Opozita denoncoi sërish abuzimet sipas saj në Ministrinë e Shëndetësisë.
Deputetja Albana Vokshi tha se qindra milionë lekë u janë dhënë spitaleve private pa zbatuar asnjë procedurë, teksa citon një raport të Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Ajo tha se paratë janë dhënë vetëm me urdhër gojor të ministrit Ilir Beqaj.
“Po ashtu, abuzime janë konstatuar edhe në rastet e dhënies së parave për trajtimet mjekësore jashtë vendit”, tha ajo, duke shtuar se rimbursimi është bërë në kundërshtim të vendimit të qeverisë.
“Janë evidentuar më shumë 90 milionë lekë të dhëna në klinika për trajtime që ato nuk i kryejnë, apo për trajtime që janë kryer në spitale brenda vendit (fq 44) në kundërshtim me VKM-në. Mbi 60 milionë lekë janë rimbursime për trajtime në vite të mëparshme që nuk parashikohen fare në vendimin e qeverisë (fq 45-46). Gjatë pagesave, konstaton KLSH-ja, u gjenden edhe raste rimbursimi pacientësh që nuk jetojnë më. Pra, as të vdekurit s’i kanë kursyer për të vjedhur fonde”, tha gjithashtu. /Dita/
