Gjashtë persona dyshohen si të përfshirë në djegien me acid të gjyqtares Mirela Mishgjoni, gjatë sulmit të ndodhur dje në Vlorë.
Gjashtë të dyshuarit janë dërguar në polici, ku janë marrë në pyetje dhe janë fotografuar. Fotot e tyre do t’i dërgohen për identifikim gjyqtares Mishgjoni, e cila ndodhet në spital.
Mishgjoni i tha policisë një ditë më parë se personi që i hodhi acid ishte një i ri i pamaskuar dhe me trup të gjatë.
Mirela Mishgjoni, 40 vjeçe, gjyqtare në Gjykatën e Shkallës së Parë në Vlorë, u sulmua me acid dje në lagjen “28 Nëntori”, sapo kishte dalë nga shtëpia. Mishgjoni u dërgua menjëherë në spital, ku mjekët thanë se kishte plagë në pjesën e gojës dhe qafë, si pasojë e djegies nga acidi.
Gjendja e saj është përmirësuar dhe nesër pritet që gjyqtarja Mishgjoni të lërë spitalin.