Vrasja e një të mituri në vettingun për kreun e Gjykatës së Korçës

b.m.

Vrasja e një 17-vjeçari në Korçë në vitin 2015 dhe dënimi i autorit 15-vjeçar në atë kohë me 6 vjet burg, pavarësisht pretendimeve të familjes së viktimës, u rikthye për të përndjekur kreun e shkarkuar të Gjykatës së Korçës Admir Belishta.

Çështja ishte përfshirë në raportin e Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK) sipas të cilës Belishta ishte i papërshtatshëm. Në vendimin e zbardhur Komisioni i Pavarur i Kualifikimit citohet se dyshohej  “se subjekti i rivlerësimit mund të ketë favorizuar një shtetas të mitur, i gjykuar për veprën penale të vrasjes”.

Hetimet e KPK-së në kriterin e aftësive profesionale në lidhje me këtë çështje zbuluan se apelimi i prokurorisë dhe një të afërmi të viktimës kundër vendimit të Gjykatës së Faktit Korçë, ishin “harruar” në kancelarinë e kësaj gjykate dhe u refuzuan më pas nga Gjykata e Apelit për shkak të tejkalimit të afateve me disa muaj.

“Komisioni konstatoi se duket sikur gjenden veprime fiktive në dosjen penale nr. (***), të vitit 2015 në ngarkim të të pandehurit A.F.”, thuhet në vendimin e zbardhur.

Belishta i cili kryesoi trupin gjykues në këtë rast dhe ishte njëkohësisht kryetar i gjykatës që duhej sipas komisionit të kujdesej për mbarëvajtjen e punës aty, u mbrojt duke thënë se bëhej fjalë për “gabim njerëzor”. Sipas tij kryesekretarja kishte bërë një ngatërresë dhe ndaj saj ishte ndërmarrë një vërejtje.

Por Komisioni nuk u bind prej këtij arsyetimi, duke u shprehur se ndërhyrja në rregjistrin e gjykatës duhej të ishte hetuar dhe se vendimi nëse ishte gabim njerëzor nuk i takonte Belishtës, por hetimit. KPK thotë se gabimi ishte i rëndë aq sa pengoi prokurorinë të bënte apelim duke e shkelur “të drejtën kushtetuese të ankimit” dhe nuk mund të kalohej me një vërejtje.

Treshja e KPK që gjykoi Belishtën e kryesuar nga Olsi Komici, me relatore Genta Tafa (Bungo) e anëtar Lulzim Hamitaj, pretendon në vendimin e arsyetuar se kishte gjetur probleme në kriterin e pasurisë, profesionalizmit, ndërsa edhe pse nuk ka shpjegime të detajuara raporti i DSIK-së për papërshtatshmëri është konfirmuar edhe nga Komisioni.

Belishta ka kundërshtuar gjetjet siç rezulton edhe në vendim e zbardhur duke dhënë argumente të ndryshme nga ato të shtruara prej Komisionit, por në shumicën e rasteve treshja gjykuese ka arritur në përfundimin se argumentet e tij nuk ishin bindëse.

Në fund KPK vendosi shkarkimin e Belishtës. “Subjekti ka bërë deklarim të pamjaftueshëm për kriterin e kontrollit të pasurisë; subjekti rezulton i papërshtatshëm në lidhje me kriterin e kontrollit të figurës; Duke kryer një vlerësim tërësor të të tri kritereve, mbi të cilat mbështetet procesi i rivlerësimit të gjyqtarit, Komisioni konkludon, gjithashtu, se subjekti Admir Belishta, me veprimet/mosveprimet e tij, ka cënuar besimin e publikut tek sistemi i drejtësisë”, thuhet në vendimin e KPK-së.

****

Vladimir Karaj – Redaktor i Rrjetit Ballkanik për Gazetari Investigative në Shqipëri, BIRN Albania. Botohet me shkurtime

Share This Article
3 Comments
  • Deri tani, nga ata që janë vettuar, pothuajse të gjithë kryetarët e gjykatave janë shkarkuar. Këta ishin të përzgjedhurit, të besuarit dhe të mbrojturit e Këshilit të Lartë të Drejtësisë, që udhëhiqej nga presidentët e Republikës dhe ku bënin pjesë gjithashtu dhe ministrat e Drejtësisë. Kuptohrt se sa thellë ka qenë zhytur në pisllëk drejtësia shqiptare. Urojmë që puna e nisur, për reformimin e saj, të shkojë në fund, por e rëndësishme është që të shihet rezultati në vendosjen e drejtësisë së mohuar deri më sot, dhe sidomos për dosjet e nxehta. Për fat të keq problemet të mbartura apo të freskëta janë kaq të shumta sa do të duhen vite të zbardhen. Sidoqoftë, nëse i referohemi thënies që ‘frika ruan vreshtat’, atëhere e ardhmja nuk do jetë më si deri më sot.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *