Tri orë ka zgjatur aksioni i policisë për kapjen e autorit të vrasjes së 20-vjeçarit Elvis Memishaj, nga fshati Oreshkë i komunës Zapod në Kukës. Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e së martës në fshatin Cërnalevë të komunës Shishtavec, pak minuta larg fshatit të viktimës. Policia arrestoi si autor të ngjarjes 23-vjeçarin Mirvan Islami nga fshati Cërnalevë, ndërsa bëhet e ditur se krimi i rëndë ka ardhur pas një zënke për motive banale.
Mësohet se një javë më parë, Mirvan Islami, së bashku me disa shokë të tij kishin shkuar në fshatin Oreshkë në një dasmë, ku kanë qenë të pranishëm edhe 20-vjeçari Memishaj me shokët e tij. Të rinjtë njiheshin më parë, pasi kishin qenë në të njëjtën shkollë. Mes dy grupeve të të rinjve ka nisur debati për markat e telefonave dhe “Facebook”-un, i cili ka degjeneruar në përplasje fizike. Dasmorët e tjerë i kanë përzënë dhe për momentin sherri është mbyllur. Por viktima, mbrëmjen e së martës ka shkuar në Cërnalevë bashkë me 2 shokë dhe ka takuar në një lokal në fshat Islamin me dy shokë të tij. Përsëri mes tyre ka pasur sherr dhe 23-vjeçari ka qëlluar me thikë 2 herë në pjesën e barkut mbi 20-vjeçarin Memishaj. Banorët e kanë marrë 20-vjeçarin e plagosur me makinën e tyre dhe e kanë nisur për në spitalin e Kukësit, ku disa minuta para se të mbërrinte ka ndërruar jetë, për shkak të hemorragjisë.
Për të shkuar në Kukës, nga fshati Cërnalevë duhen të paktën 4 orë rrugë, gjë që i plagosuri nuk e ka përballuar dot. Autori është larguar nga vendi ku ndodhi ngjarja dhe pas 3 orësh kërkime nga ana e policisë, është gjetur në pyllin e fshatit Cërnalevë. 23-vjeçari nuk ka bërë rezistencë, ndërsa ka shfaqur shenja pendese.
Policia ka marrë në mbrojtje familjen e autorit Islami. Kjo, pasi familjarët janë shprehur për një hakmarrje të mundshme, për shkak edhe të motiveve banale të krimit. “Tradita e do hakmarrjen, por ne shpresojmë që kjo nuk do të ndodhë. Ata ishin shokë, megjithëse jetonin në fshatra të ndryshëm, por mendja e tyre e lehtë dhe papjekuria solli krimin e rëndë”, – tha Shukri Uka, banor i fshatit Oreshkë.
KRYEKOMUNARI
Kryekomunari i Shishtavecit, Dileman Nela tha se të tilla ngjarje nuk kanë ndodhur më parë, ndërsa ka kërkuar që zona të ketë një polic për shmangien e krimeve. “Familjet e dy të rinjve janë të njohura dhe s’kanë qenë problematike. Ngjarja dhe motivi i vrasjes sjell në vëmendje mungesën e forcave të policisë në këtë zonë, që duhet të jenë të pranishme”, – tha Nela./bw

4 ore duhet per te arritur ne spital. Me nje fjale kafshe, Zululand.