Është një sistem i tërë që ngrihet para zgjedhjeve e funksionon me direktiva të qarta, me urdhra të padukshme. Është gati si sekt. Një nga teknikat më të përhapura që është përdorur në manipulimin e votës shqiptare është votimi i dyfishtë. Sistemi mund të eliminojë vetëm ata emra që janë të njëjtë. Por jo marifetet me atësinë. P.sh. Gëzim Blerim Poka është një votues në Kukës. Në listën ku është caktuar të votojë për herë të dytë ka të njëjtin emër e mbiemër, por ka atësi të ndryshme. Pra, mund ta ketë Gëzim Bledar Poka. Kjo i lejon atij të votojë edhe në Kukës, edhe në komunat e Tiranës, si Paskuqani. Një mënyrë tjetër është presioni me heqjen e vendit të punës. Kjo taktikë përdoret me të punësuarit e administratës. Kjo është metodë shumë e sofistikuar dhe bëhet me njerëz që janë të sprovuar me këto punë e nganjëherë përdoren edhe njerëz të dyshimtë kriminalë. Një tjetër opsion i manipulimit të votës është edhe fotografimi i fletës me anë të aparatit celular. Punonjësit të administratës i kërkohet që të fotografojë votën.
Kurse në zonat rurale ndodh edhe manipulimi më i rëndomtë: blerja e votës. Në komuna pak a shumë njihen edhe vektorët e kaheve. Dihet kush është i majtë e dihet kush është i djathtë. Në këto zona edhe varfëria është e madhe. Këtu bëhet kërdia. Një votë mund të shkojë nga 2000 lekë e deri në 8000 të reja. Mjeshtri që është ngarkuar me këtë punë kontakton me kryefamiljarin e një familjeje që njihet që është votues i majtë. Ai në këmbim që të mos votojë fare i afrohen para. E në kushtet e varfërisë ekstreme, rrallëkush nuk tundohet. Pasi arrihet akordi, kryefamiljarit i kërkohet që të dorëzojë të gjithë kartat e identitetit të familjarëve që janë votues, të cilat i rikthehen pas ditës së zgjedhjeve. Kjo bëhet në mënyrë që të mos i lihet asnjë rrugë e mundshme votimi. Ky mekanizëm aplikohet me shumë familje e sidomos me ato familje që kanë shumë votues e janë me bindje të majta. Një tjetër mënyrë është edhe qarkullimi i fletës së votimit nga votuesit. Para se personi të futet për të votuar, atij i jepet një flet e shënuar me kryq tek partia që duhet votuar.
Ai futet në qendrën e votimit, merr fletën nga komisioni edhe shkon tek dhoma e fshehtë. Në këtë moment nxjerr fletën e shënuar dhe e fut në kutinë përkatëse, ndërsa fletën që e merr nga komisioni e fut në xhep e kur del jashtë, fletën e paprekur iu jep “mjeshtrit”. Ky qarkullim bëhet me shumë persona, me qindra. Që të ketë ndryshim pushteti duhet që vota kundër pushtetit të jetë aq e madhe se të mbushë këto “të çara të votimit” që renditëm më lart. Asnjë shans tjetër vec vjedhjes dhe mashtrimit nuk ka ky pushtet ordiner i sotëm.
Letër e nënshkruar: Gurjan Doçi