Me pagesë të aftësisë së kufizuar do të trajtohen të gjithë personat, të cilëve u është kufizuar aftësia si pasojë e dëmtimeve fizike, shqisore, të intelektit, psikike-mendore, të lindura apo të fituara gjatë jetës nga aksidente, sëmundje të përkohshme apo të përhershme, por që nuk vijnë nga shkaqe që lidhen me punësimin (e vërtetuar kjo nga Komisioni Mjekësor i Caktimit të Aftësisë për Punë (KMCAP). Këtë lloj pagese e përfitojnë edhe të gjithë personat paraplegjikë e tetraplegjikë, të cilët deklarohen me vendim të KMCAP, se janë bërë të tillë, pavarësisht nga shkaku dhe mosha. Invalidët paraplegjikë dhe tetraplegjikë pajisen me dëshmi zyrtare identifikimi. Kriteret e dhënies së dëshmisë dhe forma e saj përcaktohen në rregulloren e Institutit të Sigurimeve Shoqërore dhe të Shërbimit Social Shtetëror
Vlerësimi i gjendjes mjekësore të personave me aftësi të kufizuara, bëhet nga Komisioni Mjekësor i Caktimit të Aftësisë për Punë, i cili është i ngritur dhe funksionon pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore, ku merr pjesë, si anëtar me të drejtë vote edhe mjeku, punonjës i Shërbimit Social Shtetëror. Autoritetet e Shërbimit Social Shtetëror sqarojnë se për personat që do të komisionohen për herë të parë, e drejta e përfitimit të kësaj pagese nuk nis menjëherë. Për këtë kategori bëhet e ditur se e drejta e marrjes së pagesës së aftësisë së kufizuar lind dy muaj pas marrjes së vendimit nga komisioni që do të jetë përfitues i këtij trajtimi.
Sipas kushteve të përcaktuara në ligjin përkatës, personat që kërkojnë të komisionohen për vlerësimin e aftësisë së kufizuar, duhet që të paraqesin në seksionet e ndihmës dhe të përkujdesjes shoqërore të bashkisë apo komunës që mbulon vendbanimin e tyre, dosjen e dokumenteve të përcaktuara. Për personat që plotësojnë kushtet e përfitimit dhe që ndjekin shkollën e mesme apo shkollën e lartë, me apo pa shkëputje nga puna, përveç dokumenteve të përgjithshme duhen dorëzuar edhe disa dokumente shtesë që konfirmojnë këtë gjë. Dosjen e plotë të dokumenteve që duhen në secilin rast e gjeni të detajuar në vijim të shkrimit.
Ndërkohë që për rastet në të cilat personat me aftësi të Kufizuara, të cilët, me vendim të komisioneve mjekësore të caktimit të aftësisë për punë, përcaktohen se kanë nevojë për përkujdesje, do të përfitojnë edhe shërbimin e një kujdestari me pagesë.
Janë një sërë rastesh në të cilat mund të merret vendim për ndërprerjen e dhënies së kësaj pagese. Sipas autoriteteve, përfitimi i pagesës nga personat me aftësi të kufizuar ndërpritet kur personi refuzon të kryejë ekzaminimet e kërkuara, kur dokumentacioni për rivlerësim nuk paraqitet sipas afateve të përcaktuara në rregulloret e organizimit të të drejtave, detyrave dhe funksionimit të komisioneve të vlerësimit, kur personi nuk paraqitet në komisionin epror dy herë radhazi dhe refuzon të kryejë ekzaminimet e kërkuara,mjekimin e rekomanduar, marrjen e shërbimit të rekomanduar;, kur vërtetohet që personi nuk është rezident në Shqipëri, kur personi ka qëndruar për më shumë se tre muaj jashtë Shqipërisë, me përjashtim të rasteve kur kjo ka ndodhur për arsye shëndetësore.
Dokumentacioni i nevojshëm që duhet të dorëzoni:
- Certifikatën e gjendjes familjare.
- Certifikatën personale me fotografi.
- Vendimin e mëparshëm të Komisionit Mjekësor të Caktimit të Aftësisë për Punë (KMCAP), i cili vërteton shkallën e aftësisë së kufizuar të personit.
- Fletëdrejtimin për në KMCAP, kur personi komisionohet për herë të parë.
- Epikrizën përcjellëse, sa herë rikomisionohet.
Dokumentet shtesë që duhen për shërbimin e përkujdesjes
- Certifikatën personale, me fotografi, të personit kujdestar.
- Deklaratën/vendimin gjyqësor, për kujdestarin e zgjedhur nga personi me aftësi të kufizuara.
- Raportin mjeko-ligjor, që vërteton se kujdestari është i aftë, fizikisht dhe mendërisht.
Dokumentet shtesë për personat që ndjekin studimet:
- Certifikatën e gjendjes familjare.
- Certifikatën personale me fotografi.
- Vendimin e mëparshëm të KMCAP-it, i cili vërteton shkallën e aftësisë së kufizuar të personit.
- Fletëdrejtimin për në KMCAP, kur personi komisionohet për herë të parë.
- Epikrizën përcjellëse, sa herë rikomisionohet.
- Vërtetimin e nënshkruar nga titullari dhe sekretari i shkollës, ku të shënohen: Emri i personit, që ndjek shkollën, lloji i arsimit që ndjek, ku përcaktohet, nëse është cikël shkollor normal ose i përsëritur, vitin shkollor.
- Vërtetimin e nënshkruar nga titullari dhe sekretari i shkollës për frekuentimin e shkollës nga personi përfitues (çdo tre muaj).
- Kopjen e noterizuar të dëftesës shkollore të çdo viti dhe kopjen e noterizuar të diplomës në mbarim të shkollës së mesme apo të lartë, si dhe kopje të dëshmive të kurseve të kualifikimit.
- Vërtetimin se ka shlyer detyrimet për çdo sezon, për shkollën e lartë, pa shkëputje nga puna.
