Policia e Vlorës organizoi dje 2 operacione, si rezultat i të cilave është bërë e mundur që të kapen në total, 22 klandestinë të paligjshëm. Pas informacioneve në rrugë operative, uniformat blu lokalizuan dy grupet e emigrantëve të paligjshëm që kishin hyrë nga Greqia. Në vendin e quajtur “Qafa e Koshovicës”, si rezultat i ndjekjes së automjetit tip “Wolksvagen Sharon”, që drejtohej nga Shkëlzen Hysa, 22 vjeç, banues në Vlorë, janë kapur 17 klandestinë nga Siria, Eritrea dhe Senegali. Këta shtetas kanë kaluar kufirin e gjelbër, nga Greqia në Shqipëri, dhe kishin si destinacion Serbinë, udhëtim për të cilin këta persona kanë paguar shumën prej 2 mijë euro. Gjithashtu, në Himarë janë kapur edhe 5 klandestinë të tjerë nga Kongo, të cilët po transportoheshin në automjetin tip “Mercedes-Benz”, nga Dhimitër Krisafi, 30 vjeç dhe Erlind Guçe, 25 vjeç, të dy banues në Gjirokastër.
Vlorë, kapen 22 klandestinë siriano-afrikanë, pranga 3 trafikantëve, u morën nga 2 mijë euro
