Vlerësimi i nxënësve dhe rreziku i fiktivitetit

Ornela

NGA DR. AIDA ZHUPA

Formulë

Arsimimi është patjetër çelësi i suksesit për ndërtimin e një të ardhme të sigurtë. Përmes tij, individi, jo vetëm përvetëson njohuritë dhe dijen që njerëzimi ka krijuar brez pas brezi, por edhe bëhet i vetëdijshëm për aftësitë e tij, ndërton pikëpamje dhe bindje, me qëllim përparimin e mëtejshëm. Dëgjojmë shpesh të debatohet mbi temën nëse është arsimi e vetmja rrugë që jep njohuri, si dhe për rëndësinë që merr praktika në ditët e sotme. Veçanërisht të rinjtë janë të prirur të besojnë disa modele që ofron koha sot, të cilët edhe pse nuk kanë shkollimin e duhur, kanë arritur të kenë një karrierë të  suksesshme apo të jenë të famshëm. Megjithëse janë shumë më të paktë në numër krahasuar me ata që ndjekin universitetet dhe realizohen çdo ditë në fusha të ndryshme, këto modele kanë një forcë të madhe tërheqëse tek adoleshentët, duke e zbehur deri diku besimin te shkolla. Bindja se arsimimi është rruga e duhur varet shumë, jo vetëm nga modelet shoqërore, por veçanërisht nga familja. Shkollimi i prindërve konsiderohet si një kapital kulturor, i cili trashëgohet më pas tek fëmijët. Shumë studime tregojnë një lidhje të qëndrueshme mes nivelit arsimor të prindërve dhe rezultateve në mësime të fëmijëve. Disa prej analizave statistikore, raportojnë se rreth 65% e nxënësve që kanë njërin nga prindërit me arsim të lartë, kanë rezultate të mira ose shumë të mira në mësime. Por dëshira e mirë e prindërve për rezultate të larta në shkollë, kthehet në burim problemesh sociale dhe psikologjike për fëmijët.

Është fakt se më tepër janë trajtuar problematika që lidhen me nxënësit që kanë rezultate jo të kënaqshme në mësime dhe shumë rrallë trajtohet ana tjetër, që është po aq e rëndësishme. Kjo lidhet me metodën e edukimit që disa prindër përdorin, duke ushqyer te fëmijët e tyre një lloj varësie nga vlerësimet maksimale, më saktë nga nota 10-të. Të nisesh nga një parim i tillë, cilido qoftë qëllimi, do të thotë ta vendosësh fëmijën ose adoleshentin përballë një sfide të vështirë dhe shpesh të pamundur. Fëmijët kanë nevojë vërtetë për modelin e prindërve, për motivimin e tyre, por deri aty sa nuk frenojnë rrugëtimin e tyre të vërtetë, dëshirat dhe pasionet, atë që ndjejnë se e bëjnë më mirë dhe se janë të aftë ta bëjnë. Fuqia bindëse e prindërve është shumë e madhe, si rezultat i moshës dhe përvojës që ata kanë, sa që nganjëherë fëmijët nuk arijnë ta ndajnë dëshirën e tyre nga ajo e prindërve. Deklaratat se ata ngjajnë me njërin prind dhe duhet të ndjekin rrugën e tij, e largojnë fëmijën nga talenti dhe pasioni i vërtetë, që shfaqet në forma origjinale dhe unike, pavarësisht ngjashmërive gjenetike. Gjithkush ka një botë të tijën përmes të cilës ndjen dhe percepton atë që ka brenda vetes dhe rreth tij. Për këtë arsye, nuk mund të themi me siguri se fëmijët tanë janë dakord me ato që themi dhe ju mësojmë. Ata kanë mënyrën e tyre të të kuptuarit dhe marrin atë që është më e përshtatshme për ta, duke “e përkthyer në gjuhën e tyre”. Prandaj reagimet që kanë, në shumë raste, janë të çuditshme për prindërit dhe jo rrallë ata ndjehen të fyer nga kjo sjellje, që e cilësojnë si mosmirënjohje. Sigurisht që ata nuk e kuptojnë që këto reagime, shpesh agresive, vijnë për shkak të mospërputhjes mes dëshirave që ata kanë dhe atyre çfarë prindërit iu kërkojnë. Në fakt duhet të shqetësohemi për të kundërtën, nëse fëmijët nuk reagojnë. Kjo tregon se presioni i prindërve iu ka kufizuar mënyrën e të menduarit dhe të vepruarit, duke besuar verbërisht se ato çka u thonë prindërit janë të pakundërshtueshme. Këta fëmijë nuk mendojnë më me mëndjen e tyre, por me atë të një personi të rritur, duke marrë të mirëqenë gjithçka që iu thuhet. Kështu kthehen gradualisht në njerëz të palumtur, shpesh të pavërtetë, shumë pak ose aspak socialë. Kërkojnë gjithmonë të arrijnë modelin që prindërit iu kanë servirur të gatshëm, pa qenë në gjendje të reagojnë dhe të shfaqin vlerat e tyre. Të edukosh fëmijën do të thotë ta mësosh, duke krijuar dhe respektuar hapësirën e tij.

