Vllaznia-Tirana, sot do luhet derbi i Shqipërisë

redaktor

Kategoria Superiore rezervon këtë të enjte dy sfidat e fundit të javës së 3-të, ku emocionet dhe spektakli në fushën e blertë janë të garantuara. Në “Loro Borici” të Shkodrës luhet derbi i Shqipërisë Vllaznia – Tirana, një sfidë tradicionale që ka patur çfarë të ofrojë edhe kur të dy klubet më të vjetra të Shqipërisë po përjetonin momente të vështira, sikurse ndodhi në fund të sezonit të kaluar. Si shkodranët ashtu edhe kryeqytetasit vijnë me moral të lartë në këtë sfidë, pas fitoreve respektive në javën e dytë ndaj Teutës dhe Flamurtarit. Ndërprerja e kampionatit për shkak të angazhimit të kombëtares në eliminatoret e Europianit i ka dhënë më shumë kohë trajnerit Baldo Raineri për të perfeksionuar ingranazhet e ekipit të tij, teksa ditët e fundit ka patur në dispozicion edhe futbollistët e huaj që u federuan në momentin e fundit. Përtej entuziazmit të dy fitoreve të para, trajneri Gugash Magani duhet t’i bëjë llogaritë pa dy pika të forta të skuadrës së tij, Ndikumana dhe Morina, që u ndëshkuan me karton të kuq ndaj Flamurtarit, megjithatë trajneri peqinas mund ta kthejë pa problem kokën nga pankina, ku ka alternativa të besueshme për t’i hedhur në fushë që nga minuta e parë.

Me shumë interes pritet edhe sfida tjetër, Partizani – Skënderbeu. Një provë e vështirë për të kuqtë e trajnerit Shpëtim Duro, që nuk e kanë nisur aspak mirë sezonin, teksa në dy ndeshje në transfertë ndaj Laçit dhe Apolonisë kanë grumbulluar vetëm 1 pikë. Kampionët në fuqi të Superiores udhëtojnë drejt kryeqytetit me objektivin e vetëm fitoren, për të nisur shkëputjen në krye të klasifikimit, një mision ky I vështirë duke parë edhe rivalitetin e fortë mes skuadrave pretendente.

15 herë kampionët e Shqipërisë kanë llogari të hapura me të besuarit e Mirel Josës, që në javën e parafundit të sezonit të kaluar i mposhtën kryeqytetasit brenda në “Qemal Stafa”, për t’i nxjerrë jashtë Europës. Përballja me Skënderbeun është edhe një test besimi për tifozërinë e kuqe, që pavarësisht startit të gabuar, pret reagimin e skuadrës me rivalin më të fortë për titull.

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *