ÇERTIFIKATAT E PAREGJISTRUARA. BLLOKOHET PROCESI, SHTYHEN VOTIMET.
Zv.ministri Ferdinant Pone rrëzon vendimin e Parlamentit
“Problemi në gjithë këtë proces quhet Sali Berisha, pengmarrësi i procesit zgjedhor. Nuk identifikoj një pengmarrës apo problem tjetër”,- deklaroi kreu i ri i opozitës së majtë, Edi Rama, në komunikimin e parë zyrtar, pas negociatave dyditore në tryezën e Presidentit të Republikës, Alfred Moisiu.
Mbajtja e zgjedhjeve 2007, për drejtuesit e pushtetit vendor, përmbyll fazën e shkuarjes së shqiptarëve përpara kutive të votimit, nën ndjesinë e konflikualitet politik. Listat e fryra nga prania e personave false, apo të regjistruar më shumë se një herë, si dhe çertifikatat, qenë arësyeja që e nxorrën mbajtjen e tyre nga normaliteti. Nga muaji tetor 2006 procesi i mbajtjes së votimeve u arrit të shtyhej për në datën 18 shkurt 2007, duke qendruar për disa muaj i bllokuar, si rezultat i këmbënguljes së lidershipit të ri të Partisë Socialiste, Edi Rama, për krijimin nga qeveria të kushteve që do të realizonin ngritjen e standartit të këtyre zgjedhjeve. Në debatin pa rrugëzgjidhje, që prej muajsh kishte kapërthyer jetën politike shqiptare, ndërsa u ra dakort për përmbushjen e gjithë pikave të marrëveshjes së gushtit 2006, çertifikatat u bënë “guri i pakapërcyeshëm” si nga pozita qeverisëse edhe nga opozita, e cila kërkoi që të gjitha certifikatat e lëshuara para datës 01 nëntori 2006,- periudhë kur rreth 500 mijë certifikata nuk ishin regjistruar nëpër regjistrat e Gjendjes Civile,- të regjistroheshin në një regjistër të veçantë. Kjo pikë çoi në shtyrjen disamujore të gjetjes së zgjidhjes, nga forcat politike, dhe miratimin, në 12 janar 2007, të një marrëveshjeje, që u miratua në Parlament me konsensusin e të gjitha palëve. Marrëveshja e 12 janarit sanksiononte që votuesi që dispononte një certifikatë të dalë para dt. 01 nëntor, duhet ta shoqërojë atë me dy nga tetë dokumentet identifikues të tij, që përfshinin pasaportë ndërkombëtare, letërnjoftim, diplomë universitare, diplomë të shkollës së mesme, dokument regjistrimi të tatim taksave, patentë automjeti e dixhitalizuar etj. Nëse votuesi nuk do të kishte dy nga këta dokumente ai nuk do të lejohej të votonte, nëse nuk pajisej me certifikatë të re.
Mirëpo, nëpërmjet një shkrese të lëshuar në dt.26 janar 2007, zv.ministri i Brendshëm, Ferdinand Poni, e hodhi poshtë këtë vendim të miratuar nga Parlamenti dhe kërkoi nga zyrat e Gjendjes Civile që zgjedhësit të pajiseshin me certifikatë për votim vetëm duke paraqitur një fotografi.
“Pika 5. Në zbatim të paragrafit i) gërma a) pika 12, të paragrafit IV) të pikës 19, të nenit 39, të ligjit nr.9676, datë 13.01.2007 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.9087, datë 19.06.2003 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë” i ndryshuar, ju bëjmë me dije se: Zyrat e Gjendjes Civile, për të gjithë ata zgjedhës që nuk kanë mundësi të mbledhin paketën e dokumenteve mbështetëse të identifikimit dhe që nuk zotërojnë asnjë dokument tjetër të lejueshëm për të vërtetuar identitetin e zgjedhësit, sipas Kodit Zgjedhor, duhet t`i pajisin shtetasit me certifikatë të re, për qëllime zgjedhore, e cila duhet të lëshohet pa pagesë”,- kumtonte shkresa e zv.ministrit të Brendshëm, që donte të thoshte se, një qytetar, i cili kërkonte të votonte dy herë, përveç certifikatës së tij, mund të shkonte pranë zyrave vetëm me fotografi dhe nëpërmjet emrit të listës zgjedhore, të një personi që nuk banonte në Shqipëri, të merrte një çertifikatë të rreme.
