Shprehja e vjetër “Gjenialitetin nga çmenduria një fije e ndan” vërtetohet për kushedi të satën herë. Autori i masakrës së kryer dy ditë më parë në shkollën fillore në Konektikat përshkruhet nga ish-mësuesit dhe shokët e tij si një gjeni i vërtetë. Adam Lanza ishte një gjeni, por kjo nuk e ka penguar aspak të hartojë një plan masakre me logjikë të ftohtë. Fillimisht ai ka qëlluar me armë të ëmën, në shtëpinë e tij, dhe më pas është drejtuar për në shkollën ku kishte mësuar në vegjëli.
20 nxënës të klasës së parë elementare, 12 vajza dhe 8 djem mes moshës 6-7 vjeç, dhe gjashtë gra, mes të cilave edhe e ëma, janë viktima të çmendurisë së 20-vjeçarit Lanza.
Sipas të gjitha gjasave, plani është hartuar me kujdes për ditë të tëra nga i riu, i cili kishte hyrë në ambientet e shkollës gjatë ditëve para masakrës dhe kishte fshehur atje disa prej armëve me të cilat u mori jetën vogëlushëve dhe mësueseve të tyre. Të gjitha viktimat janë identifikuar dhe mjekët ligjorë kanë konfirmuar se ishin qëlluar më shumë se një herë në pjesë të ndryshme të trupit, me një pushkë. Bilancit të viktimave i shtohet edhe emri i vetë Lanzës, i cili është vetëvrarë pas masakrës.
Vrasësi kishte me vete një dokument identifikimi të të vëllait dhe mediat e kanë cilësuar fillimisht atë si përgjegjësin e masakrës. Ryan Lanza ishte 20 vjeç dhe vuante nga sindroma e Aspergerit. Ai jetonte me të ëmën, Nensi, e cila ishte mësuese në këtë shkollë dhe ishte e apasionuar pas armëve të gjahut, me të cilat u krye edhe masakra. Nensi ishte ndarë nga i shoqi në vitin 2009.