Vllaznia rinis rrugëtimin nga Armando Cungu. Presidenca e klubit shkodran konfirmon stafin e sezonit të kaluar, duke vazhduar projektin e nisur vetëm disa muaj më parë.
Është vetë klubi kuqeblu që konfirmon arritjen e marrëveshjes me trajnerin Cungu dhe stafin e tij, duke theksuar se edhe ndihmësit e tij, Aleksandar Madzar e Avenir Dani do të vazhdojnë punën për drejtimin e skuadrës edhe në sezonin e ri.
Ky është një sinjal i rëndësishëm nga ana e Bashkisë së Shkodrës që ka pjesën më të madhe të aksioneve, pasi trajneri kishte kërkuar garanci për investime në të ardhmen dhe mesa duket, Vllaznia do të jetë agresive në merkato për të ndërtuar një skuadër cilësore.
Cungu edhe pse ishte figura simbol e skuadrës gjatë muajve të vështirë të luftës për mbijetesë, nuk kishte pranuar të vazhdonte në këtë rrugë. Objektivi kryesor i trajnerit në merkato është sulmuesi malazez i Laçit, Marko Cetkovic.
Gjithsesi, lista e dëshirave të Cungut është e gjatë pasi bien në sy edhe disa lojtarë shkodranë që aktivizohen në Kategorinë Superiore.
