Partia Demokratike denoncoi sërish për të disatën ditë abuzimet në Ministrinë e Shëndetësisë. Deputetja Vokshi u ndal tek Fondi i Detyrueshëm Shëndetësor, duke theksuar se është zhytur në abuzime të paimagjinueshme.
“Miliona janë vjedhur në çdo drejtim; në kancelari, bileta, udhëtime jashtë, riparime makinash, blerje karburanti, organizime aktivitetesh, madje edhe për aheng. Inspektorët e KLSH kanë kapur një dëm ekonomik në vlerën 5 milionë lekë në zërin rregullim makinash”, tha ajo.
Deputetja Albana Vokshi shprehet se dëmi ekonomik me karburantin është 10 milionë lekë, ndërsa 51 milionë lekë është dëmi nga dietat për udhëtime jashtë vendit. Ajo deklaroi 5 milionë lekë janë shpenzuar për “kokteje dhe darka me muzikë live”.
“Ja pra si qeveriset ky institucion i kësaj qeverie, që mbikqyret drejtpërdrejt nga Ilir Beqa. Qindra milionë lekë të abuzuara që përfundojnë në xhepat e qeveritarëve me një babëzi skandaloze, me një hyxhym se kush të gllabërojë më shumë. Këto akte ku përgjegjës është kampioni i korrupsionit Ilir Beqa, janë tashmë në Prokurori”, theksoi. /Dita/
