Mijëra shqiptarë janë mbledhur në sheshin “Skënderbej”, ku festa është në një nga momentet e saj më të bukura. Këngëtarë dhe grupe nga Kosova po performojnë me veshje kombëtare në një njërën anë të sheshit, ndërsa pak minuta më parë kryeministri Berisha, ai i Kosovës, Thaçi, dhe presidentja Jahjaga kanë prerë tortën gjigante 550 metër katrorë, e cila është vendosur te Pallati i Kulturës. Ndërkohë, pak më vonë, pritet që festës t’i bashkohet edhe këngëtarja Rita Ora, e cila sapo ka mbërritur në aeroportin e Rinasit.
Festa po vijon me një drekë zyrtare të shtruar nga kryeministri Berisha, në të cilën janë të ftuar personalitete nga Shqipëria dhe bota, miq të vendit tonë dhe pjesëtarë të trupit diplomatik. Në fjalën e tij në hapje të drekës, kryeministri Berisha u uroi mirëseardhjen të ftuarve, të cilët i cilësoi mbështetës të aspiratave të vendit tonë për liri. “22 vjet më parë, vendi ynë ishte ndër më të varfrit. Sot ai rendit në vendet me të ardhura të mesme të larta. Sot ai ka rritur të ardhurat për frymë. Është ndihma bujare e SHBA-ve, e vendeve të mëdha të BE-së dhe vendeve mike nga Europa, Azia etj. Dua të përshëndes qeveritë dhe kombet tuaja, uroj për një miqësi dhe bashkëpunim në vitet e ardhshme”, tha Berisha.
Tiranë, maxhoranca përkujton sot edhe Ditën e Çlirimit
Tre orë pas ngritjes së flamurit në Vlorë, maxhoranca është kthyer në kryeqytet për të vijuar festimet. Pas një fjale të shkurtër të mbajtur para pjesëmarrësve në sheshin “Skënderbej”, kryeministri Berisha, kryetarja e Kuvendit, Topalli, kryebashkiaku Basha, presidentja e Kosovës, Jahjaga, etj kanë bërë homazhe në Varrezat e Dëshmorëve. Ata kanë vendosur kurora me lule në monumentin Nënë Shqipëri, duke përkujtuar në këtë mënyrë edhe Ditën e Çlirimit.
“Nderi më i madh i përket flamurit të kombit dhe atyre që sakrifikuan për të. Lavdi të rënëve të kombit tonë, nder përjetë familjeve të dëshmorëve të kombit shqiptar.
Ndërkohë, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe në sheshin “Skënderbej” qytetarë shqiptarë të mbledhur nga e gjitha Shqipëria, Kosova e kudo ku flitet shqip vijojnë festimet, të cilat pritet të vijojnë deri pas mesnate. Ndërkohë, në koncertin e pasdites pritet edhe performanca e këngëtares shqiptare me famë botërore, Rita Ora.
Nishani: Përulemi para atyre që në shekuj sakrifikuan për flamurin
Vlorë – Në urimin e tij pas ngritjes së flamurit në Vlorë, presidenti Nishani vlerësoi figurën e dëshmorëve që në shekuj kanë sakrifikuar për flamurin.
“Ditëlindja e flamurit është dita më e bukur për çdo shqiptar. Janë përpjekur të na e zhdukin, por vetëm për pak kohë. Ja ku e kemi sot flamurin që valëvitet krenar. Ne nderojmë në këtë ditë vlerën dhe kontributin e burrave të 1912-s. Ne kemi me çfarë të krenohemi. Ne krenohemi dhe nderojmë sot Ismail Qemalin, burrin e madh të kombit dhe fisnikët trima. Ne nderojmë sot çdo dëshmor që flijoi jetën nëpër Shqipërinë e tij. Përulemi thellë sot para tyre duke kujtuar sakrificat që kanë bërë në shekuj për këtë flamur”.
Gjika: Kryefjala e kësaj feste, bashkimi vëllazëror
Vlorë – Kryebashkiaku i Vlorës, Shpëtim Gjika, në fjalën e tij në Sheshin e Flamurit, ka uruar të gjithë shqiptarët për festën e pavarësisë, duke i bërë thirrje politikës kudo ku flitet shqip për një bashkim vëllazëror.
“28 nëntori është pasqyra ku ne mund dhe duhet të shohim veten tonë. Sot shënohet mbyllja e 100 vjetëshit të parë për ta çelur shekullit e dytë të Shqipërisë në rrugën e shtetformimit. Kjo festë ka qenë për ne një moment reflektimi. Ky shekull ka pasur peripeci e padrejtësi, por më shumë ka pasur atë që ne e duam dhe kërkojmë: lirinë. Misionarët e sotëm të politikës kanë detyrimin të punojnë për kombin.
