Burra të mençur e atdhetarë, i janë gjendur kombit tonë në momentet më të rëndësishme të ekzistencës së tij. Një ndër ta, ka qenë dhe patrioti Ferit Vokopola, i cili me kontributin e tij, ka lozur një rrol parësor në disa nga ngjarjet e rëndësishme për fatet e vendit dhe të kombit tonë.
Ai ishte një figurë e mirëfilltë patriotike, pinjollë i një familjeje me tradita të hershme atdhetare, i cili kontribuoi jo vetëm në çështjen e Pavarësisë së vendit, por dhe në atë të shtetndërtimit, si dhe në formimin e djalërisë shqiptare dhe të besimtarëve myslimanë shqiptarë, nëpërmjet përkthimit shqip të xhevaireve të fesë dhe të kulturës së lashtë Islame dhe Persiane në Shqipëri.
Midis burrave të mençur dhe atdhetarë në Kuvendin Kombëtar të Vlorës për Pavarësinë e Shqipërisë më 28 nëntor 1912, u ndodh dhe djaloshi 25 vjeçar Ferit Vokopola, bashkë me Prijësin e tyre, Ismail Qemal Bej Vlorën.
Së bashku dhe me delegatët e tjerë të Beratit e Myzeqesë, ku shoqëroheshin dhe nga 17 patriotë të tjerë, ata u ndodhën në atë Kuvend të madh Atdhetar, që shpalli Pavarësinë e Shtetit të Parë Shqiptar. Ai për atë kohë, ishte nga intelektualët e formuar në shkollat jashtë atdheut. Ferit Vokopola studioi në Universitetin e Stambollit për drejtësi dhe ekonomi. Ishte politikan, ekonomist, teolog, poet, filozof dhe eseist. Në 28 Nëntor 1912 ai ishte në Vlorë me delegatët firmëtarë të Myzeqesë së Lushnjes, me Qemal Bej Mullain dhe Nebi Efendi Sefën. Aty u bashkua dhe me përfaqësuesit e tjerë të kryeqendrës së Beratit, Bab Dudë Karbunarën (Jorgji Tozhari), Iliaz Vrionin, Dhimitër Tutulanin dhe Dhimitër Beratin. Të gjithë këta firmëtarë të Aktit të Pavarësisë pjesëmarës të kësaj krahine. Në kujtimet e tij, midis të tjerave, atdhetari Vokopola shkruan:
-“U takuam me delegacionin e atdhetarëve të kryesuar nga plaku i urtë e i mençur i kombit, Ismail Qemal Beu, në zyrat e telegrafës së Fierit, ku ai interesohej për situatën e okupacionit dhe masat për ardhjen e përfaqësuesve të krahinave shqiptare drejtë Vlorës së Pavarësisë. Në ambjentet e telegrafës, më vjenë një telegram nga Nëna ime, që ishte e sëmurë me plevit tepër të rëndë dhe Ismail Beu kur e mori vesh më thotë:
-“Shko biri im në Berat, hallallosu me mëmën t’i marrësh uratën, e pastaj hajde në Vlorë me delegatët e Beratit”.
Duke e dëgjuar, unë i thashë, se jam nisur për Mëmën Shqipëri, e uratën kam me ia marr asaj. Ai më përgëzoi atërisht dhe më dha një përqafim që i buroi nga zemra dhe vura re se sytë e tij i kishte të lotuar! Së bashku nga Fieri u nisën për në Vlorë, në ato kohëra të vështira të atij dimri të ftohtë e të acartë. Atje agallarët e familjes Sharra, çelën shtëpinë dhe i pritën mysafirët me bujari të madhe”. (Gazeta “Përlindja e Shqypnijes”, viti i II-të, Nr. 6-7, datë 30 janar 1914).
Në 28 nëntor 1912, doli akti i shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë nën drejtimin e Ismail Qemal Bej Vlorës, ku ishte firmëtar dhe Ferit Vokopola së bashku me delegatët e Myzeqesë, të Beratit dhe të gjithë krahinave të Shqipërisë. Ky dokument u botua në gazetën “Përlindja e Shqypnijes”, organ i Qeverisë së Përkohëshme të Vlorës, që doli nën kujdesin e firmëtarit më të ri të atij Kuvendi, Ferit Vokopola.
