Sigurisht, nuk është nevoja të presësh verën që të shkosh në Vlorë. Sepse turizmi në këtë qytet zhvillohet gjatë gjithë vitit. Por ja që tani është vere dhe të pushosh në vijën bregdetare të Vlorës është diçka që me të vërtetë ja vlen; një nga zgjedhjet që duhet t’i merrni në konsideratë. Por le ta fillojmë me diçka përtej plazhit dhe zhytjeve në ujin Kristal të vijës bregdetare që fillon nga Uji i Ftohtё e deri në Orikum, madje, ndoshta edhe mё tej… në Pashaliman.
…jemi në vendin ku Adriatiku bashkohet me Jonin… dhe do t’ia nisnim me legjendën e detit të kthjellët si Kristal:
Joni është një det i mrekullueshëm që shtrihet nga gjiri i Çamërisë deri në Karaburun. E ka marrë emrin nga Jona, një vajzë e bukur ilire. Vite e vite ajo priti të shoqin t’i kthehej nga mërgimi. Ngjitej mbi një shkёmb, e duke parë horizontin mendonte për të. E hidhëruar që horizonti si jepte asnjë shenjë, papritur ra në det. Sipas legjendës, menjëherë deti mori ngjyrën e syve të saj, ndërsa shkuma e detit ngjyrën e bardhë të fustanit të saj. Dhe kjo legjendë vazhdon të përsëritet tek emrat që njerëzit u vendosin vajzave në bregdet.
Për të parё dhe pёr tё shijuar
Herë aty fare pranë, e herë pak më larg detit blu të thellë, me emrin e vajzës së legjendës, ka jo pak për të parë; shpella, manastire, monumente kulture.
Manastiri i parë që gjendet në dokumente është manastiri i Kaninës, Manastiri i Kllogjërit. Ndodhet 300 metra mbi fshat, pranë një kroi shumë të bukur. Nga manastiri kanë mbetur rrënojat. Siç thuhet, ky manastir u dogj në vitin 1880 nga rrufeja. Në të ndodheshin rreth 150 murgjër, të cilët qëndronin aty për të mësuar. Ka pasur dhe bibliotekë. Murgjit mësonin për kurimin e sëmundjeve të lëkurës. Pas këtij manastiri, shfaqet ai i Marmiroit, në Orikum.
Pas tij përmendet manastiri i Zvërnecit. Në Zvërnec një nga shenjtorët në hyrje ka një plagë në dorë. Kjo plagë dëshmon se ai ka shërbyer si shkollë në përgatitjen e “mjekëve” për sëmundjet e lëkurës. Por manastiri i Zvërnecit ka dhe vlera historike, sepse aty është varri i Marigo Pozios. Një gjë e tillë është e shkruar. Është bërë me mermer para disa viteve dhe vetë Marigoja e kishte lënë amanet të varrosej në atë manastir, që t’i gjente prehje shpirti. Dhe atdhetarët vlonjatë në ’37-ёn e varrosën aty. Qetësia midis pishave, bredhave dhe selvive është e mahnitshme. Dhe shumë njerëz venë për t’u kuruar e gjetur qetësi shpirtërore në këtë manastir. Sepse në këtë manastir ndodheshin edhe zërat e natës. Zërat e natës sipas besimit popullor u hiqnin shqetësimet njerëzve, brengat, dhimbjet dhe bënin pushimet në këto vende. Në fakt, në Shqipëri ka disa vende të tilla.
Në pasuritë e Vlorës përfshihen edhe disa shpella, si: shpella e shkruar e Lepenicës, është Grama me mbishkrimet historike, por ka dhe disa shpella me stalaktike dhe stalakmite, siç është Shpella e Duk Gjonit, dhe Selman Aliut në Dukat. Shpella më interesante në brigjet shqiptare, është shpella e Spilesë në Himarë, ku sipas veprave “Iliada” dhe “Odisea”, në këtë shpellë është ndeshur Ciklopi me Odisenë. Ka mjaft autorë antikë që e përmendin një fakt të tillë. Deri edhe De Rada në studimin e tij e përmend Shpellën e Spilesë së Himarës për ndeshjen e Çiklopit me Odisenë. Kjo shpellë përmendet edhe nga Virgjili, tek “Eneida”.
Biblioteka e gurit
“Biblioteka në gur” është brenda një gjiri të vogël buzë detit Jon, në jugperëndim të gadishullit të Karaburunit. Nëpër shkëmbinjtë e këtij gjiri gjenden mbishkrime të gdhendura e vizatime të kohëve të hershme e të mesjetës. Ka lutje të njerëzve ndaj perëndive për t’u mbrojtur nga furtunat e detit. Ka dhe emra skllevërish, ilirësh të cilët kanë punuar dhe kanë vënë emrat në to. Por është edhe një perandor që ka udhëtuar nga Kostandinopoja për në Romë. Ka lënë mbishkrimin, e tij duke treguar se si e zuri furtuna dhe si u strehua aty. Madje është edhe një Papë që ka qëndruar aty në shekullin XV. Të gjitha këto mbishkrime janë mjaft interesante dhe janë një pasuri mjaft e madhe që tregon jetën e banorëve të asaj zone në atë kohë.
Gadishull dhe Ishull
Fare pak në distancë, janë Karaburuni dhe Sazani. Gadishulli është një zonë me 12 fshatra. Sa i përket pjesës turistike mund të flasim për plazhin e Gramës, gjirin e Dafinës, Kepin (ku ka edhe vend për t’u ulur mjete të ajrit, është fusha e raketave). Aty janë ulur helikopterë që në vitet 1934-37, ndërsa ka pasur edhe vizitorë. Dikur Karaburuni ka qenë i banuar. Madje rezulton se deri në shekullin XVII-XVIII ka pasur banorë, të cilët më pas emigruan në Itali. Në Karaburun shkohet me anije, por ka edhe rrugë tokësore nga Pashalimani, e cila është e paasfaltuar.
Sa për ishullin, ndёrsa tani ai është i shkretë, në antikitet ka qenë i banuar. Në kohën e Bizantit quhej fshati Shën Koll. Në kohën e Turqisë quhej fshati Sebep. Dhe ka pasur mbi 60 shtëpi. Të gjithë ishin thuajse detarë. Detarët bënin udhëtime të çuditshme nga Gjibraltari deri në Dubrovnik. Të çuditshme sepse me mjetet prej druri që kishin, i habisnin të gjithë. Ishin mjete primitive. Ata zhvillonin tregti midis brigjeve të Vlorës, Ulqinit, Dubrovnikut, Spanjës dhe Anglisë. Sazani pas kohës së Bizantit ra në duart e turqve. Pastaj e morën grekërit, më pas italianët dhe në 1920-ёn e rimorën shqiptarët. Por mbeti i pashfrytëzuar, pasi shqiptarët nuk kishin mjete. Vetëm në tetor të 1944-ёs u kthye në një vend që u vu në shfrytëzim nga shqiptarët. Pas kësaj u krijua njё repart ushtarak, por, edhe një fshat që kishte rreth 1800 banorë. Madje kishte edhe punishte të tipit rrobaqepësi, ku punonin rreth 200 gra. Sazani ka kishën e Shën Kollit, por edhe varri i Haxhi Aliut është aty. Monumenti i tij është i gdhendur në gur dhe është vënë çimentato, jo Bronz. Një nga vështirësitë e Sazanit është çështja e ujit, pasi aty nuk ka ujë. Por njihet si vend i mirë për gjueti. Është gjuajtur shumë sorkadhja. Ka pasur dhi të egra dhe lepuj të egër.
Ndërsa për peshkimin njihet gjiri i Gjeneralit, Kepi i Pëllumbave, që janë vende shumë të mahnitshme për të bërë plazh, por edhe për të bërë gjuetinë e peshkut. Këto ndodhen në pjesën jugperëndimore të ishullit. Referuar turizmit, ishulli ka vlera të shumta. Vlera të tilla, i ka falë qetësisë, erërave të detit. Sidomos në mbrëmje, Sazani ka një erë të ngrohtë. Madje mund të bëhen ndërtime turistike. Ka kodra, brigje dhe livadhe.
Në vend të përmbledhjes
Sa mё sipër, në gjithë vijën bregdetare, përfshihen një sërë objektesh natyrore me rëndësi të vecantë turistike, si; grykëderdhja e Vjosës, gjiri detar i Vlorës, laguna e Nartës dhe ajo e Orikumit…
Një nga komplekset më të frekuentuara është fshati turistik i Llogarasë. Ndodhet 1000 m mbi nivelin e detit, mes hijes së pishave dhe freskisë së burimeve të shumta natyrore. Vlora është një nga vendet më të pasura edhe me histori në Shqipëri. Gjurmët e para datojnë në shek VI para Krishtit. Në këtë periudhë u ngritën në Vlorë katёr qytete antikë: Orikumi, Thronioni Triporti dhe Aulona. Secili prej këtyre qyteteve ka historinë e vet të lindjes, lulëzimit dhe rënies. Dhe të tërë së bashku dëshmojnë historinë e lashtë të qytetërimit antik të trevës së Vlorës. Gjurmët më të lashta të qytetërimit i përkasin Orikumit të sotëm, i cili ruan ende brenda tij rrënojat e vjetra të qytetit. Aulona e dikurshme dhe Vlora e sotme është qendra më e rëndësishme qytetare, tregtare dhe turistike e bregdetit jugperëndimor të Shqipërisë.
Kuzhina në Vlorë
Është njё kuzhinё tipike e zonave malore, por njёkohёsisht edhe bregdetare. Në të përdoren prodhime të freskëta blegtorale të kopeve që rriten nëpër malet buzë detit me barin gjithnjë të njomë dhe erën e detit. Një tjetër karakteristikë e kuzhinës vlonjate janë pjatat me prodhimet e detit, peshk, midhje, karkaleca deti, aragosta, etj.
…Shija në Vlorë fillon me detin, monumentet, natyrën… dhe do të përmbyllet mrekullisht në tavolinë me një pjatë peshku përpara…

