Kaloi një muaj i gjatë pas zgjedhjeve të 23 qershorit dhe përsëri nuk kemi zyrtarizmin e mandateve të Kuvendit të ri. Nuk e kemi sepse , si duket, ai gjysmëkomisioni partiak ka marrë urdhër të vonojë mbylljen e punës së vet administrative me rezultatet përfundimtare dhe ta bëjë një gjë të tillë edhe me shkelje të hapëta të ligjit zgjedhor. Duket që pala humbëse e këtyre zgjedhjeve po kërkon me çdo kusht e me çdo mjet e mënyrë që të gjejë një alibi ,sado absurde, për humbjen e rëndë që i shkaktoi plebishiti popullor i 23 qershorit të këtij viti.
Pasi na mallëngjeu të gjithëve me një dorëheqje teatrale të larë në lot, në ca lot të nxehtë artizanësh e partizanësh e kurtizanesh të përzier dhe me lotët e atij vetë, komandanti i lundrës së mbytur në detin popullor të 23 qershorit po përpiqet të zbutë diqysh me votat e Lundrës ato valë të rrëmbyera që i hyjnë nga të gjitha të çarat e asaj lundre rrangallë.
Se duan të thonë që,pas një muaji në depot e Lundrës, kutitë e votave mund të kenë marrë ca nga ajo era e rëndë e kalbëzimit të pushtetit të ndëshkuar me votë më 23 qershor dhe mbase ia dalin disi të shërbejnë si një vjegë , ku të kapet me thonj pushteti i mundur për të bërtitur sa ka në kokë se e paska vjedhur opozita (!)Dhe kjo britmë e çjerrë më shumë nga frika e ndëshkimit për zullumet e tetë vjetëve, në një kohë që industrinë e manipulimit të zgjedhjeve e kishte vetë në dorë dhe e kishte vënë në veprim shumë kohë përpara datës, muajit e madje dhe vitit të zgjedhjeve të 23 qershorit. Një britmë që brigadieri i pushtetarëve zullumqarë, të mundur aq keq më 23 qershor, e lëshon aq i trembur nga ndëshkimi ligjor për të gjitha zullumet e rënda që ka kryer pushteti i tij personal në dëm të ligjeve , të Kushtetutës e të qytetarëve të këtij vendi të munduar e të nëpërkëmbur nga huduti i shfrenuar i etheve për pushtet të pakufizuar.
Tek dëgjon atë britmë të dëshpëruar të këtij kalorësi të fandaksur të luftës së klasave e të përçarjes së të gjithëve e të gjithçkaje, vetëm për të sunduar mbi të gjithë e mbi gjithçka që e rrethon, ca më tepër kur atë lloj britme e lëshon pasi ka pranuar humbjen e thellë dhe ka dhënë për mbarë publikun e këtij vendi edhe atë shfaqjen për dorëheqje, që u këputi shpirtin artizanëve dhe partizanëve e kurtizaneve të pushtetit, nuk mund të mos kërkosh ndihmën e analizës së mprehtë , që z. Viktor Malaj bënte këto ditë në shtypin e shkruar:
“Sa kohë që është në opozitë, nuk e njeh dhe nuk e përfill ligjin dhe rendin. Kur vjen në pushtet, e përdor ligjin si do vetë, duke goditur kundërshtarët politikë e duke nxjerrë të pafajshëm bashkëpunëtorët e vet, edhe kur ata kryejnë krime monstruoze”.