Pa kaluar as një dekadë, patriotin Ferit Vokopola e shohim sërish në Lushnje të Myzeqesë, në Komisionin iniciator për thirrjen e Kongresit Historik të Lushnjes në janar 1920. Ishin momente të vështira që po kalonte kombi dhe vendi i ynë, ku ishte vënë në rrezik ekzistenca dhe coptimi i Shqipërisë midis shteteve fqinjë. Dhe atdhetarët e kombit u mblodhën sërish në Lushnje në atë Kuvend Historik, për t’i thënë ndal planeve të fuqive të mëdha dhe për t’i treguar botës, se ky vend ka zot pasardhësit e Skënderbeut, që janë gati të derdhin edhe gjakun e tyre në mbrojtje të trojeve të shenjta arbënore.
Në këtë Kongres, Ferit Vokopola ishte përfaqësues i popullit të Myzeqesë së Lushnjes, së bashku dhe me Sheh Ibrahim Karbunarën dhe Llazar Bozon. Ferit Vokopola, midis 53 përfaqësuesve atdhetarë nga mbarë trojet shqiptare, mbajti fjalën e hapjes së Kongresit, ku përshëndeti në emër të popullit të Myzeqesë. Për mbarëvajtjen e punimeve të Kongresit, ai u zgjodh sekretar i tij. Duke qenë dhe poet, ai shkroi dhe Himnin e Kongresit të Lushnjes:
Shpresa humbi, Atdheu ty po të thërret
t’a shpëtosh nga kjo natë,
bëhu i zoti në do që të rrosh në jetë
armikut jepi datë.
Në Lushnje u lind një diell,
Shqipëria lidhi besë,
dëgjoi bota, dëshmuan yjet në qiell
për ty o i larti Kongres.
Sikur tym e flakë të dal nga faqa e dheut,
shkrepëtimë të bjerë e flakë,
bëj detyrën që ke kundrejt atdheut
mos kurse as shpirt, as gjak….
Ky ishte patrioti e atdhetari Ferit Vokopola, i lindur në një familje të pasur atdhetare në Vokopolë të Beratit në 1887, i studiuar në Universitetin e Stambollit për drejtësi dhe ekonomi, i mbruajtur me një bagazh të gjithanshëm intelektual e patriotik. Ai në momentet më sublime, e më historike të kombit, u vu totalisht në shërbim të Atdheut.
Në veprimtarinë e tij, ky atdhetar u shqua dhe si intelektual i niveleve të larta, ku kontribuoi edhe si teolog, poet, filozof, dhe eseist. Në shtypin shqiptar të viteve 1920-30, ndriçoi pena e fuqishme e Ferit Vokopolës si njeri i letrave shqipe dhe figurë poliedrike e kohës. Në vitet 1920-28, u zgjodh deputet i Vlorës dhe në dhjetëvjeçarin më pas, deri në vitin 1939, ishte deputet i qarkut të Beratit në Myzeqe. Në vitet 1927-28, mbajti dhe postin e Ministrit të Bujqësisë në qeverinë e Ahmet Zogut.
Ferit Vokopola ishte me njohuri të gjera intelektuale. Ai shumë shpejt u bë përfaqësuesi më i shquar i misticizmit në Shqipëri, në gjysmën e parë të shekullit të XX-të, pas Rilindasve tanë të mëdhenj. Poezia e tij qëndronte në 3 përbës kryesor: njeriu, natyra dhe Zoti. Për ilustrim, po citoj një strofë nga poezia “Mbarështrimi i gjithësisë”, botuar në librin e tij “Fluturimi i shpirtit”.
“Si një gjë të vogël mos e kujto njerëzinë,
se në brendësinë e saj ka një botë,
rrezet e gjithësisë nga një pikë vijnë
dhe pastaj kthehen tek i madhi Zot!”
Me pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste në 1939, Ferit Vokopola u tërhoq nga jeta politike dhe administrata shtetërore, duke iu përkushtuar aktivitetit fetar. Në këtë kohë, ai themeloi në Tiranë organizatën fetare ”Drita Hyjnore”, që pati si organ revistën “Njeriu”, e cila doli rregullisht nga korriku 1942, deri në qershor 1944. Në këtë revistë ai botoi një pjesë të krijimeve të tij, ku shquhen në mënyrë të veçant, poezitë e tij simbolike me theks filozofik. Duke qënë njohës i mirë i mistikës islame, ai e përçoi këtë frymë pothuaj në të gjitha poezitë e tij. Kjo frymë ndihet sidomos në veprën e tij poetike, “Gjëmimi i Tomorrit”, si dhe përmbledhjes me vjersha, “Symbyllazi me ëndërrime” dhe vëllimin me poezi, “Fluturimet e shpirtit”.
