Droga e Lazaratit ngec në Vlorë. Policia e qytetit bregdetar ka realizuar një tjetër superoperacion të suksesshëm mëngjesin e djeshëm, i koduar “Restart”, duke sekuestruar mbi 1,5 tonë hashash, sasi që i shtohet asaj të kapur gjatë shtatë muajve të fundit që shkon në 11 tonë, një rekord për uniformat blu. Në pranga përfunduan edhe dy korrierët e sasisë së narkotikut, që do e transportonin me destinacion Italinë me mjete lundruese, nëpërmjet rrugës detare. Të dyshuarit Armando Kuçi dhe Julian Byzyka, të dy banues në Fier, po merren në pyetje për të zbuluar organizatën e trafikut, që nga origjina e prodhimit të lëndës narkotike që dyshohet Lazarati dhe deri në grupin që e kishte porositur.
Operacioni
Agjentët e Luftës Kundër Narkotikëve në drejtorinë e Policisë Vlorë, kanë marrë informacion në rrugë operative në lidhje me lëvizjen e një sasie të konsiderueshme lënde narkotike në drejtim të qytetit bregdetar”. Menjëherë drejtori i policisë dhe vartësit e tij kanë hartuar një plan operacional i koduar “RESTART”, ku si rezultat i të cilit, rreth orës 05:30 të mëngjesit të djeshëm, në hyrje të autostradës Vlorë-Levan, janë ndaluar automjetet tip furgon i markës “Mercedes-Benz”, me targa AA002IB dhe autovetura tip “Fiat Croma”, me targa AA262FV, që ndiqnin njëra-tjetrën në udhëtim. Në drejtimin e dy mjeteve u arrestuan të dyshuarit si korrierë, Armando Kuçi, 37 vjeç, shofer i furgonit dhe Julian Byzyka, 30 vjeç, drejtuesi i veturës, të dy banues në qytetin e Fierit.
Megangarkesa e drogës
Nga veprimet e mëtejshme proceduriale, ka rezultuar se brenda në furgon ishin ngarkuar në 35 çanta të zeza me 1546 kg lëndë narkotike të llojit kanabis sativa. Fugoni shoqërohej si pararojë nga autovetura tip “Fiat Croma”, që drejtohej nga i dyshuari Byzyka. Menjëherë u krye arrestimi në flagrancë i dy shoferëve korrierë, për veprën penale “prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, si dhe janë shpallur në kërkim edhe disa persona të tjerë që dyshohet të kenë lidhje me këtë rast. “Mendohet që lënda narkotike është transportuar deri në qytetin e Vlorës, me qëllim trafikimin e saj në drejtim të Italisë me mjete lundruese”, thanë burime zyrtare të policisë për këtë operacion.
Hetimet për trafikun
Nga marrja paraprake në pyetje dhe verifikimet e thirrjeve telefonike të kryera nga dy të arrestuarit, është zbuluar se korrierët kanë qenë të lidhur edhe me persona të tjerë që janë pjesë e grupit kriminal të trafikimit. Po hetohet për identitetet e tyre nëpërmjet investigimit të tabulateve telefonike, nëse janë shitësit dhe pritësit e mallit. Mësohet se mes thirrjeve dhe numrave në celular ka edhe nga ata me SIM italianë. Do kërkohet bashkëpunim edhe me policinë e vendit fqinj për t’i lokalizuar dhe arrestuar të dyshuarit. Paraprakisht mësohet se droga ka dalë nga fshati Lazarat, duke shfrytëzuar edhe situatën e krijuar ditët e fundit, me mendimin se policia do të ishte e çorientuar. Të arrestuarit nuk kanë dhënë shumë detaje, duke mos bashkëpunuar, por nuk mohuan se janë pjesë e grupit. Pak ditë më parë në grykëderdhjen e Vjosës, policia e Vlorës kapi një gomone me dy motorë që priste ngarkesë narkotike me qëllim trafikimin në Itali, kurse skafistët mundën të largoheshin.

Sasia e droges se kapur ne mengjes heret nga policia e shtetit eshte nje arsye me shume per te,,ptotestuar,, dhe ,,rrezuar,, qeverine Rama e cila po demton ekonomine e vendit qe ishte mesuar ne kohen 8 Vjecare te Sales te bente,,eksport,, pa kufi duke rritur te ardhurat ne xhepat e ,,Eskobareve,,shqipetare.