Policia e Vlorës njoftoi dje se ka vënë në pranga një person të shpallur në kërkim dhe të dënuar për akuzën “marrëdhënie seksuale me dhunë, me të mitura”. I arrestuari është 63-vjeçari Gjergji Memoskëndaj, banues në Babicë. Sipas burimeve zyrtare, njoftohet se ndalimi i Memoskëndaj u bë, sepse Gjykata e Rrethit Vlorë e kishte dënuar në mungesë me 8 vjet burg, për veprën penale “marrëdhënie seksuale me dhunë, me të mitura”. Ngjarja ka ndodhur dy vite më parë, kur nëna e të miturës ka depozituar denoncim në polici. Sipas rrëfimit të vajzës, gjatë kohës që nëna e saj shkonte në punë, 63-vjeçari abuzonte sistematikisht me të duke e përdhunuar dhe më pas kërcënuar të mos tregonte, se do e vriste. Pas denoncimit i dyshuari është arratisur, por është kapur ditën e djeshme.
