Një borxh i vjetër dyshohet se është bërë shkak për sherrin që përfundoi në vrasje pas shkëmbimit të zjarrit mbrëmjen e së premtes në lagjen “Ali Demi” në Tiranë, ku mbeti i vdekur pronari i një PUB-i në ish-Bllok dhe u plagos i dyshuari që u arratis nga vendngjarja. Ariel Zanga dhe Agron Goxhaj kanë qëlluar në drejtim të njëri-tjetrit pas konfliktit, në prezencë edhe të disa shokëve të tjerë të autorit dhe viktimës. Nga plumbat mbeti i vdekur pas pak minutash 36-vjeçari Zanga, kurse 34-vjeçari Goxhaj u largua duke marrë me vete edhe armën e krimit, bashkë me ndihmësin në krim, Edison K., 32-vjeç, të dy banues në Tiranë. Paraprakisht mendohet për një shumë lekësh që i dyshuari ia kishte viktimës dhe shokëve të tij, por edhe pse si pistë kryesore, grupi hetimor ende nuk e ka konfirmuar zyrtarisht këtë motiv. Mësohet se Zanga dhe Goxhaj kishin lidhje shoqërore me njëri-tjetrin. Goxhaj mësohet se ka qenë një herë më parë i proceduar për plagosje. Mbrëmë policia ndaloi për moskallëzim krimi Besnik Mansakun, 37 vjeç, i pranishëm gjatë sherrit të ndodhur.
Hetimet
Policia e Tiranës deri mbrëmjen e djeshme nuk kishte arrestuar autorët e dyshuar, por bëri shoqërimin e dëshmitarëve, ndërsa ushtroi edhe kontroll në banesa dhe ndaloi një prej të njohurve të Goxhajt për moskallëzim krimi. Nga dëshmitë dhe të dhënat e policisë autori dhe viktima kanë qenë të armatosur dhe kanë hapur të dy zjarr. Ndërsa viktima ka marrë një plumb në kokë dhe katër plumba në qafë, autori mendohet se ka mbetur i plagosur dhe është larguar me vrap, i ndihmuar nga shok Edison K. Ndërkohë që ende nuk specifikohet se sa herë është goditur me armë viktima. Ekspertët gjetën të paktën 6 gëzhoja të armëve të ndryshme. Viktima është qëlluar në kokë dhe në qafë dhe nga hemorragjia ka gjetur vdekjen e menjëhershme në vendin e ngjarjes. Dëshmitarë të zonës rrëfejnë se dy djemtë ishin në një lokal, kur kanë nisur të zihen me njëri-tjetrin, në prezencë të shokëve. Debati ka vijuar në rrugë në afërsi të një tuneli, kur janë dëgjuar të shtëna dhe britma.
Pistat
Banorët e zonës kanë tentuar që t’i vijnë në ndihmë Ariel Zangës, por ka qenë e kotë, pasi 36-vjeçari kishte humbur jetën. Ndërkohë që shokë të viktimës janë ende të tronditur për krimin. Ata shprehen se viktima nuk ka pasur konflikte apo probleme. “Jemi shumë të tronditur nga ky krim. Nuk e dimë se për çfarë arsye ka ndodhur. Reli nuk ka pasur probleme me askënd dhe as konflikte. Ai ishte djalë shumë i mirë dhe çdo gjë e ka fituar me djersë”, i thanë ata policisë. Pista kryesore ku janë përqendruar hetimet e policisë është sherri për borxhin. Viktima dhe autori kanë debatuar gjatë paradites dhe pasdite janë ulur në kafe për t’u sqaruar në një lokal pranë shkollës “1 Maji”. Por sherri ka vazhduar duke degraduar në dhunë fizike. Nga burimet bëhet me dije se në momentin që të dy kanë dalë jashtë lokalit janë drejtuar për tek tuneli afër shkollës “1 Maji”. Në këtë moment janë nxjerrë armët dhe ka pasur shkëmbim zjarri mes të dyja palëve dhe në tokë ka rënë viktima. Burime sqarojnë se Zanga është qëlluar të paktën 4 herë nga autorët.
Konfliktet
Ndërsa janë shoqëruar rreth 15 veta në komisariat për t’u marrë në pyetje, përfshirë këtë dëshmitarë të ngjarjes dhe të afërm e miq të viktimës. Burime bëjnë me dije se autori rezulton të jetë person i skeduar për plagosje, por nuk sqarohet se për cilën ngjarje bëhet fjalë. Përsa i përket viktimës, ai ishte pronar i një lokali në zonën e ish-Bllokut dhe mik me autorin. Burime sqarojnë se të dy kanë qenë shokë, por janë konfliktuar për shkak të borxhit. Ndërsa banorë të lagjes shprehen se të dy djemtë rrinin shpesh nëpër lokalet e zonës “Ali Demi”. Ata uleshin për të parë ndeshje dhe dukeshin shumë të qetë. Ndërkohë që uniformat blu po vijojnë kërkimet për kapjen e autorit të krimit, i cili është zhdukur menjëherë pas vrasjes. Goxhaj është ndihmuar nga dy miq të tij në krim.