“Problemi në gjithë këtë proces quhet Sali Berisha, pengmarrësi i procesit zgjedhor. Nuk identifikoj një pengmarrës apo problem tjetër”,- deklaroi kreu i ri i opozitës së majtë,Edi Rama, në komunikimin e parë zyrtar, pas negociatave dyditore në tryezën e Presidentit të Republikës, Alfred Moisiu. “Rikthehem tek çështja e çertifikatave duke u fokusuar tek oferta jonë e cila kërkon që pavarësisht nga nevoja për të regjistruar dhe insistimi ynë, të kalohet në një tjetër regjim, ku njëri nga dokumentet shoqëruese të votuesit me certifikatë të vjetër të noterizohet, duke garantuar në këtë mënyrë besueshmëri dhe përgjegjësinë ligjore të dokumenteve që dorëzohen në qendër votimi”,- tha Rama. Ai shprehu bindjen e opozitës se “certifikatat e vjetra, ato të paregjistruara, nuk janë dokumente që garantojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme, por janë letra që i deformojnë këto zgjedhje. “Qeveria po përgatit një skemë manipulimi dhe po ngre një makineri përmes së cilës kërkon të vjedhë zgjedhjet”, – konkludoi Rama.
Kokëfortësisë së pushtetit për të mos pranuar nxjerrjen e një çertifikate të vlefshme vetëm për zgjedhjet, dhe mosnjohjen e atyre që ishin shpërndarë para nëntorit 2006, opozita iu përgjigj duke denoncuar ekzistencën e rreth 127 mijë çertifikatave falso të planifikuara nga qeveria për të realizuar manipulim të votës.
“Ështe një fakt i konstatuar edhe prej Kontrollit të Lartë të Shtetit”,- u shprehën përfaqësuesit e opozitës në një konferencë shtypi të mbajtur në dt.5 janar 2007. Mirëpo si u realizua mbajtja e këtyre votimeve?
Duke ju referuar një raporti të KQZ,-së, të drejtuar nga Çlirim Gjata, mësohej se pas mbajtjes së këtyre votimeve, ditën e diel,18 shkurt 2007, në KQZ u depozituan 306 kërkesa ankimore, nga të cilat rreth 50 përqind i përkisnin Partisë Demokratike dhe 50 përqind Partisë Socialiste. Në 17 njësi vendore do të zhvilloheshin sërish zgjedhjet. Në komunat Shosh, Shalë, Pult, Lurë, Iballë, Arren, Milot, Qendër të Malësisë së Madhe, e Libofshë zgjedhjet nuk qenë zhvilluar. Si rezultat i shpalljes së pavlefshme, nga Kolegji Zgjedhor, do të ripërsëriteshin zgjedhjet vetëm për kandidatët për kryetarë komune në tetë njësi të tjera vendore, në komunat Gjerbës, Voskop, Shupenzë, Komsi, Kodovjat, Hekal, Kelmend dhe në komunën Qendër Vlorë.
Tre vëllezër patën përfunduar në spital, pas sulmit që u ishte bërë prej djemve të xhaxhallarëve Ngjarja kishte ndodhur në Divjakë të Lushnjes, rreth orës 15:00 të datës 19 shkurt, vetëm pak minuta pas numërimit të votave dhe nxjerrjes së rezultatit përfundimtar. Shtatë kushërinjtë e ndarë në përkatësi partiake të ndryshme ishin përleshur, duke përdorur edhe thikat. Por dhunë u raportua edhe në mes komisionerëve të Ndroqit. Shkak ishte bërë po numërimi i votave. Dy komisionerë të partive të majta, Petrit Çali dhe Agron Hyka mbetën të plagosur rendë. Madje Hyka përjetoi përkeqësim të gjendjes shëndetësore në spitalin ku e shpunë pas plagëve dhe dëmtimeve të marra. Policia konfirmoi se “gjatë ushtrimit të dhunës komisionerët kanë vënë në përdorim karriget, si dhe sende të tjera të forta, me të cilat kanë qëlluar njëri-tjetrin”, duke shënuar ndoshta incidentin më të rëndë të këtij procesi zgjedhor në të gjithë vendin. Grushta elektoral u raportuan edhe nga qendra e numërimit të votave nr. 3, Gjirokastër. Shkëmbimi I tyre kishte qenë midis socialistëve e demokratëve. Në Mamurras ishte bllokuar procesi i numërimit të votave. Po e njejta gjë kishte ndodhur në Elbasan. Socialistët thonin se nuk e njihnin fitoren e Edmond Gjokës, të PD-së, për kreun e bashkisë së qytetit, ndërsa denonconin votimin me çertifikata falso etj.
