Në janar, Bashkia do të diskutojë marrjen në administrim nga 5 biznesmenë
Këshilli Bashkiak i Shkodrës ka vendosur të shtyjë në një mbledhje të veçantë çështjen e dhënies në përdorim të KF Vllaznia sh.a. Sipas faqes së klubit shkodran në internet, vllaznia.al, kjo mbledhje kishte në rendin e ditës shqyrtimin e kërkesës së pesë biznesmenëve shkodranë për të marrë në përdorim KF Vllaznia sh.a., shoqëri aksionare me 100% të aksioneve në zotërim të Bashkisë së Shkodrës. Në rendin e ditës ishte parashikuar ndryshimi i statutit të shoqërisë aksionare, duke nisur me Këshillin Mbikëqyrës, i cili duhej të zëvendësohej nga një Këshill Administrativ. Këshilli duhet të kishte në përbërje 5 biznesmenët: Agron Cela, Paulin Radovani, Xhevdet Amuli, Ylvi Mashi dhe Flamur Hoxha, të cilëve pritej t’u bashkëngjiteshin edhe dy këshilltarë të tjerë, sipas gjasave kryetari i Komisionit të Sporteve, Xhemal Bushati, dhe këshilltari Nik Kodra. Këshilli Administrativ tani e tutje duhet të marrë në administrim Vllazninë dhe jo thjesht ta mbikëqyrë atë. Në krye të klubit do të vijojë të jetë administratori, i cili mund të zgjidhet nga radhët e vetë këshillit, ose do ta vijonte këtë detyrë administratori aktual Fatos Gjyrezi, i cili ka marrë mbështetjen publike të grupit të biznesmenëve. Kjo çështje do të diskutohej në mbledhjen e parë të Këshillit Administrativ, i cili do të duhej të zgjidhte edhe kryetarin e tij. Pavarësisht se ligjërisht, termi president klubi nuk ekziston, funksionin e tij do të duhej ta kryente kryetari i zgjedhur i Këshillit Administrativ. Ky i fundit do të ndërtonte edhe strukturën e menaxhimit të përditshëm të klubit, si në nivelin e administrimit, ashtu edhe në pjesën sportive. Buxheti i parashikuar për një vit kalendarik me këtë projekt është 45.000.000 lekë, nga të cilat 20.000.000 nga Bashkia e Shkodrës dhe pjesa tjetër nga grupi i biznesmenëve. Në janar, bashkia duhet të hedhë e para 10 milionë lekë dhe pjesën tjetër në fund të 6-mujorit të parë të vitit 2013. Të gjitha këto detaje kanë qenë pjesë e projektit, i cili u shty për shqyrtim dhe miratim në mbledhjen e ardhshme, atë të 9 janarit 2013.