Edhe Federata Shqiptare e Futbollit ka mbetur besnike e UEFA-s, për mbështetjen e kandidaturës europiane për presidencën e FIFA-s, Xhani Infantino.
Në një intervistë telefonike për TCH presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, zbulon votën e tij dhe arsyet.
“Pas ngjarjeve që ndodhën, Platini nuk mund të kandidonte për president, të gjithë anëtarët e UEFA-s u mblodhën për të pasur një kandidat. Nuk është se kishte ndonjë kandidat tjetër nga Europa, në këtë mënyrë të gjithë vendosën të mbështesnin Infantinon, jo vetëm si një menaxher i zoti, por edhe si një përfaqësues europian”, deklaroi Duka.
Një nga risitë e Infantinos në programin e tij është shtimi i skuadrave pjesëmarrëse në finalet e Botërorit deri në 40 skuadra, një ndryshim që ashtu si në Europian na jep edhe ne më tepër shanse për kualifikim.
“Rritja e numrit, sipas premtimit të tij, për pjesëmarrjen në Botëror na jep një shans më tepër. Kuptohet që kualifikimi në Botëror mbetet një objektiv i vështirë, por është një shans më shumë nëse do të ketë shtim të numrit të skuadrave”, tha Duka për Top Channel.
Megjithatë premtimet sportive sipas Dukës janë vetëm një anë e medaljes, pasi ato financiare mbeten më të prekshme për Federatën Shqiptare të Futbollit.
“Menaxhimi më i mirë patjetër që i jep një përfitim edhe Shqipërisë. Një nga premtimet e tij është që FIFA do të japë më shumë para’ për investime në futboll dhe Shqipëria mund të përfitojë nga kjo”, tha Duka.

O Duke!
Ajo vota qe ke hedhur nuk perfaqeson shqiptaret,por veten tende!
Ti ke uzurpuar postin e presidentit te FSHF-se dhe nuk ke bere….ASGJE per futbollin shqiptar!
Dhe te besh per futbollin do te thote te PUNOSH me ekipet zinxhit te moshave dhe prej andej te nxjerresh talente e jo te mburresh me Kombetaren qe ka vetem lojtare kosovare dhe trainer te huaj!
Ku eshte puna e FSHF ketu??
Po ,ky eshte vetem BIZNES e jo sport!
Kur votoje dy padrinot e futbollit boteror Blater dhe antishqiptarin Platini nuk i deklaroje ti Duka! Tani ben sikur je transparent dhe po deklaron voten.