Vllaznia bën mrekullinë, mposht Teutën në Durrës

redaktor

Vllaznia regjistroi një sukses me peshë në transfertë ndaj Teutës. Skuadra shkodrane mundi 1-0 durrsakët në “Niko Dovana” me një gol të Krujës në pjesën e dytë, që po konfirmohet dhe këtë vit si lider i kuqebluve duke i dhuruar dhe trajnerit Rainieri fitoren e parë në Shqipëri.

Si Teuta ashtu dhe Vllaznia kishin humbur 2-1 ndeshjet e para me Flamurtarin dhe Kukësin dhe kërkonin të merrnin fitoren e parë në kampionat megjithatë fillimi në fushë diktonte pak drejt një ndeshje sulmuese. Të dyja skuadrat, që kanë bërë ndryshime të rëndësishme këtë verë e nisën shumë ngadalë takimin duke u treguar shumë të kujdesshme, aq më tepër që dhe loja nuk arriti të ngjitej në nivel. Në të 23-tën, Alis Baci provoi nga distanca por goditja e tij ishte mbi traversë. Takimi ishte më i luftuar në mesfushë, dhe në të 39-ën, Nika e Shala u përplasën me këmbë e me duar mes tyre duke u ndëshkuar me të verdhë nga kryesori Kridens Meta.

Në fundin e pjesës së parë, Shtubina zbriti mirë në krah por Hajdari nuk mundi dot të mbërrinte harkimin e tij. Skuadra e Hasan Likës ndryshoi ritmin në fillimin e fraksionit të dytë duke u përpjekur të ishte më e rrezikshme në portën shkodrane. Në të 49-ën, Gocaj ndërhyri saktë me kokë por në rrëzim e sipër mbështeti keq këmbën, gjithsesi pa pasoja. Në të 56-ën, Rustem Hoxha provoi nga jashtë zone por jo brenda kuadratit. Në të 62-ën, durrsakët ishin sërish të rrezikshëm por Pepa nuk mbërriti dot në kohën e duhur te topi. Vllaznia më në fund u shfaq para portës së Rizvanit në të 64-ën, por portieri i Teutës bëri mrekullinë duke mos lejuar prekjen e rrjetës. Gjithsesi Rizvani nuk mund të bënte asgjë në minutën e 75-të, kur Arsid Kruja pas një driblimi goditi menjëherë brenda në zonë duke kaluar në avantazh shkodranët, me trajnerin Rainieri që nuk e mbante më vendi në stol.

Teuta u përpoq të arrinte te barazimi por shkodranët u mbyllën mirë mbrapa duke ruajtur deri në fund fitoren e parë në kampionat që e ngjisin tani në kuotën e zero pikëve, duke qenë se e nisën kampionat me -3 pikë penalizim, ndërsa për Teutën fillimi po rezulton më i vështirë seç pritej.

Share This Article
2 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *