Trafiku i mundshëm i qenieve njerëzore në Britaninë e Madhe si dhe konflikti me një tjetër fis bashkatdhetarësh në Londër, njërit prej të cilëve gjatë sherrit i ka prerë dhe veshin, janë dy pistat në të cilat po heton Policia e Durrësit ekzekutimin e Xhevahir Brashit, nga Hasi, por banues në Fllakë të qytetit bregdetar.
I njohur së fundmi edhe me emrin e ndryshuar nga familjarët si Agim Caka, babai i 3 fëmijëve mësohet se ishte kthyer 3 muaj më parë nga Anglia. Besohet se edhe emri është ndryshuar pikërisht për shkak të konflikteve të ashpra që nuk ishin zgjidhur asnjëherë.
Brashi jetonte prej 20 vitesh në Londër me familjen. Policia ka kryer të paktën 20 shoqërime, por besohet se atentati mund të jetë kryer nga vrasës me pagesë. Sipas policisë, 42-vjeçari është qëlluar te kryqëzimi i Fllakës, pak metra larg banesës, teksa kthehej me makinën e tij “Benz”.
Në trup ka pasur të paktën 8 plagë plumbash, por dy prej tyre vdekjeprurëse. U gjet i plagosur rëndë nga të afërmit, por edhe pse u dërgua në spital nuk i mbijetoi dot plagëve. Makina “Benz”, me targa AA295LA, dyshohet se është ndjekur nga Durrësi deri në Fllakë, ku atentatorët kanë pasur dijeni për lëvizjet.
Mendohet se ata mund të jenë fshehur në rrugicë, ose e kanë qëlluar nga makina e tyre në lëvizje. Mjeti u gjet i goditur me 13 plumba në krahun e shoferit Xhevahir Brashi, që në ato momente po kthehej në vilën e tij në Fllakë.
Autorët janë larguar me shpejtësi dhe për shkak të errësirës dëshmitarët nuk kanë parë asgjë. Trupi u gjet jashtë makine në kanal dhe besohet se 42-vjeçari është përpjekur të kërkojë ndihmë i plagosur rëndë. Të shtënat janë dëgjuar rreth orës 19:30 të mbrëmjes. Mjekët thanë se Brashi mbërriti pa asnjë shpresë për mbijetesë. /A.Qoraj/DITA/