Në shtypin shqiptar të viteve 1920-30 ndriçoi pena e fuqishme e tij, si njeri i letrave shqipe dhe figurë poliedrike e kohës. Në vitet 1920-28, Ferit Vokopola u zgjodh deputet i Vlorës dhe në dhjetëvjeçarin më pas deri në vitin 1939, ishte deputet i qarkut të Beratit që përfshinte dhe Myzeqenë. Në gjithë këto kohë, ai në bashkëpunim me Sali Vuçiternin e të tjerë, ishte një nga organizatorët kryesor dhe për themelimin e Komitetit Mysliman Shqiptarë dhe ka dhënë kontribut për ngritjen dhe të shkollës së Medresesë së Përgjithshme Myslimane të Tiranës.
Tirana ishte kryeqendra e Komunitetit Mysliman Shqiptar dhe këtu dilte revista, “Zani i Naltë”, që në vitin 1923. Kjo revistë letraro-kulturore, doli periodikisht deri në vitin 1938. Gjatë gjithë kësaj kohe, ajo u drejtua nga figura të shquara të kulturës shqiptare të asaj kohe si: Ferit Vokopola, Isa Domni dhe Ismail Maçi. Në këtë revistë, veç problemeve të kulturës, u publikuan dhe artikuj të karakterit laik. Në të u botuan kryevepra të gjenive të mendimit njerëzor si, “Njeriu dhe Universi”, “Kozmologjia përtej kaosit”, “Idealizmi dhe Materializmi”, “Edukimi modern”, “Teoria planetare” e tjera. Si një revistë e hapur kundrejt mendimit dhe fjalës së lirë, në të u botuan dhe ese filozofike me karakter fetar si trashëgimni e kulturës islame dhe konkretisht, “Dante dhe Islami”, “Njeriu dhe Feja”. “Pavdekshmëria e njeriut” e tjera. (Gazeta “Zëri Islam”, me autore Myzaljen Hoxha).
Ky kontribut i madh intelektual e filozofik i Ferit Vokopolës, e bënë atë një figurë të shquar të emancipimit e të zhvillimit kulturor të shoqërisë shqiptare në fillimet e shekullit të XX-të. Krahas tij, në këtë periudhë janë shquar dhe figura të tjera të kohës si: Hafiz Vehbi Dibra, Hafiz Ali Korrça, Sali Vuçiterni, Haki Sharofi, Mit’hat Frashëri, Ismet Dibra e tjerë.
Në revistën “Zani i Naltë”, Ferit Vokopola botoi dhe mjaftë ese filozofike si, “Problemi i Zotit e djallit”, “Verdikti i fatit”, “Morali dhe epshi i masave” e tjera. Po ashtu, ai botoi dhe studime në fushën e historisë së artit si, “Kuptimi i artit dhe kufijtë e tij”, “Shkrimtarët e letërsisë islamike në Shqipëri deri në fillimet e shekullit të XX-të” e tjera. Në këtë revistë, Ferit Vokopola botoi dhe shkrime të autorëve të shquar shqiptarë të atyre viteve si, Fan Noli, Faik Konica, Lasgush Poradeci, si dhe intelektualë më të rinj, Haki Stërmilli, Kristo Floqi, Filip Ndocaj, Vexhi Buharaja e tjerë.
Ferid Vokopola ishte dhe një përkthyes i talentuar i veprave nga osmanishtja dhe persishtja, gjuhë të cilat i zotëronte më së miri. Ai solli në shqip thesare të letërsisë e kulturës persiane në veçanti dhe asaj islame në përgjithësi. “Rubairat” e Omer Kajamit, u botuan për herë të parë në Tiranë në vitin 1942, vepër kjo në vargje prej 139 faqesh, përkthyer nga Hafiz Ali Korrça dhe me parathënie shkruar nga Ferit Vokopola. Kjo ishte një vepër fondamentaliste e kulturës perse, që vinte në shqip për herë të parë.
