Presioni i lartë i gjakut, i njohur ndryshe edhe si hipertensioni rrit rrezikun e atakut kardiak, goditjes dhe insufiçiencës renale (humbja e funksionit të veshkave). Nëse nuk kontrollohet, presioni i lartë i gjakut mund të shkaktojë edhe verbim, çrregullime të ritmit dhe insufiçiencë kardiake (pamjaftueshmëri të zemrës).
Si rrjedhojë e shtimit masiv të këtyre komplikacioneve në popullatën shqiptare gjatë tre apo katër viteve të fundit, ekspertët e shëndetit publik, ditën e djeshme e cila përkonte me “Ditën Botërore të Shëndetit”, ia kushtuan tërësisht sensibilizimit të popullatës në matjen e vlerave të presionit të gjakut.
Kjo në mënyrë që të frenohen shtimet e problemeve kardiovaskulare, e veçanërisht atakut kardiak, i cili në pjesën dërrmuese të rasteve ndodh papritur duke bërë që edhe bilanci i vdekshmërisë të jetë në nivele kritike. Në aktivitetin e zhvilluar gjatë ditës së djeshme ministri i sapoemëruar i Shëndetësisë, Halim Kosova apeloi për më shumë vëmendje në drejtim të parandalimit të sëmundjeve kronike kardiovaskulare të cilat po rëndojnë gjithnjë e më tepër bilancin e vdekshmërisë në vend. “Organizata Botërore e Shëndetësisë ka përcaktuar parandalimin dhe kontrollin e Tensionit Arterial apo “presionit te gjakut” si temën e këtij viti me qellim sensibilizimin e popullatës si dhe të gjithë ofruesve të shërbimeve shëndetësore, për rëndësinë dhe mundësitë reale që ekzistojnë për parandalimin e Hipertensionit dhe pasojave qe lidhen me te”, ka deklaruar Kosova
Duke u ndalur tek të dhënat mbi përhapjen e kësaj sëmundje ekspertët e shëndetit publik po orientojnë mjekët e familjes që t’i japin më shumë përparësi parandalimit të hershëm të këtyre komplikacioneve. Rreziku i zhvillimit të këtyre komplikacioneve është më i lartë në prani të faktorëve të tjerë risk, si p.sh. diabeti. Konkretisht 1 në 10 persona në mbarë botën kanë hipertension.
“Numri i të sëmurëve rritet me moshën, nga 1-10 persona në të 20-tat dhe 30-tat e tyre në 5-10 persona në të 50-at. Prevalenca e hipertensionit është më e lartë në vendet që kanë nivel të ulët ekonomik”.
Pavarësisht komplikacioneve të shkaktuara mjekët shtojnë se presioni i lartë i gjakut është i parandalueshëm dhe i trajtueshëm, në rast se ndihma mjekësore merret në stadet e para të shfaqjes së sëmundjes. Në këto kushte vënia e theksit tek parandalimi dhe trajtimi i hershëm kësaj sëmundje, së bashku me faktorët e tjerë risk kardiovaskular, ka sjellë një reduktim të vdekjeve nga sëmundjet e zemrës. Përhapja e kësaj sëmundje në vendin tonë mbetet në nivele të larta. Kjo gjë është faktuar edhe nga të dhënat e raportuara nëpërmjet studimit demografik, ku rezulton se 40 për qind e femrave dhe 45 për qind e meshkujve në moshat 45-49 vjeç janë duke vuajtur nga hipertensioni.
Po sipas këtij studimi 79 për qind e femrave dhe 90 për qind e meshkujve me tension të lartë të gjakut nuk e dinë që janë hipertensivë. Ndërkohë që vetëm 3 për qind e femrave dhe vetëm 1 për qind e meshkujve janë të vetëdijshëm se vuajnë nga kjo sëmundje, për të cilin tashmë i janë nënshtruar trajtimit të specializuar mjekësor. Kundrejt kësaj situate, mjekët apelojnë për më shumë kujdes, veçanërisht në drejtim të njohjes së shkaktarëve dhe pasojave të rritjes së nivelit të lartë të presionit të gjakut, si dhe informacioneve që duhet të përvetësohen sa i takon mënyrave të parandalimit të efekteve negative në shëndet.
Sëmundjet kardiovaskulare zënë 59 % të vdekjeve në popullatën shqiptare.
