Krimi trondit përsëri qytetin bregdetar të Vlorës.
Vriten në atentat nga persona të maskuar drejtori i degës së OSHEE-së së qytetit, Roland Saliu, 47 vjeç dhe pronari i televizionit lokal “Vlora Channel”, njëkohësisht biznesmen, Erven Hyseni, 40 vjeç. Ngjarja ndodhi në zemër të Vlorës, pranë “Sheshit të Flamurit”, në verandën e lokalit ngjitur me “Hotel Vlora”.
Zyrtari dhe biznesmeni ishin miq mes tyre dhe ishin ulur në të njëjtën tavolinë, kur autorët shkrehën breshëri “Kallashnikovi”.
Saliu humbi jetën në vend, kurse Hyseni u dërgua i plagosur rëndë në spital, ku nuk i mbijetoi plagëve. Policia tha se pista kryesore mbetet vrasja për shkak të konflikteve të vjetra të biznesmenit apo larje hesapesh, si dhe për shkak të detyrës ndaj zyrtarit vendor.

Por besohet se shënjestër ka qenë pikërisht biznesmeni Hyseni, pasi për të ka pasur informacione operative të policisë se në të kaluarën është përfshirë në një rrjet prostitucioni në Spanjë, si dhe për një sherr me një të afërm të plagosur vite më parë.
Gjithashtu biznesmeni rezulton i afërm edhe i Haki Rakipit, një prej viktimave të masakrës së Çoles më 7 prill 2015.
Autorët pasi janë larguar me shpejtësi dogjën makinën e tyre në periferi të fshatit Panaja dhe u arratisën. Dyshohet se atentati mund të jetë edhe i paguar.
Ngjarja
Autorët duket se kanë qenë në ndjekje të shënjestrës së tyre prej disa ditësh.
Ata kanë pritur momentin e duhur për të vepruar. Dëshmitarët dhe policia vendore thanë se ka qenë ora 19:40 e mbrëmjes kur u dëgjua breshëria e zgjatur e një automatiku. Gëzhojat e shumta të gjetura në vendngjarje, mbi 15 copë, vërtetojnë këtë fakt.
Paraprakisht thuhet se kanë qenë dy persona të maskuar me kapuç që iu afruan tavolinës në befasi, në zonën e verandës së lokalit në pronësi të Hysenit dhe qëlluan pa

paralajmërim. Nuk dihet nëse atentatorët u kanë thënë ndonjë fjali viktimave.
Pas breshërisë dëshmitarët dhe punonjësit e lokalit panë teksa largoheshin me makinë autorët. Si moment sulmi është gjetur koha kur në tavolinat jashtë nuk ka pasur klientë. Kjo ndoshta për të shmangur viktimat e pafajshme.
Hetimet
Ngjarja shkaktoi panik të madh në qendër të qytetit. Aq shumë janë tmerruar kalimtarët, sa në rrugë u gjetën edhe shapka, biçikleta dhe sende të braktisura nga këmbësorët të frikësuar. Patrullat e policisë mbërritën të parat në vendngjarje. Bazuar edhe në pamjet filmike të publikuara, trupi i zyrtarit Saliu është gjetur mbi bordurën e lokalit, me kokën e varur dhe një gjurmë e madhe gjaku.
Trupi i Hysenit ka qenë rreth 2 metra më tej në sheshin e verandës, i plagosur rëndë. Policia ka kërkuar nga një mbulesë të bardhë nga punonjësit e lokalit, duke mbuluar një nga viktimat. Kurse 40-vjeçari u përcoll me urgjencë drejt spitalit, ku dhe ndërroi jetë pak minuta më pas, pa hyrë dot në sallën e operacionit.
Policia tha se autorët kanë qëlluar nga një distancë prej të paktën 5-10 metra dhe kjo konfirmon faktin se plumbat kanë pasur rreze veprimi më të gjerë, duke i vrarë të dy miqtë.
Killerat kanë pasur frikë se po të afroheshin më shumë drejt tavolinës, Hyseni ose ndonjë person tjetër aty afër në lokal mund t’i sulmonin me armë, ndaj qëlluan në befasi dhe distancë të largët. Sipas hetuesve, si Saliu ashtu edhe Hyseni kanë pasur nga disa plumba në trup dhe kokë. Kjo ka shkaktuar edhe vdekjen e tyre.

Kush e di di si e kane patur hallin.
Qofshin te xhenetit .
Marreveshjet e pista,dorzimi pushtetit,keto gjera do te sjellin.
Ky eshte Vetting, me thike deri ne palce. E more vesh o z. kryeminister !
Pse flet si kodra pas bregut, po edhe para 6 muajsh u vrane tre adoleshente ne cole….po atehere kush e kishte pushtetin??? Vrasje ka patur gjithmone ne cdo kohe dhe do te kete
O gazetar..nese kane djegur mjetin ne Panaja ,per ca e kane blinduar qytetin!!!!!!!!.per gogla.