë nevojë për të tjera gjëra. Më pas projekti shkon në Prishtinë dhe regjistrojmë albumin atje. Kam dashur gjithmonë të krijoj ura lidhëse mes shqiptarëve dhe kjo po ndodh sërish për projektin e albumit tim. Muzikantët që marrin pjesë në këtë projekt janë nga më të mirët e dy kryeqyteteve shqiptare.. Unë këtë radhë do të luaj edhe në piano, instrumenti im i parë, sepse jam pedagog i pianos në Paris, aty ku jetoj prej 13 vitesh. Gjithashtu do të luaj edhe në kitarë përveç se interpretimit me zë.
Ti je nga Tirana por që jeton në Paris, çfarë sheh të përbashkët dhe çfarë kundërthënie në mes kulturave të këtyre dy vendeve?
E kam pak të vështirë të mund të bej krahasime sepse për mua krahasimi do të thotë që i jap rëndësi të ndryshme të dy vendeve, nga vij e ku jetoj. Është e vërtetë që kultura nuk është e njëjtë. Ne shqiptarët jemi ndoshta pak me spontan, me direkt, kurse kultura franceze filtron pak më shumë mendërisht, do me thënë që kontrollohen pak më shumë. Mendoj që kam marr zemrën e dritën e diellit të Shqipërisë dhe jam rrumbullakosur më shumë në mendim në Francë. Megjithatë e dini çfarë? E kam të vështirë të
them se ku jam e ku jetoj sepse shpesh jetoj në mendjen time. Dhe, stacioni që më pëlqen më shumë të ndaloj është një si tip “ishulli” ku janë të mbledhur të gjitha! Thjeshtësia, muzika, humori, hareja, dinamika e dashuria shqiptare dhe nga kultura franceze disponimi, durimi, qetësia dhe vlerësimi i gjërave. Megjithatë mundohem në çdo rast të marr e të jap më të mirën time.
Je pianist dhe profesor në Paris, sa e vështirë ishte të ndërtoje rrugëtimin e një artisti në një vend të huaj?
Është vështirë për të gjithë njerëzit që shkojnë në një vend tjetër mendoj, qofshin këta artistë apo jo. Ndoshta për një artist është më e lehtë të komunikoj sepse kemi mënyra pak me direkte, me universale. Ka pasur shumë vështirësi, por të them të drejtën jam munduar të mos i mbaj në plan të parë e kështu tani për shembull s’di të them që kanë qenë të pakalueshme. Bilës ndoshta them që s’kanë qenë edhe kaq shumë vështirësi. Kam pasur shume fat gjithashtu të njoh njerëz të thjeshtë e të mëdhenj, e që janë dhe artistë të mëdhenj. Gjë kjo, që nuk është e thënë të shkoj bashkë në çdo rast. Ne rrugëtimin tim kam gjetur mbështetjen e përkrahjen e tyre e kjo ma ka bërë rrugën më të thjeshtë.
Kthehesh shpesh në Tiranë?
Sigurisht Tirana është “çerdhja” ime aty ku e mbaj mend veten fëmijë e ku kam thurur ëndrrat e para. Më pëlqen të jap çka mundem për vendin tim e për shqiptarinë ku do qofsha unë.

Ky eshte peshk i gjithe..Hahahaaaaaaaaaa. Mjere muzika jone ne dore te kujt ka mbet.