Autoritetet shëndetësore flasin për një rritje prej rreth 25 për qind të sëmundjeve kardiovaskulare në Shqipëri gjatë 20 viteve të fundit. Një pjesë e rëndësishme e kësaj rritje shkaktohet prej ndryshimeve demografike, rritjes së moshës mesatare të popullatës. Por, vërehet gjithashtu edhe një rritje nga shkaqe të tjera, kryesisht nga ndryshimi i stilit të jetesës. Në rang botëror, hipertensioni arterial prek më shumë se 1 në 3 persona të rritur të moshës mbi 25 vjeç, duke përbërë kontribuesin kryesor të patologjive kardiake dhe aksidenteve cerebrale.
Sëmundjet kardiake dhe aksidentet cerebrale përbëjnë shkaqet kryesore të vdekjeve të parakohshme dhe paaftësisë. Për Prof. Mihal Tasen, një nga emrat më të njohur në trajtimin e sëmundjeve të hipertensionit rezulton se në vendin tonë, vlerësohet që të paktën 46 për qind e të rriturve kanë vlera mbi normën të tensionit të të gjakut. Mbipesha vlerësohet të jetë shkak në 54.4 për qind të rriturve.
Kundrejt reduktimit të këtyre komplikacioneve Ministria e Shëndetësisë u bën thirrje personave mbi 25 vjeç të matin tensionin arterial. Aktualisht në vendin tonë janë në funksionim 421 qendra shëndetësore në kujdesin parësor që janë të udhëzuara të depistojnë popullatën lidhur me hipertensionin. Sëmundjet kronike mund të reduktohen duke shpëtuar me miliona jetë nëpërmjet reduktimit të faktorëve të riskut, zbulimin e hershëm të tyre dhe mjekimit në kohë. Parandalimi i sëmundjeve kronike është investim për jetën.
Sipas të dhënave të ISKSH-së, për sëmundjet kronike shpenzohen rreth 55 milion dollarë në vit. Vetëm për hipertensionin arterial shpenzohet 22 për qind e totalit të rimbursimeve. Kontrollimi i vazhdueshëm i presionit të gjakut është një ndër format më të mira për të mbajtur nën kontroll hipertensionin duke i kursyer vetes edhe rreziqet që lindin nga ataket e papritura që ndodhin.
Konsumi i kripës
Konsumi i lartë i kripës nga ushqimet është shkaku kryesor i hipertensionit që shfaqet nga tre në dhjetë të rritur. Sodiumi apo kripa mund të jetë një tërheqës fatal. Aktualisht rreth 80 për qind e kripës sigurohet nga ushqimet e paketuara, si dhe nga ato të gatuara në shtëpi apo restorante. Ekspertët e shëndetit vënë në dukje se konsumi i kripës në sasi të pakta (jo më shumë se 6 gramë në ditë), ndihmon në pasjen e një jete të shëndetshme pasi pakëson mundësitë e prekjes nga problemet kardiovaskulare apo sëmundjeve të tjera që kanë lidhje me to.
Simptomat që shoqërojnë shfaqjen e hipertensionit
Mungesa e simptomave të dukshme bën që në pjesën dërrmuese të rasteve pacientët të marrin vesh se vuajnë nga hipertensioni vetëm në rastet kur sëmundja ka avancuar së tepërmi. Sipas mjekëve mund të ndodhë që për vite të tëra hipertensioni të zhvillohet në heshtje, dhe se shpesh herë pacientët e neglizhojnë si rrjedhojë e shenjave të paqarta. Megjithatë ndër simptomat karakteristike që mund të shoqërojnë këtë sëmundje pohohet të jenë dhimbja e fortë e kokës (në mënyrë të vazhdueshme), dhimbjet e qafës, skuqja dhe temperatura e lartë e fytyrës, ndjesia e djegieve, shtypjet, shtrëngimet dhe dhimbjet e gjoksit. Në shumë raste pacientët ndiejnë vështirësi për t’u ngopur me frymë, kanë rrahje të shpeshta të zemrës, zhurmë në veshë, mungesë përqendrimi, hije para syve etj. Sipas ekspertëve të shëndetit publik një ndër problemet e mëdha mbi hipertensionin është se shumica e qytetarëve nuk e dinë se vuajnë nga kjo sëmundje, ndaj është e nevojshme që të bëhen herë pas here vizitat tek tek mjeku specialist për të zbuluar sa më herët sëmundjen.
Rreziku i zhvillimit të hipertensionit mund të zvogëlohet, nëpërmjet:
• Reduktimit të konsumit të kripës
• Konsumimit të një diete të ekuilibruar
• Shmangies së përdorimit të dëmshëm të alkoolit
• Kryerjes së aktivitetit të rregullt fizik
• Ruajtjes së peshës optimale të trupit
• Shmangies së përdorimit të duhanit