Ndërtuesi Flamur Ymeri nuk mban dot alibinë për vrasjen e dyfishtë të ndodhur në Selitë mëngjesin e të martës, ku mbetën të vdekur Adnan Luli, 22 vjeç dhe Ervin Shaba, 26 vjeç, banues në këtë lagje.
Edhe pse fillimisht dëshmoi se i kishte vrarë me armën e tyre agresorët që i hynë në vilë për ta grabitur, grupi hetimor ka hedhur poshtë pretendimin e tij nëpërmjet riekspertimit, gëzhojës së një arme të tretë që gjeti në vilë, por në fakt janë sekuestruar vetëm dy armë.
Gjithashtu ditën e djeshme, kanë dalë dyshime të reja, se disa prej plumbave me të cilët janë qëlluar në kokë të rinjtë, nuk kanë shpuar maskat. Pra dyshohet se 45-vjeçari i ka vrarë me një tjetër armë dhe kur kanë qenë të pamaskuar.
Duke i bashkangjitur këtyre detajeve të reja edhe faktin se Ymeri kishte konflikte pronësie me fisin Shaba, në një proces gjyqësor për vilën ku jetonte, përforcohet më shumë pista se nuk ishte grabitje, por një vrasje duke kapërcyer kushtet e vetëmbrojtjes.
Prokuroria dërgoi dje dosjen në Gjykatën e Tiranës për masën e sigurisë “arrest në burg” ndaj Ymerit, masë e cila pritet të zhvillohet ditën e sotme. Grupi hetimor ka arritur të zbulojë edhe huanë 300 mijë euro me interes që Ymeri i ka dhënë fisit Shaba, xhaxhait të të vrarit Ervin Shaba.
Për moskthimin e borxhit ai u ka marrë me gjyq vilën ku edhe ndodhi krimi.
Dosja në Gjykatë
Prokuroria e Tiranës kërkoi dje masën e sigurisë “arrest me burg” për Flamur Ymerin, i cili vrau dy të rinj në banesën e tij, duke pretenduar se ishin grabitës.
Organi i akuzës ka dërguar dosjen për masë sigurimi personal, duke theksuar se 45-vjeçari Ymeri i ka kapërcyer kushtet e vetëmbrojtjes. Ndaj biznesmenit që kishte një firmë të vogël “Selita” dhe merrej me ndërtime të vogla, u ngritën akuza mbi bazën e nenit 79 dhe 279 të Kodit Penal.
Dhe këto nene parashikojnë pikërisht vrasjen në rrethana cilësuese duke kapërcyer kushtet e vetëmbrojtjes dhe armëmbajtjen pa leje.
Nga ana tjetër Ymeri i qëndron alibisë së të rinjtë hynë për ta grabitur dhe për t’i bërë keq familjes së tij.
Kurse për faktin e plumbave në kokë pa shpuar maskën ka thënë se ua ka hequr maskat dhe aty u ka parë fytyrat se kush ishin dhe më pas i ka qëlluar përsëri disa herë. Por Ymeri nuk justifikon dot vonesën e denoncimit të ngjarjes, mashtrimin për kohën kur ndodhi dhe fshehjen e një arme të tretë.
Misteret e ngjarjes
Fisi Shaba ka pranuar se ka pasur konflikte me Flamur Ymerin dhe se njiheshin me të. Gjithashtu se kanë pasur një proces gjyqësor të hapur deri në Gjykatën e Apelit, për një borxh në formë huaje të marrë vite më parë, ku flitet për 300 mijë euro.
Moskthimi i parave ka hapur konfliktet dhe me gjyq Ymeri u ka marrë vilën në Selitë familjes Shaba, ku edhe jetonte aktualisht. Por për ekspertët ngjarja mbetet mister dhe me të panjohura, për shkak se si 45-vjeçari, ashtu dhe bashkëshortja e tij, nuk bashkëpunojnë për të rrëfyer të vërtetën.
Por provat e gjetura deri tani provojnë se ka fshirje të gjurmëve në vendngjarje dhe një lloj inskenimi për të fshehur të vërtetën. Dyshohet se Shaba dhe shoku i tij Luli kanë shkuar për të sqaruar konfliktet me Ymerin, ose për t’i bërë keq dhe aty ka ndodhur krimi i dyfishtë.
