Në një artikull botuar më dt. 24 maj në “Panorama”, Dr. Myftar Barbullushi flet për kancerin e prostatës dhe analizën që përdoret rëndom për ta dalluar atë herët – të njohur si testi PSA (Antigjeni specifik i prostatës).
Autori nuk e fsheh ngazëllimin ndaj kësaj procedure, kur shkruan se “Në Amerikë burrat i ndjekin rezultatet e nivelit të PSA-së ashtu siç ndjekin rezultatet e sportit.” Pozicionimi i tij është i qartë: Amerika ofron një model për t’u ndjekur edhe në Shqipëri, sa i përket parandalimit dhe trajtimit të hershëm të kësaj sëmundjeje vdekjeprurëse.
Në fakt, gjysma e artikullit, në mos më shumë, konsiston në anekdota të ndryshme për burra të shquar që kanë përfituar nga testi.
Përfundon dr. Barbullushi: “Më 23 qershor do t‘u rekomandoja meshkujve mbi 50 vjeç të bënin një analizë të PSA-së në vend të një vote partive politike” – duke vënë në një rrafsh, dashur pa dashur, pjesëmarrjen në zgjedhje, që është detyrë e çdo qytetari të Republikës, me analizën e PSA-së.
Alternativa që sjell mjeku ynë tingëllon qesharake. Nuk ka arsye pse dikush të shmangë kutinë e votimit, për të shkuar në klinikë ku do të testohet; të dyja – edhe votimi edhe testi – mund të bëhen brenda ditës. Testi mund të bëhet edhe një ditë tjetër – meqë nuk ka nevojë për datë kalendari të miratuar nga Parlamenti, etj.
Dhe ky përfundim vjen në fund të një artikulli që përmban informacion të vjetruar; sidomos në raport me mënyrën si e ka organizuar autori (duke iu referuar përvojës amerikane).
Në fakt, vetëm para një muaji, Shoqata Urologjike Amerikane (AUA) e vuri në dyshim vlerën universale të këtij testi; duke rekomanduar që edhe burrat e moshës 50-69 vjeç të vendosin nëse do ta bëjnë atë apo jo duke biseduar individualisht me mjekun.
Përndryshe, testi PSA kohët e fundit është kritikuar rreptë, madje është sjellë si shembull i një mjekësie agresive dhe të dalë jashtë kontrollit të arsyes; për shkak të rezultateve të shumta pozitive të rreme (false positives) dhe ngaqë shpesh pasohet nga trajtime që shkatërrojnë cilësinë e jetës së pacientit.
Arsyet kryesore për këtë janë se shumë njerëz kanë PSA të lartë edhe pa pasur kancer të prostatës; dhe se shpesh tumori i diagnostikuar i prostatës nuk do ta vërë kurrë në rrezik jetën e pacientit.
Kjo do të thotë, në shifra, se që të shpëtohet një jetë e vetme nga kanceri i prostatës nëpërmjet testimit PSA, duhet të testohen 1,000 burra për një periudhë më të gjatë se 10 vjet (referenca këtu).
Në të njëjtën kohë, nga këta 1,000 burra të testuar, 100-120 do të marrin rezultate pozitive të rreme, pa pasur kancer; por që mund të shoqërohen me biopsi të cilat kanë efekte anësore të pakëndshme; pa llogaritur stresin dhe ankthin që i shoqëron këto situata.
Nëse diagnostikohet kancer, 90% e tyre do të trajtohen me ndërhyrje kirurgjikale dhe rrezatim, edhe pse shumica e tumoreve të prostatës nuk janë të rrezikshme për jetën.
Gjithnjë nga këta 1,000 vetë të testuar, 40 do të zhvillojnë impotencë ose inkontinencë urinare, si rezultat i trajtimit; dhe dy do të përsojnë aksidente kardiake ose cerebrale (strokes).
Një panel i administratës amerikane, i quajtur U.S. Preventive Services Task Force, rekomandoi, në 2011, që testi PSA duhet braktisur tashmë si mjet diagnostikues i kancerit të prostatës; dhe sidomos u shpreh kundër analizave masive të popullatës, si procedura rutinore.
