Biznesmeni i dyshuar për vrasjen e kryekomisar Dritan Lamaj vitin e kaluar në Tiranë, do të qëndroj në burg edhe për një muaj për efekt hetimesh. Arben Frrokut nuk iu pranua kërkesa për lirim nga qelia për mungesën e provave dhe tejkalim të afateve, pasi Gjykata e Krimeve të Rënda rrëzoi ankimimin e avokatit të tij, duke zgjatur afatin e hetimeve me një muaj.
Në seancën e djeshme, trupi gjykues pranoi kërkesën e Prokurorisë, e cila kërkoi zgjatjen me një muaj të hetimeve ndaj Frrokut, duke e lënë në masën “arrest me burg”. Ndërkohë që avokati mbrojtës i 44-vjeçarit Frroku, ka theksuar se klienti i tij po mbahet padrejtësisht në burg. Po kështu reagoi edhe vëllai i të akuzuarit, deputeti Mark Frroku, që theksoi se “nuk ka dëshmitarë që të vërtetojnë se vrasjen e Dritan Lamajt e ka kryer vëllai im”. Pikërisht për këtë argument ishte kërkuar edhe dalja nga qelia në liri. Por organi i akuzës i tha gjykatës se disponon provat për ta mbajtur në burg biznesmenin e dyshuar dhe se për periudhën një mujore në vazhdim do të sigurojë edhe prova të tjera bindëse. Arben Frroku nuk e ka pranuar asnjëherë akuzën e vrasjes së oficerit të lartë të policisë shqiptare, megjithë përplasjet që kishin pasur me njëri-tjetrin, edhe publike. Frroku pretendon se në momentin kur ndodhi krimi, ai gjendej në qytetin e Elbasanit dhe madje ka pamje filmike se gjendej në një lokal. Kurse sipas prokurorisë, Frroku është parë në zonën e “Vasil Shantos” mbrëmjen e ngjarjes, ndërsa më tej ka kaluar kufirin në Kapshticë, duke u arratisur jashtë Shqipërisë.
Frroku u kap në Selanik nga policia greke pak orë pas ngjarjes në Tiranë, së bashku me nipin e tij, ndërsa u njoftua se ishte gjetur edhe drogë. Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, me vendim të datës 26 shkurt 2013, ka caktuar ndaj Frrokut, masën e sigurisë “arrest në burg”, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”. Atentati ndodhi mbrëmjen e 24 shkurtit, afër banesës së të ndjerit Dritan Lamaj, teksa ky i fundit po kthehej në banesë me makinën e tij. Kurse 44-vjeçari Frroku u ekstradua pak muaj më parë nga Greqia, me kërkesë të drejtësisë shqiptare. Bashkë me të gjendet i arrestuar pas ekstradimit edhe nipi i tij, Jak Jaku, 31 vjeç, me akuzën “armëmbajtje pa leje”. Biznesmeni bëri kërkesë edhe në gjykatat greke për t’u liruar për mungesë provash, por iu rrëzua pas këmbënguljes së palës shqiptare që kërkoi ekstradimin e menjëhershëm.