Është kjo kategori nxënësish, që kërkon medoemos rezultate të shkëlqyera, maksimale, çdo ditë, në çdo lëndë, gjë që është në mos e pamundur, tejet e vështirë dhe që i kthehet fëmijës në një sfidë të përhershme për të qenë më i miri. Vlerësimi në shkollë prek një fushë të gjerë interesash. Ai ka ndikim jo vetëm në pozicionimin e nxënësve në shoqëri dhe karrierën e tyre të ardhshme. Vlerësimi në shkollë ka ndikim në aspekte të tjera, shumë më të rëndësishme, që lidhen me imazhin dhe vlerësimin që ka secili për aftësitë e veta. Sistemi i vlerësimit përfshin, jo vetëm nivelin e përgatitjes teorike, por edhe aspektin social, pra aftësinë për të bashkëpunuar me të tjerët dhe për të punuar në grup. Sigurisht, nota është individuale dhe secili ka të drejtë të konkurrojë përmes saj, duke bërë dallimin nga të tjerët. Por, në shumicën e rasteve, këta fëmijë të edukuar për të qenë gjithmonë të parët, edhe kur nuk e meritojnë, bëhen egoistë dhe individualistë, të paaftë për të ndihmuar shokët. Zakonisht, nxënësit, por edhe prindërit, nuk arrijnë t’i kuptojnë strategjitë e ndryshme të vlerësimit të mësuesve të tyre dhe e kanë të vështirë të zbulojnë se çfarë nënkupton nota e marrë. Përmbajtja e notës është shumëdimensionale, po ashtu sikurse dhe hapësira për interpretimin e saj. Megjithatë notat sipas një vlerësimi të arritjeve të të nxënit, nuk janë tregues të mjaftueshëm për suksesin e ardhshëm në studime, prandaj nuk duhet që nxënësit dhe prindërit të matin gjithçka me anë të notës. Shprehja se “…nuk duhet të mësojmë për notë, por për dije”, qëndron në çdo sistem. Dija e vërtetë, edhe pse mund të mos jetë vlerësuar dikur me notën 10-të, është e qëndrueshme në kohë dhe në shumicën e rasteve thellohet në vite.

Një problem tjetër rezulton se, duke studiuar për të gjitha lëndët njëlloj, me të njëjtin përkushtim, fëmijëve nuk iu mbetet kohë për t’u marrë me pasionet e vërteta të tyre, ato që iu zhvillojnë krijimtarinë dhe mendimin kritik, që aq rrallë e ndeshim sot te nxënësit. Duke synuar vetëm rezultatin me çdo mjet, nota kthehet në qëllim në vetvete, ndërsa të mësuarit për dije humbet rëndësinë. Janë pikërisht këto rezultate që nuk do t’u shërbejnë aspak në universitet, në degën që kanë vendosur të profilizohen. Ata do të gjenden përballë të papriturave, pasi duke rendur pas 10-tave në të gjitha lëndët, nuk kanë patur kohën e duhur të përqëndrohen në fushën, që është dëshira dhe pasioni i tyre. Të gjitha këto mospërputhje iu shkaktojnë probleme të rënda psikologjike, ata mund të vuajnë nga kriza identiteti, ankthi dhe paniku ose më keq akoma, iu mungon dëshira për t’i shkuar gjërave deri në fund dhe duke mos patur interesa shkojnë drejt depresionit. Shpesh bëhen objekt i bullizmit dhe humbasin orientimin që i lidh me njerëzit dhe dinamikën e jetës. Problemet lindin që në moshë më të vogël dhe bëhen të dukshme në universitete, ku një pjesë e mirë e këtyre fëmijëve, të mbushur me ëndrrat e prindërve nuk ia dalin dot ta përfundojnë arsimimin, sepse në fund të fundit nuk ka qenë dëshira e tyre.

Të rritësh dhe të edukosh fëmijët gjithmonë dhe në çdo kohë ka qenë një detyrë e vështirë, por jo një mision i pamundur. Kjo do të thotë të rritesh bashkë me fëmijën, të mësosh prej tyre, t’i lexosh mendimet dhe ndjenjat, pa ushtruar presion të panevojshëm dhe të dëmshëm. Çdo individ është i aftë të gjej veten e tij, nëse është i lirë të ecë në një rrugë të ndriçuar.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *