Vlerësimi i maturës, Ministria e Arsimit tender për sistem të ri elektronik

Dita

Kur debati për maturantët që kanë fituar apo mbetur jashtë universiteve vlon, Ministria e Arsimit ka hapur një tender që synon të ndryshojë sistemin elektronik të vlerësimit të tyre.

Sipas detajeve të bëra të ditura ndryshimi duhet të bëhet brenda dy muajve dhe lidhen me mënyrën e aplikimit dhe regjistrimit të aplikantëve në programet e studimit të ofruara nga IAL private dhe publike për vitin akademik 2016 – 2017.

“Si objektiv kryesor është kryerja e ndryshimeve të nevojshme në sistemin aktual, në mënyrë që të realizohen në kohë aplikimet me formularët e rinj, ku përfshihen IAL-të publike dhe private. Sqarojmë se IAL-ët private nuk janë përfshirë më parë në aplikimin me anë të portalit aktual”, thuhet në dokumentat e tenderit.

Por cilat aspekte të sistemit do ndryshojnë:

a) Hedhja e mjediseve, pikëve të provimit D3, si dhe gjenerimi i listave emërore dhe të sekretimit;

b) Modifikimi i formularit A1/A1Z;

c) Gjenerimin e raporteve të pikëve dhe raportit të pikëve sipas lëndëve;

d) Modifikimi i formularit A2 dhe A3, që tashmë nuk kanë lidhje me llogaritjen e pikëve, por janë dy formularë të ri aplikimi;

e) Procesi i regjistrimit të studentëve që shkëputen nga modulet aktuale, meqenëse fituesit nuk shpallen më nga sistemi;

f) Shtimi i një formulari të ri, për aplikimin e shtetasve të huaj dhe kuotat e tjera.

Sistemi i ri mundëson që secili nga Insiucionet e Arsimit të Lartë apo fakultet të kryejë rankimin sipas kritereve të tyre të maturantëve aplikantë, si dhe rreshtimin e fituesve sipër vijës së kuqe në varësi të kuotave të ofruara për atë program studimi, raporton Scan.

Regjistrimi i aplikantëve shkëputet nga listat e fituesve që shpallen sipas modelit të vjetër Meritë/Preferencë. Regjistrimin e fituesve e bëjnë sekretaritë mësimore.

“Një aplikant mund të regjistrohet nga ana e sekretarive arsimore vetëm në njërin nga programet e studimit ku ka aplikuar edhe nëse është fitues në më shumë se një program studimi. Në rast të kundërt i jepet njoftim nga sistemi që është i regjistruar në një program dhe nëse dëshiron mund të çregjistrohet nga i mëparshmi për t’u regjistruar në një program tjetër ku është shpallur fitues. E gjithë kjo procedurë regjistrim – çregjistrimesh do të zgjasë 7 ditë (zëvendëson regjistrimin online të viteve të mëparshme me të vetmin ndryshim që nuk bëhet nga kudo prej maturantëve por vetëm në sekretaritë mësimore të IAL”, thuhet në dokumentet e ministrisë.

Tender i ministrisë është hapur vetëm një ditë më parë dhe parashikon që ndryshimet të kryhen në një kohë sa më të shpejtë me një fond limit prej 4.1 milionë lekësh.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *