“Të gjithë ata persona që përbëjnë zinxhirin dhe hallkat e krimit, ishin dhe janë ende gjallë. Çfarë u bë me ta, vallë? Me ata të gjithë? Me ata tek e tek? Patën të gjithë karrierë të lavdishme politike e profesionale.
Logjika është e thjeshtë: nëse shteti, me segmentet e politikës në pushtet, pranon, nëpërmjet dekorimit të martirëve, të na i bëjë ata pjesë të vetëdijes sonë qytetare, atëherë, për të shmangur kontradiktën dhe pafytyrësinë duhet të ndëshkojë (apo të kishte ndëshkuar) të gjithë ata që çuan në vrasjen e këtyre martirëve.. ose së paku, pezullimin e këtyre vrasësve nga postet e rëndësishme shtetërore e publike. Përndryshe, standardi na del jo vetëm i dyfishtë, por kriminal, hipokrit e, rrjedhimisht, thellësisht fyes.. Përndryshe, vetë shteti po këmbëngul në dhënien e një shembulli të keq: të pranojë viktimat si martirë nga njëra anë, dhe njëkohësisht, t’u hapë mundësi për karrierë marramendëse vrasësve të tyre në të gjitha nivelet e administratës deri në Parlament… Në këtë mënyrë, e gjithë shoqëria jonë vazhdon të mbetet peng i së shkuarës, përderisa nuk përballemi ligjërisht me të, por mundohemi t’i gjejmë zgjidhje problemit duke i rënë atij nga dera e pasme, d.m.th., duke ia lënë zgjidhjen kohës, vdekjes biologjike të aktorëve, me shpresën se ndoshta një ditë gjithçka do të harrohet… Me sa duket, trashëgimia e komunizmit ndihet tërësisht e rehabilituar, e inkurajuar dhe e mbështetur për të bërë karrierë, përderisa vrasësit nderohen më shumë se viktimat e tyre, përderisa asnjë protestë nuk vjen nga fakti që këta kriminelë na imponojnë si “nder i kombit”, dhe ne me përunjësi duhet t’i pranojmë si pjesë të vetëdijes sonë qytetare…”
Pjesa e mësipërme është marë nga një opinion i Agron Tufës në të përditshmen Panorama me titull “Havzi Nela apo vrasesit e tij” dhe flet për Nelën, i cili u vra nga rregjimi në gusht 1988. “Vrasësve u është hapur mundësi për karrierë marramendëse në të gjitha nivelet e administratës deri në Parlament” – është thelbi i analizës së tij. Të drejtë ka. Edhe po të ndërronte emrat dhe datat, sërish të drejtë do kishte.