Ideja se testimi PSA “shpëton jetë” është e pabazuar, vlerësoi i njëjti grup pune. Në fakt, shumica e kancerëve të prostatës që dallohen nga testet PSA nuk janë të rrezikshëm, meqë rriten shumë ngadalë ose nuk rriten fare; ndërsa kancerët vdekjeprurës zakonisht janë kaq agresivë, sa dallimi i hershëm, nëpërmjet testit, nuk ndihmon.
Në këto rrethana, rekomandimi i tanishëm, që burrat në moshën 55-69 vjeç ta diskutojnë testin PSA individualisht me mjekun, para se të vendosin për ta kryer, duket shumë i arsyeshëm.
Vërtet ashtu, por jo për dr. Barbullushin, i cili në artikullin e vet shpreh veç entuziazëm për testin në fjalë, madje duke i ftuar pacientët e vet potencialë që ta kryejnë atë po aq masivisht, sa ç’edhe votojnë.
Si ta interpretojmë këtë katrahurë? Mundet që mjeku ynë të jetë nisur me qëllime nga më të mirat, por pa qenë në korrent të zhvillimeve të fundit në ShBA; edhe pse artikulli i tij nis dhe mbaron me njoftime dhe anekdota nga eksperienca amerikane. Mjekë që mbeten prapa ka pasur dhe do të ketë gjithnjë – por për dr. Barbullushin, që më rezulton me një kurrikulum të shkëlqyer dhe si një nga pionierët e urologjisë moderne në Shqipërinë e viteve 2000 (përfshi edhe transplantimin e veshkave), unë këtë nuk e besoj.
Mundet që dr. Barbullushi ta njohë mirë këtë reputacion negativ të testit (derisa e njoh unë, që s’jam mjek!), por megjithatë të jetë i bindur, personalisht, si mjek nga përvoja e vet me pacientët, se testi PSA duhet kryer megjithatë në masë; po aq në masë sa edhe zgjedhjet politike. Edhe në ShBA ka mjekë të shquar urologë që e kanë kundërshtuar me forcë nevojën e shprehur tani së fundi për rishikim të kritereve të testimit PSA. Nëse është kështu, dr. Barbullushi ka dizinformuar në artikull, duke lënë pa përmendur fakte me rëndësi kritike, për rekomandimet e veta dhe për pacientët vetë; aq më tepër që ai këmbëngul për ta përdorur eksperiencën amerikane si busull.
Mundet edhe – këtë interpretim të fundit po e sjell vetëm si mundësi teorike – që dr. Barbullushi, pavarësisht nga shkalla e azhurnimit me literaturë dhe opinionet personale, të ketë interes profesional që qytetarët shqiptarë t’i nënshtrohen masivisht testit PSA. E përsërit – nuk kam arsye ta besoj këtë për rastin konkret; por raste konfliktesh interesi në mjekësi kanë ndodhur tepër shpesh, për t’u shpërfillur. Nëse është kështu, artikulli në fjalë duhej të ishte botuar si infomercial, ose në faqen e reklamave të gazetës.
Nga komentet që shoqëronin shkrimin, mësova se testi PSA, në Shqipëri, nuk mbulohet nga shërbimi shëndetësor falas; çka e ndërlikon edhe më interpretimin e kësaj thirrjeje së paku anakronike, që boton “Panorama”. Kjo, veçanërisht duke pasur parasysh mundësinë, praktikisht të konfirmuar, që në nivel popullate, testi PSA bën më shumë dëme, sesa shpëton jetë.
Mjekësia amerikane, duke iu dorëzuar më në fund parimit “më mirë vonë se kurrë”, po distancohet nga modeli i testimeve masive të popullatës, ku pacientët trajtohen si të ishin bagëti dhe kontakti i drejtpërdrejtë i mjekut me të sëmurin zëvendësohet me opinionin e Robert de Niros plus një mori formularësh dhe deklaratash me natyrë juridike për t’u nënshkruar; sepse ai model ka dështuar tashmë.
Është për të ardhur keq, që në Shqipëri vendosin t’i importojnë modele të tilla vetëm kur ato janë duke u braktisur; edhe pse ky fatalitet e ka ndjekur zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të vendit që në fillim të viteve 1990.
Me të njëjtën logjikë, nesër do të dalë ndonjë mjek tjetër që t’i ftojë gratë shqiptare që në 23 qershor, në vend që të votojnë, të shkojnë e t’i heqin gjinjtë, si Angelina Jolie…
Shënim: Çdo informacion me natyrë shëndetësore, në shkrimin e mësipërm, është nxjerrë nga referenca e cituar. Unë nuk jam mjek, as kam ndonjë opinion timin të përftuar individualisht, për testin PSA.