Ferit Vokopola në parathënien e kësaj vepre letrare shkruan: “Shtatë shekuj fjeti në hirin e harresës vepra e “Rubairave” të Omer Kajamit! Pra, s’dihej të çmohej prej një bote fanatike realiteti i jetës, që ai poet e filozof i shquar, ishte munduar të spjegonte jetën njerëzore në vargjet e tij të bukura”. Më tej, pasi bënë vlerësimet për veprën e Kajamit, Ferit Vokopola thotë: “Në vendin tonë ishte një e metë e madhe letrare, mospasja e këtij përkthimi në shqip, besnik i origjinalit të marr nga persishtja”. Përkthimi i poetëve Persë, nisi në fillimet e shekullit të XX-të dhe këtu një rrol të dorës së parë, kanë lozur dy përkthyesit e talentuar, Ferit Vokopola dhe Vexhi Buharaja, si njohës të shkëlqyer të persishtes.
Ferit Vokopola nxiti dhe frymëzoi me vendosmëri rrugën e reformimit të besimit islam në Shqipëri. Në vitet e para të shekullit të XX-të, ishte pjekur mendimi për të krijuar një shkollë të mesme fetare islame në Shqipëri me fizionomi bashkëkohore. Në grupin iniciator për ngritjen e kësaj shkolle ishin: Hafiz Vehbi Dibra, Sali Vuçiterni dhe intelektualët e shquar, Ferit Vokopola dhe Qamil Bala. Kjo shkollë u quajt “Medrese” dhe synonte përgatitjen e klerikëve islam, me njohuri të larta fetare, filozofike e shkencore.
Në mesin e shumë studiuesve të Kuranit, në mbarim të shekullit të XIX-të dhe fillimet e shekullit të XX-të, ndër më të përkushtuarit ishin, Ferit Vokopola, Hafiz Ali Korrça dhe Haxhi Vehbi Dibra. Këta studiues, padyshim bëjnë pjesë në bashkësinë e artë të stdiuesve të shquar shqiptarë të Kuranit. Ferit Vokopola punoi 10 vjet në përkthimin e këtij libri të shenjt islamik. Pushteti i kaluar komunist, për bindje politike e fetare, e burgosi Ferit Vokopolën për disa vite. Ai në qelitë e burgut, nuk ra në dëshpërim, e as në pesimizëm. Në kujtimet e tij ai shkruan: “Unë nuk jam as pesimist dhe as optimist, por mundësist”. Dhe kishte të drejtë, pasi mundësia vjenë vetëm me punë dhe përkushtim për të arritur vlerat e shoqërisë e të kombit.
I bindur në pikpamjet e tij islame, ai iu dedikua punës këmbëngulëse për përkthimin e Kuranit. Kur doli nga burgu, gjeti rreth e rrotull mjedise të tjera, larg lirisë së fjalës e të mendimit, kundërshtarë deri në armiqësi ndaj fesë. Në këto rrethana, i erdhën në ndihmë zotërimi i gjuhëve orientale të osmanishtes e persishtes, për të cilat iu afrua një punë si përkthyes e bashkëpuntor shkencor në Institutin e Historisë, ku kaloi vitet e pleqërisë, deri sa vdiq në vitin 1969, në moshën 82 vjeçare.
Vepra patriotike dhe intelektuale e këtij atdhetari, fletë vet. Ne mund të themi me tërë energjitë e mendjes dhe të shpirtit, se mesazhi që vepra e tij le pas është: “Nëse më shumë politikanë do njohin poezinë dhe më shumë poetë do njohin politikën, Shqipëria do ecte më e sigurt përpara dhe do ishte vendi më i mirë për të jetuar”.
Ferit Vokopola ishte një laik i angazhuar, meriton mirënjohjen e brezave si një nga gurët e çmuar të kurorës së patriotizmit shqiptar dhe qytetrimit beratas e myzeqarë, në gjirin e të cilëve ai lindi, u formua dhe u shërbeu gjithë jetën e tij.

Po Laik nuk ka qene derisa paska hapur medrese dhe ishte perkushtuar Islamit.Paska perkthyer dhe Kuranin.
Kete shkrim pa autor mund ta kete shkruar Jovan Bizhuti,Ylli Pollovina,Dhimiter Shtembari,Bashkim Koci,.
Nje gje beri mire beri enver hoxha,qe mbylli kisha xhamia,,ju vu drynin, te mire prej tyre nuk kemi patur.