VOA: Ja pse u anullua takimi i Parisit

Edona Llukacaj

Ashtu si Dita bëri me dije këtë të premte, shpresat që takimi i Parisit mes Kosovës dhe Serbisë të ndodhte u shuan pas një takim të nivelit teknik ndërmjet përfaqësuesve të dy palëve, të mbajtur në Berlin një ditë më parë.

Siaps lajmit të Zërit të Amerikës, ditën e djeshme këshilltari i kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, Selim Selimi dhe ish udhëheqësi i bisedimeve teknike, Avni Arifi, janë takuar me një delegacion të Serbisë, i kryesuar nga shefi i zyrës për Kosovën, Marko Gjuriç, larg opinionit publik.

Temë e diskutimeve ishte mundësia për të vazhduar bisedimet dhe përgatitjet për takimin e Parisit, por edhe për të diskutuar mundësitë e zbatimit të marrëveshjeve të arritura në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Por, të dyja palët kanë ngulur këmbë në qëndrimet e tyre. Serbia ka kërkoi heqjen e taksës ndaj mallrave serbe si kusht për ta vazhduar bisedimet, ndërsa Kosova kërkoi që të mos vihen kushte për bisedimet.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha të premten nga Bjellorusia, ku gjendet për  një vizitë zyrtare, se nuk do të ketë takim në Paris dhe se sipas tij edhe gjermanët edhe francezët e kanë kuptuar se kush nuk dëshiron bisedime dhe kush i frenon ato.

Qeveria e Kosovës në një përgjigje dhënë Zërit të Amerikës, tha: “kryeministri Ramush Haradinaj vazhdimisht ka theksuar se Kosova është e gatshme të ulet në tavolinë, por pa kushte për bisedime dhe kërkon me ngulm një kornizim të dialogut dhe një marrëveshje përfundimtare që çon në njohje të dyanshme”.

Kosova e Serbia po përballen me trysni ndërkombëtare për të rifilluar procesin e bisedimeve, proces ky që mbetet i bllokuar që nga nëntori i vitit të kaluar, pas vendosjes së taksave nga ana e qeverisë së Kosovës ndaj mallrave serbe.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, paralajmëroi sot nëpërmjet rrjeteve sociale se zyrtarë dhe afaristë serbë në veri të Mitrovicës së bashku me Beogradin zyrtar, po përgatisin një plan për të paraqitur gjendjen si një katastrofe humanitare në atë pjesë të Kosovës. Sipas kryeministrit, “boshatisja e dyqaneve, ku nuk gjenden as artikuj elementarë me prejardhje nga Serbia, është plani që po përgatitet nga njerëz të caktuar në veri, për të cilin qeveria e Kosovës është e informuar”, shkroi ai.

Kryeministri Haradinaj, gjithashtu, tha se “organet e sigurisë së Kosovës kanë marr informata se organizimi do të asistohet me logjistikë dhe forma tjera edhe nga organizata e ashtuquajtur ‘Civilna Zastita’ (Mbrojtja Civile) në veri, e cila udhëhiqet nga Stevo Paviçeviq”.

Ai tha se Kosova “nuk do të qëndroj duarkryq përballë këtyre tendencave për destabilizim” ndërsa u bëri thirrje kryetarëve të komunave në veri dhe qytetarëve të mos bien pre e këtyre provokimeve.

Takimi i Parisit, ishte parë si një mundësi për të rifilluar bisedimet e pezulluara në kërkim të një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve, që është kusht për proceset integruese të tyre.

e.ll./dita

 

Share This Article
1 Comment
  • Vuciq mund te gjeje 1001 arsye per anulime te pafund sikur tani qe ka gjetur si arsye taksen por ai kurre nuk do te arrije ta marre Veriun e Kosoves e as nuk do te arrij te korigjoje kufijt e Kosoves ose te shkembej teritore e saje .
    Vuciq nuk do te arrije kurre ta shpetoje nga pergjegjesija shtetin e tij serb per krime te keyera nga pjestaret e saj ushtarak, policor ise militar kriminel qe vrane civil te pafajshem shqiptar , qe dhunuan gra shqiptare , shkateruan pronat dhe shtepite e shqiptareve dhe plackiten e grabiten fondet pensionale dhe shendetsore te Kosoves ne vlere prdj 2.5 milhard €
    Vuciq kurre nuk do te arrij ts rehabilitoj kryesit e veprave kriminale dhe ata qe dhane urdher per ato keime dhe Vuciq nuk do te ia dale ta amnestoje shtetin e tij serb sado qe te mundohet ti shtyje
    keto takime dhe sado qe te shpresoje se gjenocidi i kryr ndaj shqiptareve te Kosoves do kaloje ne harrese

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *