Mbërritja në Vlorë e njerëzve që duan të festojnë në qytetin e flamurit 100-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë, përveç strukturav vendore ka çuar në angazhimin edhe të shoqërisë civile. Kështu, në faqen e hapur në rrjetin social në internet “Vlora hap dyert në 100-vjetor thuhet se “në kuadër të kremtimit të 100-vjetorit të Shpalljes së Pavarsisë në Vlorë po vihet re një entuziazëm mbarëkombëtar për të qenë të pranishëm më 28 Nëntor në Vlorë dhe një pamundësi e kapaciteteve të strukturave hoteliere në qytetin e Vlorës për të mikpritur numrin e shumtë të mysafirëve.
“Në të njëjtën kohë, jemi dëshmitarë të gatishmërisë së qytetarëve vlonjatë për të hapur dyert e shtëpive për miqtë e largët në këtë eveniment historik të jashtëzakonshëm dhe tëmungesës deri tani të një strukture koordinative për të mundësuar relizimin e një prej virtyteve më të çmuara shqiptare, mikpritjen.
“Për këtë arsye, shoqata Eagles Sky dhe Qendra Rinore Vlorë, në bashkëpunim me rrjetin vullnetar të shoqërisë civile Vlora Netëork, vendosën të krijojnë një strukturë operative gjatë ditëve të vigjiljes së festimit të Pavarësisë për të mundësuar koordinimin e gatishmërisë së qytetarëve vlonjatë për të mikpritur mysafirët nëpër shtëpitë e tyre dhe dëshirës së bashkëkombësve për të qenë të pranishëm më 28 nëntor në Vlorë.
“Struktura “Vlora hap dyert në 100 vjetor” do të jetë funksionale deri më 27 nëntor 2012, pranë Qendrës Rinore Vlorë, Pallati i Kulturës, Sheshi Pavarësia, Vlorë (përballë hyrjes së Portit Vlorë)”.
Në njoftim thuhet se të gjithë qytetarët vlonjatë që kanë mundësinë dhe dëshirën të hapin dyert e shtëpisë për miqtë e largët, mund të bëjnë të ditur gatishmërinë e tyre mikpritëse duke shkruar në faqen “Vlora hap dyert në 100 vjetor” emri dhe mbiemrin, numrin e shtretërve për miqtë, si dhe mjetin e kontaktimit (një numër telefoni ose adresën e postës elektronike) apo të paraqiten personalisht nga ora 09.00 deri në ora 16.00 pranë Qendrës Rinore Vlorë ku vullnetarët do të regjistrojnë për ta të dhënat e tyre.
Bashkëkombasit shqiptarë që dëshirojnë të jenë të pranishëm në Vlorë dhe pranojnë të mikpritjen në shtëpinë e një qytetarit vlonjat mund të kontaktojnë qytetarët vlonjatë që ofrojnë shtëpitë e tyre në adresën e kontaktit të publikuar prej qytetarëve vlonjatë (postë elektronike, telefon etj.) në faqen “Vlora hap dyert në 100 vjetor” apo t’i drejtohen për çdo sqarim strukturës operative vullnetare.
Në këtë mënyrë janë vetë qytetarët që komunikojnë drejtpërsëdrejti mes tyre pa ndërmjetësinë e strukturës sonë operative e cila vetëm sa mundëson këtë komunikim.
Nga ana tjetër, duke theksuar njëherë rolin thjesht koordinues, organizuesit ftuan të gjithë bashkëkombasit të tregonin gjithë përgjegjshmërinë dhe qytetarinë që ky eveniment kërkon, duke mënjanuar çdo përdorim jo serioz të adresave të kontaktit të strukturës operative apo të individëve e duke respektuar çdo detyrim ligjor në lidhje me privatësinë dhe moscenimin e çdo të drejte të personit.