Edhe pse jo matematikisht, mbijetesa mund të quhet një objektiv i arritur për Vllazninë, falë triumfit 1-0 në “Loro Boriçi” kundër Teutës, që vinte e favorizuar nga shifrat e përballjeve mes këtyre dy skuadrave këtë sezon. Me këto 3 pikë të çmuara, shkodranët e udhëhequr nga Zmijani janë shkëputur edhe më shumë nga zona e ftohtë, ndërkohë që kanë komplikuar situatën e durrsakëve për pjesën e mbetur të sezonit.
Pjesa e parë nisi me lojë të kujdesshme nga të dyja skuadrat, aq sa për kërcënimin e parë duhet të kalonin 9 minuta me dy goditje këndi të njëpasnjëshme që gjithsesi nuk e cënuan portën e Selimajt. Në minutën e 12 është radha e shkodranëve që kërcënojnë me Shtubinën që kthen topin prapa te çinari, por ky i fundit e çon mbi traversë. Mes lojës të përqendruar në mesfushë, Teuta përpiqet të gjejë hapësira për t’u hedhur në kundërsulme (min 19 dhe 22) me Kastratin e Nikën që testojnë vigjilencën e portierit Selimaj nga distanca. Në Loro Boriçi, atmosfera bëhet edhe më e ndezur në minutat e fundit të pjesës së parë, ku Shtubina merr një karton të panevojshëm për protestë ndaj gjyqtarit (min. 45) në momentin e një goditje të lirë me topin që ndalet nga muri i durrsakëve. Gjithsesi është sërish Shtubina protagonist në golin e avantazhit të kuqebluve. Mes rrëmujës në portën e Teutës, Rizvani përpiqet të largojë topin prej tij por gabon duke e devijuar prapa krahëve dhe duke i bërë kështu një dhuratë që vlen shumë për shkodranët.
45 minutat e dyta të takimit në “Loro Boriçi” nisën me ndryshime në formacionin e Teutës. Trajneri Begeja largoi Peposhin dhe në vend të tij futi në fushë Koreshin. Loja vazhdoi e qetë me shkodranët që ishin më kontrollues falë avantazhit. Për të ruajtur freskinë, Zmijani vendosi të bëjë dy ndryshime të njëpasnjëshme në minutat 65 e 66. Momenti kulminant në minutat e mbetura u shënua me ndërhyrjen e Koreshit nga prapa kundërshtarit duke shkaktuar një penallti. Gilman Lika vendoset përballë Rizvanit por e çon dëm këtë rast të artë duke goditur shtyllën. Sfida përfundon me Zmijanin që regjistron triumfin e dytë në stolin e Vllaznisë, ndërsa për Teutën kjo është disfata e dytë sezonale përballë ekipit shkodran.

Ne Shkoder duhet stadium i ri , Bashki e re dhe Vllazni e re .