(PEIZAZHE TE FJALES)
Barbullushi para se të lexoje vjetersi shkence amerikane,i keshilloj të lexoje( mesiguri nuk e njeh fare)komediografin e madh botror Molier! Molieri flet shumë bukur edhe për Barbullushin qe nuk di vertet se cthotë….Bile kerkon të bej humor të hidhur me diten e votimit!Molieri ka shkruar aq bukur per Barbonllushin tone “toktorr”,si Saliu i Vicidolit sa nuk ka kryeveper me të madhe!…
Bravo autorit.Ka zberthyer thelbin sharlatan te prof qe griu pacientet dike dale ne gazete dhe duke keputur brockulla.
Raspekt e nderime autorit! Analiza është me logjikë gati matematikore. Këtu në këtë atmëmëdheun tonë nuk ka më intitucione të mos jenë përfshirë në fëlliqësitë e kohës, të cilat kanë të përbashkët epshopatologjinë e fitimit në kurriz të jetës së të tjerëve: Natyrisht, një masë jo e vogël e qytetarëve janë të qartë lidhur me atë çka ndodh dhe nuk bien aq lehtë pre e sharlatanëve, të cilët trumbetojnë në dobi të përhapjes së frikës e panikut ashtu siç përdor shkopin bariu për t’i drejtuar bagëtitë në vathë. Mjekësia është ajo më e frikshmja. Reklamat për medikamentet “mrekullibërëse”, për klinikat private me shërbime të papara e me çmime “të arsyeshme” kanë mbytur ekranet e televizioneve e autoparlantët e radiove. E pastaj mjekët sekserë, të cilt pasi gjoja e vizitojnë pacientin me një seriozitet të tejkaluar bëjnë gjeste mimike për ta vënë atë në merak e për t’i futur ankthin me qëllim që ai të pranojë rekomandimin për te iks klinikë e ypsilon farmaci pa bërë asnjë pyetje e pa kërkuar asnjë sqarim, sepse atje sekseri merr përqindjen e rolit. Nga kjo frymë fitimi me çdo kusht mjekësia nuk po shëron njeri, por po i sëmur të tërë sa bien në dorë të tyre, sepse lënda e parë e fitimit për mjekësinë është njeriu i sëmurë, grup ky që duhet të shtohet deri në shterim me të shëndoshët.
Te mjeret shqipetar cfar i ka gjetur nga keto shushunja qe po ju thithin gjakun. Kur nuk ka shtet , ka Barbullush qe te marin ne qafe. Respekte z. Ardian Vehbiu. Rilindje me 23 Qershor !
@Vezhguesi dhe @Ura e Bunes
Pse e kemi kaq te lehte te shkarkojme energjine tone negative duke shpikur skenare pa i njohur njerezit dhe pa ua ditur punen qe bejne! Pse zbrazim, me pseudonime, inatet qe kemi me gjithe dynjane, mbi nje profesionist qe shkruan me emer e mbiemer.
Pertej ceshtjeve mjeksore per te cilat nuk kam argumentet e duhura se nuk jam fare ne kete fushe, mund te deshmoj personalisht se kur flitet per Dr. Barbullushin, behet fjale per nje mjek shume te dashur per pacientet dhe qe mbi te gjitha e karakterizon humanizmi dhe shqetesimi per edukim shendetsor te njerezve. Eshte nje mjek qe ka shpetuar jo pak jete njerezish ne Shqiperi!
fole aq gjate sa nuk dole ne asnje vend,reagove instiktivisht dhe nuk argumentove me llogjike, ku me teper e kishe me autorin e shkrimit sea me permbajtjen ,shkurt dicka personale
ballshi, ura e bunes, arif gjongjini, vezhguesi, pse beheni viktima te nje njeriu jo kopetent . Lexoni revisten prestigjoze The economist prill 2013, si the BBC Health april 17 , 2013 Prostate cancer dhe do te gjeni se informacioni i Ardianit eshte i vjeter deri ne 2012. Gjerat kane ndryshuar, po ku ti dije Ardiani qe per fat te keq nuk merret me mjeksi.