Nuk kemi asnjë minutë për të humbur. Motra e vëllezër, nëse ka një kryefjalë të kësaj feste, kjo fjalë është bashkim, bashkim vëllazëror. Shembull e model i këtij bashkimi është ajo që po ndodh në këtë moment, te ky shesh i lavdishëm. Vlora është ajo që përgjatë një shekulli e mbajti të gjallë këtë frymë. Ne kemi krenarinë për Ismail Qemalin, babain e shtetit modern shqiptar. Ai ishte një diplomat i mençur dhe jo prijës ushtarak apo predikues ideologjish të rreme. Ndaj, gëzimin dhe harenë le ta mbajmë gjallë e ta përçojmë vitin tjetër në Kosovë, ku do të festojmë 5-vjetorin e pavarësisë së saj”, tha Gjika.
Vlorë, politika mblidhet bashkë para flamurit
Festa e madhe e shqiptarëve duket se më në fund i ka bërë bashkë të gjithë krerët e politikës. Himni i flamurit ka mbledhur paraditen e sotme në sheshin e flamurit krerët më të lartë të maxhorancës dhe opozitës shqiptare dhe kosovare. Ngritja simbolike e flamurit në Sheshin e Flamurit në Vlorë është zhvilluar në orën 10:00, duke shuar të gjitha ndarjet apo kundërshtitë e ditëve më parë për ditën apo vendin e festimit.
Në ceremoninë e ngritjes së flamurit ishin të pranishëm presidenti Nishani, kryeministri Berisha, kryeparlamentarja Topalli, kreu i opozitës, Rama, kryebashkiaku Basha, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, presidentja Jahjaga, kreu i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika dhe deputetë të të gjitha forcave politike.
Në nisje të ceremonisë nuk kanë munguar urimet dhe shtrëngimet e duarve mes të gjithëve.
Pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe ngritjes së flamurit, homazhet kanë vijuar pranë varrit të themeluesit të shtetit të parë shqiptar, Ismail Qemali.
100 vjet pavarësi, Vlora dhe Tirana nisin festimet
08:00 – Shqipëria feston sot 100 vjet pavarësi. Festimet dhe aktivitetet që janë kryer prej ditësh në të gjitha qytetet e Shqipërisë kulmojnë sot në Vlorë dhe Tiranë.
Në Vlorë, aty ku si sot 100 vjet më parë u ngrit flamuri, festimet kanë nisur që në orën 08:00. Sheshi i Flamurit është mbushur plot me qytetarë që kanë ardhur nga të gjitha trevat shqipfolëse.
Rreth orës 10:00, në Sheshin e Flamurit u zhvillua ceremonia simbolike e ngritjes së flamurit, në përkujtim të aktit madhor që 100 vjet më parë shënoi themelimin e shtetit shqiptar.
Ndërsa në Tiranë, festimet kanë nisur në sheshin “Skënderbej”, ku është programuar edhe vendosja e tortës gjigante me flamurin kuq e zi. Sipas axhendës, pak pas mesdite, kreu i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, dhe presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, do të vendosin kurora me lule në monumentin “Nënë Shqipër”, dukë përkujtuar në këtë mënyrë edhe Ditën e Çlirimit.
27 nëntor
Malaj: Madhështia e festës nuk ndryshon me vendim qeverie
“Madhështia e një feste nuk mund të ndryshojë me vendim qeverie. Mijëra shqiptarë kanë ardhur nga të gjitha trojet për të festuar në Vlorë. Madhështia e kësaj feste nuk mund të cenohet. Vlora e meriton të jetë epiqendra e kësaj feste, por shqiptarët kanë të drejtë të festojnë kudo që janë”.
Kështu u shpreh për mediat socialisti Arben Malaj pasditen e sotme në Vlorë. Malaj e cilësoi Vlorën si epiqendrën e festimeve të 100-vjetorit, duke theksuar se dyndja e madhe e qytetarëve që kanë zgjedhur qytetin e flamurit tregon se shqiptarët ndihen të bashkuar në këtë festë.
Maxhoranca qeverisëse e ka festuar sot ditën e pavarësisë në Vlorë, përmes një darke zyrtare të organizuar nga kryetarja e Kuvendit, Topalli. Ditën e nesërme, maxhoranca do të festojë në kryeqytet, ndërsa opozita ka zgjedhur festimet atje ku 100 vjet më parë u shpall pavarësia.
Vlora nderon akademikun Qosja dhe ish-ambasadorin Uidhers
Vlora ka vijuar edhe sot me aktivitetet në nder të 100-vjetorit të shpalljes së pavarësisë. Qyteti ku 100 vjet më parë u ngrit flamuri dhe u shpall qeveria e parë ka nderuar sot me titullin “Qytetar Nderi” akademikun kosovar Rexhep Qosja dhe ish-ambasadorin amerikan në Tiranë, Xhon Uidhers.
Ceremonia është zhvilluar paradite në teatrin “Petro Marko” të qytetit, ku ishin të pranishëm vetë akademiku Qosja, pjesëtarë të trupit diplomatik, kreu i opozitës, Edi Rama, dhe deputetë të tjerë socialistë. Gjatë ceremonisë ra në sy mungesa e përfaqësuesve të qeverisë, të cilët kanë zgjedhur që në Vlorë të festojnë natën.
Vlora ka qene e do te ngelet nderi i kombit dhe si e tille din se kush meriton nderim.