Vlora e Bardhë, e lehtë të dashurohesh  

anazapta

1. “Poshtë tallavaja”, ishin fjalët e Elton Dedës në Ditën Ndërkombëtare të Rinisë, e cila u festua në qytetin e Vlorës, më 12 gusht. Ishte mbyllja e një koncerti të madh para disa qindra e mijëra vetëve që kishin mbushur Skelën e Vlorës në një festë rock tashmë të bërë traditë në këtë qytet, që mesa duket është i vetmi në Republikë që angazhohet veçanërisht për këtë ditë jo pak të rëndësishme. Bashkë me Elton Dedën, edhe Kamela Islamaj e Renis Gjoka, një trio rock që vazhdon për orë të tëra. Ankesat për pushimet në bregdetin shqiptar mund të jenë të shumta, por ajo që zakonisht mbizotëron është që “nuk ndodh ndonjë gjë e madhe” ose që “nuk ke ku shkon, nuk ke çfarë bën”. Ndaj, kur ndodh Nata e Bardhë në Vlorë, ke një arsye për të mos u ankuar. Të paktën, diçka po ndodh.

2. Sikur të ishte vetëm një koncert, ndoshta nuk do kishte nevojë të flitej shumë, por Nata e Bardhë në Vlorë ishte ishte paraprirë nga shumë aktivitete të tjera që zhvilloheshin paralelisht, përfshirë këtu një panair libri i cili zgjati plot tre ditë. Shtëpi botuese nga Shqipëria e Kosova afronin kuriozë e lexues të cilët në shumicën e rasteve kishin mundësinë të njiheshin me vetë autorët e librave. Mes tyre, edhe një shkrimtar nga Australia, që sjell me vete romanet historike për Marko Boçarin e Çamërinë. Ndërkohë Galeria e Arteve në Vlorë deri më 25 gusht sjell ekspozitën “Vlora në telajo”, ku mbi 60 artistë të pejsazhit sjellin afro 500 piktura.

Vlora në këtë javë aktivitetesh artistike ka dhe anën e saj komerciale ashtu si çdo pikë turistike. Stenda e kioska të shumta që ofronin që nga pijet e deri te magnetët me pamje Vlore, për të cilat njëra nga shitëset thotë me krenari: “Këto i bën burri im, në Vlorë”, duke bërë dhe kujdes të na njoftojë të ruhemi, se “ka edhe prodhime kineze”. Skela është e mbushur me lloj njerëzish që flasin lloj-lloj gjuhësh e dialektesh.

Por duket që klientët më të shumtë në kioskat e suvenireve janë emigrantët dhe pushuesit nga Kosova. Suvenirët që tërhiqen më shumë, na thotë një tjetër shitëse, janë ato me Skënderbeun e Nënë Terezën. Madje, duket sikur kërkesa e tregut ka rehabilituar dhe Luigj Gurakuqin, të harruarin e madh të demokracisë shqiptare. Tani, shumica e suvenirëve të pavarësisë janë “me Luigj e Ismail” bashkë. Duket sikur bashkimi Shqipëri Kosovë ka nisur nga suvenirët, më parë se nga politikat qeveritare.

3. “Gjithë sekreti është të sjellësh një risi, bashkë me traditën”, thotë Ilir Metaj, Drejtori i Kulturës në Bashkinë e Vlorës, njeriu që përpiqet i vetëm për ta mbajtur në këmbë këtë traditë të Natës së Bardhë. Këtë vit, ai e ka gjetur gjënë e re: Fitnesin. Për herë të parë ndoshta në trevat shqiptare zhvillohet edhe një panair fitnesi, madje shoqërohet edhe me një konkurs bodybuilding-u. E gjitha duket kaq gazmore dhe normale, në ditët më të nxehta të verës në Vlorë. Duket se menuja është e bollshme për të gjithë. Shqiptarët që jetojnë jashtë e twitter-uan apo postuan në Instagram duke shkruar #freeconcert #Vlorë #Vlorarocks, ndoshta edhe pse nuk janë mësuar që argëtimi të jetë falas andej ku jetojnë. Për fat, përveç diellit e detit, edhe rock-u ishte falas këtë vit, në Vlorë. “It’s easy to fall in love”- ishte slogani i aktivitetit, një gjetje që vjen dhe si ogur i mirë për Vlorën.

 

vlora 2

Share This Article
4 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *