Parlamenti u përfshi në debate lidhur me fatin e Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Opozita pretendon se një projekt i hartuar nga ekspertë amerikanë është në duart e qeverisë dhe kërkon të dijë se përse po vonohet miratimi.
Por kryeministri Edi Rama tha se më parë ky projekt duhet të shqyrtohet nga Komisioni i Reformës në Drejtësi, për të parë nëse nevojitet që të miratohet ose jo në varësi të ndryshimeve të parashikuara kushtetuese.
Lidhur me këtë debat, Zëri i Amerikës ka mësuar se në bazë të projekt-ligjit të tanishëm ky institucion do të jetë fillimisht pjesë e strukturave policore dhe pas kalimit të reformës në drejtësi do jetë pjesë e strukturës speciale antikorrupsion.
Që kur Gjykata Kushtetuese rrëzoi Qershorin e vitit të kaluar ligjin për Byronë kombëtare të hetimit, ekspertë amerikanë nisën punën për hartimin e një projekti të ri që të përshtatej me vërejtjet e kësaj gjykate.
Por tani, prej disa ditësh, opozita ka ngritur zërin duke u shprehur se projekti, sipas saj, është përfunduar nga ekspertët amerikanë dhe po zvarritet nga qeveria.
Nga ana e tij kryetari i parlamentit Ilir Meta tha se sipas tij nuk është e qartë se cilit variant i referohet opozita.
“Mendoj që ky është një debat i panevojshëm, sepse nuk e kemi të qartë se për cilin variant bëhet fjalë. Por, atë variant për të cilin është dakord Partia Demokratike mund ta depozitojë në Kuvend sipas Rregullores së Kuvendit dhe ne do ta ndjekim atë me prioritet besoj”, tha Meta.