Megjithatë, për të parën herë gjatë historisë së zgjedhjeve të mbajtura në territorin e Shqipërisë, jo pak prej komisionerëve dhe personave të gjetur fajtor në shkeljet ligjore u dërguan për ndjekje penale. Pas denoncimit të bërë nga KZQV-ja, për braktisje të detyrës, 42 komisionerë të degës së Partisë Demokratike, Fier, u paditen penalisht në prokurori. Sipas zyrës së komunikimit me publikun të kësaj të fundit, në të gjithë vendin filloi çështja penale për 36 persona të gjetur fajtorë në shkeljen e ligjit “Për zgjedhjet e pushtetit vendor” në Tiranë, Fier, Gjirokastër, Shkodër dhe Berat. Në Qeparo, të Himarës komisioneri Simon Koka u vu nën pranga, pasi u tërhoq nga komisioni gjatë numërimit të fletëve të votimit. Koka u padit nga PBDNJ. Megjithatë këto votime do të mbahen mend për zgjatjen e afatit të nxjerrjes së rezultateve përtej parametrave të mëparshëm. Kaluan rreth katër muaj, që nga 18 shkurti, data e zhvillimit të zgjedhjeve lokale, dhe Komisioni Qendror do ta shpallte rezultatin përfundimtare në 08 qershor. Sipas publikimit të tij Partia Socialiste kryesonte listën e partive në sistemin proporcional, me 305 mijë e 582 vota, ose thënë ndryshe me 23.17 për qind të tyre, duke lënë pas rivalen kryesore të saj, Partinë Demokratike, me 271 mijë e 705 vota, ose 20.60 për qind të tyre. Ndërkaq, Lëvizja Socialiste për Integrim vazhdoi të jetë forca e tretë politike, duke marrë 121 mijë e 172 vota, ose 9.19 për qind, e ndjekur nga Partia Republikane, me 5.74 për qind, Partia Demokrate e Re, me 5.05 për qind, Partia Demokristiane, me 4.44 për qind, Partia Social Demokrate, me 3.96 për qind, PBDNJ-ja me 3.77 për qind, etj. Rezultat e shpallura nga kreu i KQZ-së, Çlirim Gjata, konstatonin se Partia Demokratike dhe aleatët e saj kishin marrë shumicën e votave si në sistemin proporcional, ashtu edhe në atë mazhoritar. Kështu, në proporcional, PD-ja dhe aleatët e djathtë kishin marrë 51.05 për qind të votave, ndërsa PS-ja, së bashku me aleatët e majtë, 42.93 për qind të tyre. Në lista qenë regjistruan 2.929.293 zgjedhës nga të cilët votuan 1.358.186 shtetas, ose 46.37 për qind. Nga këto, 43.621 vota, ose 3.21 për qind, u kategorizuan si të pavlefshme, ndërsa 1.314.565 vota, ose 96.79 për qind u klasifikuan të vlefshme. Në zgjedhje u regjistruan 1.076 ,kandidatë të drejtpërdrejtë, të mbështetur nga 42 subjekte politike, nga të cilët, 33 ishin femra dhe 157 të pavarur. “Vetëm në periudhën pas zgjedhore, KQZ-ja shqyrtoi plot 260 kërkesa ankimore, të cilat, së bashku me 56 kërkesat parazgjedhore kapin në total shifrën 316. Si rezultat i shqyrtimit të tyre në KQZ, apo dhe në Kolegjin Zgjedhor, u vendos ripërsëritja në 12 njësi vendore dhe duke pasur parasysh faktin se në 8 NJQV zgjedhjet nuk ishin zhvilluar fare, u vendos që zgjedhjet në këto 20 njësi të zhvilloheshin në datën 6 maj. Por edhe pas këtij raundi të dytë, si rezultat i kërkesave ankimore u vendos ripërsëritja e zgjedhjeve për komunat e Pultit dhe të Shalës të qarkut Shkodër, në datën 3 qershor”,- u sqaroi rrethanën e tejzgjatjes, Çlirim Gjata.
Përmes një njoftimi për shtyp, OSBE deklaroi se shpallja e rezultateve përfundimtare shënonte mbylljen e procesit të zgjatur të zgjedhjeve vendore të 18 shkurtit 2007. Kryetari i Prezencës së organizatës në Shqipëri, ambasadori Pavel Vaçek, tha: “Është mirë që procesi jo i lehtë, u përmbyll pas dy raundesh përsëritjeje të zgjedhjeve.
Puna e administratës zgjedhore shqiptare, pra e KQZ-së, me të cilën ne kemi bashkëpunuar gjatë gjithë procesit, ka përfunduar. Tani, të gjithë përfaqësuesit e zgjedhur të pushtetit lokal mund të përqendrohen në punën e tyre, sipas mandatit të ri katërvjeçar”. Prezenca e OSBE-së mbetet e gatshme për të punuar së bashku me partnerë shqiptarë e të tjerë, në përmbushjen e rekomandimeve ndërkombëtare, përfshirë ato të Raportit Përfundimtar të OSBE/ODIHR-it për Zgjedhjet e Qeverisjes Vendore në Shqipëri, të datës 5 qershor 2007, si dhe të ndihmojë në përmirësimin e mëtejshëm të sistemit zgjedhor shqiptar, sipas standardeve ndërkombëtare”.
Nesër: DILEMA E ZGJEDHJEVE 2009. KARTAT E IDENTITETIT.
VRASJA E DEPUTETIT SOCIALIST.