Mbyllet brenda një viti gjyqi për vrasjen e trefishtë në lagjen “Çole” pas përleshjes mes dy grupeve, ku shkak u bë e rrahura në kazino.
Gjykata e Vlorës pranoi kërkesën e prokurorisë në pretencë të dhënë javë më parë dhe dënoi me burgim të përjetshëm autorin kryesor të dyshuar, Aleksandër Llanaj dhe nga 35 vjet burg për dy shokët e tij Bertil Aliaj dhe Ani Begaj.
Të tre personat nuk e kanë pranuar ngjarjen në prill të këtij viti, ku mbetën të vrarë Haki Rakipi, Alfred Velaj dhe Albi Limaj, ky i fundit shok i të pandehurve. Por aktualisht Prokurorisë dhe Policisë u del punë, pasi i duhet të gjejë Aliajn dhe Begajn, të cilët gjykata i ka liruar vitin e kaluar me masë “detyrim paraqitje”, ku prokuroria kundërshtoi ashpër. Të pandehurve u mbetet edhe Gjykata e Apelit për të shpëtuar nga ky dënim i rëndë, që mund të marrë formën e prerë.
Krimi i trefishtë ndodhi në ambientet e jashtme të lokalit me emrin “Adore”, në kryqëzimin e lagjes “Çole” dhe rrugës “1 Maji”, më 7 prill të vitit 2015. Shkak u bë rrahja në kazino e një prej shokëve të autorëve, Xhuliano M., nga dy prej viktimave.
I dhunuari u tregon atyre teksa festonin një ditëlindje dhe kaq u desh që grupi me 4 persona të shkonte me makina në lokalin ku po pinin kafe Haki Rakipi dhe Ardi Velaj. Të dyja palët kanë qenë të armatosura me pistoleta. Qëllim është deklaruar sqarimi për rrahjen e 17-vjeçarit pa shkak, por sipas hetimeve të kryera përleshja ka qenë e menjëhershme. I dënuari me burg përjetë, Aleksandër Llanaj, nuk ka pritur aspak, duke nxjerrë pistoletën dhe zbrazur karikatorin.
Nga ana tjetër ndodheshin shokët e tij Albi Limaj, si dhe Ani Begaj dhe Bertil Aliaj, por pak metra më tej. Shkëmbimi i zjarrit ka lënë të vdekur Rakipin dhe Velajn në verandën e lokalit, teksa u plagos rëndë nga plumbi i shokut të tij edhe Albi Limaj, që humbi jetën në spital. Të pandehurit tentuan të arratiseshin, por u kapën brenda pak orëve nga policia e Vlorës për “vrasje në bashkëpunim” dhe “armëmbajtje pa leje”. /DITA/