Dhe ky lloj kalorësi i sëmurë për pushtet të pakufizuar e aq i vrerosur nga humbja që i shkaktoi plebishiti popullor i 23 qershorit, e humbet aq shumë toruan sa na del në mejdan e bërtet sa ka në kokë se i paska vjedhur zgjedhjet opozita(!) Dhe si ia paska vjedhur, do thoni ju? “Me paratë e krimit, të drogës e të trafiqeve kriminale”(!)…
Atëherë kushdo prej qytetarëve të thjeshtë shqiptarë, si autori i këtyre radhëve, ka të drejtën e robit e të Zotit ta pyesë brigadierin e sëmurë për pushtet, që humbja e pushtetit i humbet fare arsyen: Kur e ke ditur që opozita e djeshme dhe fitimtarët e sotëm paskan qenë aq keq të zhytur në “trafiqe kriminale”, si i paska lejuar të livadhisin pushteti yt, aq i njohur brenda e jashtë vendit për “tolerancën zero” ndaj krimit dhe trafiqeve kriminale? Mos i ke lejuar të shabakohen në krime vetëm që të kujtoheshe ta thoshje pasi të humbisje pushtetin? Po e ke bërë dhe këtë, atëherë duhet të pranosh që paske pasur dhe vetë pjesën tënde në këto trafiqe kriminale e në paratë e nxjerra me ato lloj trafiqesh. Ndryshe nuk mund të shpjegohet se përse paske heshtur aq gjatë e, madje, përse nuk i ke shpurë përpara drejtësisë tënde, që e ke përdorur si ke dashur e kur ke dashur e sa ke dashur vetë për vite të tëra. Apo dhe këto britma të vrerosura nga humbja e rëndë e 23 qershorit i ke “deklarata elektorale”, sikundër ke pohuar me gojën tënde për vite të tëra të një lufte bajlozësh me atë brigadierin bekri të palës tjetër, me të cilin këto tetë vitet e fundit jeni bërë vëllemër ?…
Me sa duket të mundurit e 23 qershorit janë trullosur keqas dhe nuk dinë ç’thonë sot e nuk mbajnë mend se ç’kanë thënë dje. Mos u trullosni aq keq, sa të humbisni fillin fare, zotërinj të sëmurë për pushtet, se në pluralizëm ka dhe humbje . Se vetëm fitore “historike” ka në diktaturë e jo në demokraci. Ja që në këtë kohë që jetojmë, ju nuk e pengoni dot për shumë kohë popullin të thotë dikur fjalën e vet me votë. Dhe populli e tha fjalën e vet më 23 qershor. Madje e tha me një gjëmim deti. Dhe ju vetë sikur keni thënë shumë herë që “kur flet sovrani, të tjerët duhet të mbyllin gojën!” Apo dhe këtë e keni thënë si “deklaratë elektorale”?…
Me paralajmërime kineze të kohës së Maos, nuk bëhet dot opozitë normale, ndaj dëshiroj këtu të jem i gabuar, sepse vendit në demokraci i duhet një opozitë e shëndoshë e jo ca pushtetarë të sëmurë, që kur i shpie populli në opozitë e shohin si fatkeqësi personale e ,madje janë gati të akuzojnë popullin që “nuk i kupton dot” këta deli udhëheqës…Nuk duhet harruar se dikur drjetësia kujtohet edhe për urdhëruesit e jo vetëm për ata që zbatojnë verbërisht urdhra të paligjshëm. E këtë nuk besoj se e harrojnë edhe pushtetarët tanë të mundur keqas nga populli më 23 qershor. Mbase kjo frikë qëndron edhe në bazë të atyre hakërrimeve për së thati, u lëshon fitimtarëve të 23 qershorit komandanti i lundrës së mbytur në zemërimin popullor të 23 qershorit.
Ndryshe si mund të ngulë këmbë një brigadier i plakur me zullume pushteti të thotë plot goja që, meqë nuk iu lejua të vidhte aq vota sa donte për të qëndruar përjetësisht në pushtet, na humbi s këtë herë se ia vodhi votat opozita(!) Harruat sa keni qeshur me dhëmballë të fundit para ca vjetësh, kur një ministër i brendshëm deklaroi se i vodhi votat kandidati i opozitës? Si harroni kaq shpejt, ju pushtetarët tanë me lafshë të kuqe?…
Nuk ishit ju që , edhe për këto zgjedhjet e 23 qershorit, nuk latë marifet pa bërë që t’i fitonit me “vullnetin e sovranit” e me bekimin e shejtanit? A nuk ishit ju që i manipuluat listat zgjedhore në atë shkallë, sa një person dilte votues në shumë qarqe të Shqipërisë? A nuk ishit ju, që me industrinë tuaj të manipulimit të zgjedhjeve, arritët të shpërngulni njerëzit nga Tirana për në fshatrat e pabanuara të malësisë së varfër të Kukësit, sepse atje “jetonin më mirë se në Tiranë dhe madje shtoheshin më shumë’?…Nuk ishit po ju që fabrikuat sa deshët karta identiteti të rreme e ,madje përdorët dhe “trenin bullgar”, dhe fotografimin e votës edhe votimin familjar? A nuk ishit po ju që liruat tërë ata të burgosur ordinerë për t’i përdorur si militantë pushteti në shtrembërimin e rezultatit të zgjedhjeve, sikundër keni bërë dhe më parë? A nuk votuan për partinë në pushtet edhe shumë emigrantë shqiptarë, që nuk erdhën dot fare në Shqipëri? A nuk e përdorët dhe buxhetin e shtetit për të paguar firmat lobuese amerikane për të zbukuruar ca fytyrën e shëmtuar të pushtetit tuaj të kalbur nga zullumet? A nuk ishit po ju, zotërinj pushtetarë aq të marrosur nga humbja e 23 qershorit, që rreshtuat dhe fëmijët e shkollave në kuadrate mitingjesh dhe i porositët që “thojuni prindërve dhe të gjithë të afërmve tuaj të votojnë për pushtetin”? Po rrugët gjysmake a nuk ishit po ju që i përuruat nga tri e nga katër herë?
Mbase nuk duhej të arrinit deri në këtë lloj marrëzie, që ju shtyn të deklaroni se, pas gjithë këtyre bravurave tuaja si pushtetarë të sëmurë për të qëndruar përjetësisht në pushtet, u paska vjedhur votat opozita. Mos e thoni më këtë , se u bëtë gazi i botës. Mos shpresoni se ju beson njeri, kur bërtisni ju për “transparencë” e për “hapje kutish” e për numërimin e çdo vote të qytetarëve” ju që nuk dëgjuat të hapni as kutitë e materialeve zgjedhore, sikundër kërkoi dhe Parlamenti Europian. Ju që i dogjët kutitë në urën e Farkës, sepse në to fshihej krimi juaj zgjedhor, mbase ju takon të heshtni, kur bëhet fjalë për hapje kutish e për transparencë.
Ju që vodhët bashkinë e Tiranës në mes të ditës e në sy të mbarë botës, me marifetin e “votave të hedhura gabim” dhe atë shkelje të rëndë të ligjit e bëtë për të shtuar në kuti ca vota nga depot e Lundrës, këtë herë nuk e shpëtoni dot nga mbytja lundrën tuaj të thyer, duke përdorur si shtypë ca vota nga depot e Lundrës. Ristanëria mercenare, që verbohet aq sa shkel ligjet për t’i shërbyer pushtetit, nuk ju shpëton dot nga ajo humbje dërrmuese. Madje ata derëzes e punëzes nuk besoj të shpëtojnë këtë herë as veten e tyre nga përballja me ligjin. Dhe, pas tyre, besoj që ju vjen radha. Gjithnjë sipas shkallës së zullumit…
Zotërinj të sëmurë për pushtet të përjetshëm e të pakufizuar, me votat e Lundrës nuk mbyllen dot të çarat e mëdha të lundrës së pushtetit tuaj të kalbur nga gënjeshtrat, nga vjedhjet e nga vrasjet e qytetarëve të pafajshëm. Vrasje që ka kryer pushteti juaj në mes të bulevardit e në mes të ditës dhe ka pafytyrësinë të mburret me vrasjet e qytetarëve protestues, sepse nuk ka ardhur ende ora e drejtësisë. Dhe drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar. Por vetëm për ca kohë e kurrë për të gjithë kohën.Vetëm të sëmurët mendorë mund të arrijnë sa të krenohen me vrasjet e njerëzve të pafajshëm, vetëm sepse tremben nga protesta e të pafajshmëve. Dhe ato vrasje pushteti juaj, zotërinj pushtetarë të marrosur nga humbja dhe nga frika e drejtësisë, i ka kryer vetëm nga frika e humbjes së pushtetit. Pikërisht nga ajo humbje që ju shkaktoi deti i votës popullore më 23 qershor. Nga ajo humbje e turpshme, që ju shtyn të humbisni arsyen sa të akuzoni opozitën e djeshme dhe fitimtarët e sotëm me një gjuhë të çartosur, që të kujton gjuhën e propagandës komunisto-naziste.
Zotërinj pushtet-humbur, është koha të mblidhni mendjen e të shihni të vërtetën në sy. Të reformoni opozitën e të hiqni dorë përfundimisht nga propaganda komunisto-fashiste, që e merr popullin për budalla. Plebishiti popullor i 23 qershorit tregoi qartë se budalla nuk është populli. Dhe, sa më shpejt që ta kuptoni këtë, aq më mirë është për ju e për të gjithë vendin. Se demokracia ka nevojë për opozitë dinjitoze dhe jo për shfaqje të shëmtuara me deklarata të zbrazëta, që hedhin poshtë njëra-tjetrën ditë pas dite e orë pas ore. Sa më shpejt ta kuptoni që opozita e shëndoshë është shëndet për demokracinë, aq më shpejt do të eci zhvillimi i mbarë i vendit edhe me ndihmën tuaj si opozitë me mend në kokë e me të mirën e këtij vendi në zemër. Sa më shpejt që të hiqni dorë nga përdorimi i ca votave të mbledhura në depot e Lundrës si alibi e humbjes, aq më mirë do të jetë për shëndetin e opozitës e për përparimin e vendit.
bravo zoteri ky eshte argument kjo eshte analizi me mendje te te qete e te kulluar
Kjo parti e ngritur mbi endrren me te bukur te shqiptareve, tani eshte kalbezuar ne menyren me te pandreqshme dhe eshte e destinuar te vdes si dhe nena e saj PP. Cdo perpjekje per ta freskuar e korigjuar, eshte vetem mashtrim. Vendi i demokrateve te vertete eshte gjetke. Le ti hapin syte se eshte ne nderin e tyre t’i kthejne shpinen felliqesise berishjane