Vllaznia në krizë totale, e mund Teuta në Shkodër

redaktor

Nuk ka fund kriza e Vllaznisë. Skuadrën shkodrane nuk e ndihmoi as kthimi pas shtatë muajsh në shtëpi për të rigjetur fitoren në kampionat.

Ndaj Teutës në “Reshit Rusi”, vendosi një gol i shënuar me 11-metërsh nga Hodo, pas një vendimi të gjyqtarit Sadiku që u kontestua ashpër nga vendasit.

Edhe pse Vllaznia luante në Shkodër tifozët vendas nuk e mbushën në kapacitet të plotë “Reshit Rusin”, kur edhe rrjeta e njërës prej portave kishte nevojë për rregullim para se gjyqtari të sinjalizonte nisjen e takimit.

Në mungese të uruguaianit Sosa, Grima i besoi një fanellë titullari në fazën sulmuese Paveçeviçit, ndërsa në vend të Krymit u aktivizua Haxhibuliç.

Vllaznia iu afrohet rrezikshëm zonës së Teutës pa u mbushur një minutë loje, teksa tentativa me roveshatë e Kalajës, u kontrollua pa shumë probleme nga Moçka.

Loja u ndërpre për disa minuta kur ishte mbushur çerekore lojë për t’u ardhur në ndihmë Haxhibuliçit të Vllaznisë dhe Bruno Ditës së Teutës, të cilët u dëmtuan në një dyluftim ajror.

Grima detyrohet të bëjë një ndërrim duke aktivizuar Kapaklijën në vend të Haxhibuliç.

Në të 22-ën, në zhvillimet e një rivënie anësore Musta nuk e shënjestroi si duhet portën vetëm pak metra larg vijës fatale. 4 minuta më pas një aksion i shpejtë nga e djathta e sulmit të Vllaznisë nuk u finalizua si duhet nga Arbëri, që goditi jashtë.

Në minutën e 35 -të rreziku u zhvendos në portën e Vllaznisë, ku Dragojeviç duhej të ndërhynte me këmbë për të neutralizuar goditjen e Maganit.

Pjesa e parë u mbyll me rrjeta të paprekura, por në fraksionin e dytë pikërisht në të 54-ën, Teuta fitoi një 11-metërsh pas rrëzimit në zonë të Shkallës. Nuk ka asnjë dyshim gjyqtari Sadiku, i cili ndëshkon me karton të verdhë tre futbollistë të Vllazninë për protestë. Goditjen nga pika e bardhë e mori përsipër Hodo, me Dragojeviç, që nuk i kupton as krahun futbollistit durrsak.

Goli i shënuar i dha qetësi skuadrës durrsake, ndërsa kuqeblutë ishin të paqartë në fazën sulmuese. Në minutën e 75-të Grima hodhi në fushë sulmuesin Martinez në vend të Kalajës, por asgjë nuk ndryshoi deri në vërshëllimën e fundit të gjyqtarit Sadiku, pavarësisht se Vllaznia ishte e pafat në të 86-ën, kur goditja me kokë e Paviçeviç u devijua vështirësi nga Moçka.

Me këtë humbje Vllaznia e komplikon edhe më shumë situatën në tabelën e renditjes, pasi kjo disfatë e zbret në vendin e fundit, me vetëm 5 pikë në 11 ndeshje.

 

Share This Article
2 Comments
  • Keshtu e ka kjo pune kur nuk marrin ndonji lojtar nga ndonji familje tjeter por te gjithe vellazen te nji familje.Nuk shkon.Kjo asht te familjarizosh egon per veten.Peson dhe humbjet.

  • Sa te jete bashkia e PDse qe mbahet me vota te vjedhura , vllaznia do te tjetersohet grim nga nje grim nga hajdutet Grima e Kalamishi me blerje lojtaresh skarco e me largimin e yjeve qe shkelqejne ne superlige , Shikoni se çfar thoshte Grima para nje muaji dhe çfar thot mbas humbjes se fundit do te shikoni se çfar do te thote kur te dalin ne kat .. e pare se kte premtim pati ba edhe kryebashkiakja .

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *