Gjykata e Posaçme ka kaluar në gjykim dosjen ndaj Ardian Çapjes, Klajdi Dokolit, Etjen Canit dhe Jorgo Lekut për akuzën e vrasjes së dyfishtë në Elbasan në vitin 2012, të Gentian e Nezir Beqiri.
Gjithashtu, gjykata ndau dosjen për dy të pandehurit e tjerë, Florenc Capja dhe Ervis Bardhi për shkak se janë të arrestuar, njëri në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe tjetri në Greqi.
Në 15 gusht të vitit 2012, 40-vjeçari, Gentian Beqiri është ekzekutuar në banesën e tij, në lagjen “Sporti i Vjetër”, të Elbasanit.
Dëshmitar i ngjarjes së rëndë ka qenë babai i tij, Nezir Beqiri, i cili ndërroi jetë pak minuta pas të birit.
Fillimisht u dyshua se Nezir Beqiri kishte pësuar infarkt pas ngjarjes, por ekspertiza mjekoligjore përcaktoi se i moshuari ka humbur jetën si pasojë e plagëve të shumta që ka marrë në trup.
Ekzekutorët e kanë goditur disa herë në mushkëri, duke i shkaktuar hemorragji e pas disa minutash në urgjencën e qytetit, ai gjeti edhe vdekjen.
Dyshohet se vrasjet janë kryer për motive hakmarrjeje, pasi në 2005-ën, Gentian Beqiri është akuzuar nga organet e drejtësisë për vrasjen e biznesmenit Sokol Çapja, vrasje e cila ka ndodhur në një prej bareve të Elbasanit, pranë Universitetit “Aleksandër Xhuvani”.
j.l./ dita
