Me marrjen edhe të katër futbollistëve të tjerë dje, në ditën e fundit të merkatos së verës, numri i blerjeve te Vllaznia ka shkuar në plot 12. Që do të thotë se drejtuesit e këtij klubi kanë blerë më tepër se një formacion dhe kjo natyrisht që e ka shndërruar këtë skuadër në diçka krejt tjetër në krahasim me pak muaj më parë. Megjithatë, ajo që ende nuk kemi mësuar është se cili do të jetë pretendimi i kuqebluve në sezonin e ri. Deri në këto momente ende nuk kemi asnjë prononcim as të drejtuesve të klubit dhe as të trajnerit Zmijani për këtë çështje.
Objektivi mund të shpallet në ditët në vijim, por specialistë të ndryshëm futbolli në Shkodër shprehen se me marrjen e gjithë këtyre lojtarëve, minimumi i asaj që do të kërkojë Vllaznia duhet të jetë një vend në Kupat e Europës. Dhe në fakt, klubi, si rrallëherë, ia ka plotësuar të gjitha dëshirat trajnerit. Ndoshta skuadra ka pak mangësi vetëm në repartin e mbrojtjes, por në gjithë të tjerët është “e blinduar” me lojtarë. Kështu, në portë është malazezi Dragojeviç dhe i riu Sherri, ndërkohë që shpejt do të rikuperohet nga operacioni që ka kaluar edhe Selimaj.
Në mbrojtje janë tre të ardhurit, malazezi Cicmil, kosovari Haxhaj dhe beratasi Arbri, ndërsa janë edhe shkodranët Marku, Hakaj, Gurishta, Pjeshka, Borshi e Ruqi. Në mesfushë ka jo pak alternativa. Duke filluar nga katër blerjet e bëra, ato të kosovarëve Ahmeti e Lushtaku, të tiranasit Sefa dhe të serbo- bosnjakut Haxhibuliç. Pa lënë mënjanë edhe Bardullën, Krymin, Shtubinën, Kapaklijën, Dycën dhe Kalajën. Ky i fundit do kthehet shpejt pas dëmtimit që ka patur.
Ndërkohë, edhe sulmi ka jo pak alternativa, me uruguajanin Sosa, paraguajanin Martinez, malazezin Paviçeviç dhe libanezin Kdouh, si dhe me të riun shkodran Çinari. Këto janë 25 futbollistët që do të përfaqësojnë Vllazninë në sezonin e ri dhe kuptohet që përgjegjësia e tyre do jetë e madhe për të arritur rezultatet që jo vetëm drejtuesit e klubit duan, por mbi të gjitha të tifozëve që janë të etur për ta parë këtë skuadër të shkojë drejt suksesit. A do munden kuqeblutë të jenë pretendentë në sezonin e ri? Për këtë duhet të presim.
